Veliaj, kalorës i gënjeshtrave

0
207

Nga Namir Lapardhaja

Kujtdo mund t’i kujtohet se më 1 qershor 2011 Erion Veliaj do të sajonte në mënyrën më tipike të politikës së tij një histori rrëmbimi me Griselda Zaimin, në atë kohë bashkëjetuese me të sapozgjedhurin në krye të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshin.
Veliaj, duke i hipur kalit të gënjeshtrave, e bëri publike për ndërkombëtarët mashtrimin, ndërkohë që, më pas, nuk u përpoq ta përgënjeshtronte kur vetë protagonistja e historisë pranoi blofin.
Po ashtu, në shtator 2014, kur ishte në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Veliaj deklaroi pa iu dridhur qerpiku se kishte arritur të bënte dasmën luksoze në Kalanë e Gjirokastrës me paratë e nënës së tij.
Një gënjeshtër që do fyente inteligjencën e çdo fëmije, e jo më të rrituri.
Në një shoqëri normale, ku do të funksiononte morali, ose, të paktën, ligji, do të mjaftonin këto dy raste që Veliaj të mos ishte në asnjë cep të politikës.
Mirëpo, forca politike dhe kryeministri aktual e ka atë një nga bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë.
Do të mjaftonte pikërisht dasma e tij e vënë në hije dyshimi nga televizioni “Agon Channel”, që ky i fundit të mbyllej me dhunë, ndërkohë që sot duhet të paguajmë për këtë tekë të dyshes Rama-Veliaj mbi 100 milionë euro.
Veliaj nuk shqetësohet aspak kur gënjen.
Ai nuk turpërohet as kur del kaq hapur të thotë se është nxirë duke lexuar në ballkon (edhe pse deklaron gjatë intervistës së porositur se kishte probleme me shikimin).
Ai nuk turpërohet, sepse forca politike së cilës i është përkushtuar e ka gënjeshtrën të vetmin mjet komunikimi.
Ai ndoshta është pikërisht trashëgimtari i parashikuar i Ramës në PS, pasi e përdor gënjeshtrën kaq hapur.
Sepse “Rilindja” gënjeshtrën e ka të vetmin program politik për qytetarët shqiptarë, ndaj dhe Veliaj po bënë gati provat gjenerale për të zëvendësuar Ramën sapo t’i jepet mundësia.
Ai është hedhur në sulm si njeriu që di të mbyllë media, që di të bëjë presione, që nuk ka asnjë problem të fyejë gazetarët që nuk pranojnë kasetat dhe që dalin kundër vendimeve të tij.
Ai thjesht po bënë provat që të mos ketë asnjë rival për të zëvendësuar Ramën.
Ai është gënjeshtari që i duhet Ramës për të garantuar trashëgiminë e tij në PS.
Duket se provat gjenerale janë në kulmin e vet, dhe aktori Veliaj është duke e luajtur këtë rol ashtu siç e ka parashikuar kumbari i tij politik.