Unë jam një nga një milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë – 27.al
  • Shqiperi
  • Opinion
  • Kosove Rajon
  • Gossip
  • Art Kulture
  • Sport
  • Bota
27.al
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Shqiperi
  • Opinion
  • Kosove Rajon
  • Gossip
  • Art Kulture
  • Sport
  • Bota
27.al
Nuk ka rezultat
View All Result
27.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Unë jam një nga një milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë

21:05 | 05/09/2018
në Uncategorized
0

Nga Ada Halilaj 

Unë jam një nga një milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë.

Jam bijë e gjakut malësor; fëmijë i dy prindërve me arsim 8-vjeçar, njerëz të një dinjiteti madhështor, të një thjeshtësie mallëngjyese, të një krenarie imponuese, punëtorë kooperativash, vjelës duhani, shitës kavanozash, shtëpijakë e në fund nëpunës shteti. Jam vajza e një nane bujarisht të dashtun, por edhe e sertë në rregulla dhe dirigjente në kërkesa dhe i një babai fjalëpaktë, mendjehapun e besimdhanës. Jam vetë mësuese e vetë nxanëse e lirisë teme, të cilën deri vonë, e kam mbrojt si kafsha këlyshin e vet. Një grua e gjykume për prejardhjen “joqytetare”, për tatuazhet, për udhëtimet vetëm, për pavarësinë e mendimit të ftohtë, për refuzimin e religjionit të prindërve, bindjet politike të vetëformume, për tërheqjen nga spektakli i traditave, për njeriun që dashurova, për poezitë erotike, për shkrimet feministe, për zanin e të drejtës, për vetëvendosjen, për guximin, për besimin e palëvizshëm në vedi.

Read more

A Grandmother’s Secret Love and Her Hidden Legacy

In Her Letter to Santa, My Daughter Asked for ‘The Same Heart-Shaped Earrings Dad Gave to My Nanny’ — I Went Pale

U thirr në SPAK dy ditë më parë, deputeti socialist Jurgis Çyrbja dorëzon mandatin

Horoskopi për sot, 26 Shkurt 2024 –

Jam një nga ato gratë, për të cilat flitni në pauzat e kafeve, në mbledhjet familjare, në vesh të njeni-tjetrit. Një nga ato gratë që ndeshni me bërryl, tregoni me gisht, shihni me bisht të synit, ua harroni emnin apo s’keni njoft kurrë.

Gra si nana jeme, e treta e 9 fëmijëve, e lindun dhe e rritun nën brinjë të malit; e ushqyme me racion buke; e veshun me tesha të qepuna e të shqepuna; e mësume me hap sytë pa lind dielli, me kullot bagëtitë, me mbledh shërbelë, me ec gjysëm ore për shi e borë deri në bankat e shkollës, me andrru pak e me punu shumë. Pengu i saj ma i madh asht humbja e bursës së studimit në Shkodër për vendim të të atit e privimi nga një mundësi e dytë shkollimi për vendim të vjehrrisë.

Gra si kushrina jeme, e cila tentoi disa herë vetëvrasjen, për shkak të dhunës sistematike të bashkëshortit dhe pikëllimit nga turpi i pafrenueshëm me kërku ndihmë nga familja.

Gra si Meli, e fejume me zor në moshën 12-vjeçare, sepse trupi i saj, krahasu me shoqet, ishte ma joshës, ma trazues e kërkesat e dorës sa vinin e shtoheshin në shtëpi.

Gra si Ida, që pranon pasivisht bashkëjetesën me një burrë pijanec, të dhunshëm dhe të papunë, sepse e zgjodhi vetë, me dashni e me ngulm, kundër gjithkujt e gjithçkaje, e i vëllai nuk e merr mbrapsht motrën e ndame me dy fëmijë të “huaj” në prehën.

Gra si Ola, babai i të cilës ka vite që nuk i flet me gojë, vetëm sepse lindi një fëmijë jashtë martese.

Gra si Ohrida, që duhet të fshihet nëpër kafene të errëta apo në lokale periferike me të dashtunin e saj, duhet t’i ruhet paditjes së kureshtarëve sepse vajzat e këtij vendi nuk mund ta jetojnë lirisht njohjen me një djalë. Ua fshehin prindërve nga frika. Ua rrëfejnë shoqeve nga ngazëllimi…, sepse këtu, dashnia e pashpallun, e pazyrtarizume, e papërkrahun nga familjet përkatëse, shtrëngohet në turp, në marre, në koritje.

Gra si Xhulia, që mendon se virgjëria asht garanci për një martesë plot besim dhe krenari mashkullore…, se kështu i kanë thanë, se kështu e kanë bind.

Gra si Lela, të brymosuna aq fort me frymën e nënshtrimit, sa besojnë plotësisht e verbnisht që urtësia dhe heshtja shiten mirë në tregun e opinionit të masës dhe se një grua e mençun nuk kundërshton, nuk e braktis vendin që i përket.

Gra si Artemisa, që detyrohet të organizojë dasmën në kohë rekord, me ngut dhe ankth sepse pret një bebe e familja nuk ia don barkun te goja në pragun e një shtëpie që s’asht ajo e të shoqit.

Gra si Pranvera që zgjohet e para e flen e fundit, që përgatit njëherazi mëngjesin e drekën nën dritën e vakët të kuzhinës, duke tregu kujdes maksimal që të tjerëve mos t’u cënohet gjumi, që punon mekanikisht 8 orë në një fabrikë këpucësh në anën e kundërt të qytetit, që kur kthehet e raskapitun e me rrathët e syve të ramë, duhet t’ia fillojnë nga e para avazit të pafalshëm shtëpijak. Darka, pjatat në lavaman, detyrat e fëmijëve, rrobat e pahekurosuna në raft, mendimi se ça do gatuajnë të nesërmen, pa prit asnjë shenjë ndihme nga askush përveç duarve të saj.

Gra si Linda, e cila punon sa dyfishi i të vëllait në biznesin e familjes, por paguhet sa gjysma e tij, sepse djali, në ngushtësinë e mendimit patriarkal, asht shtylla e shtëpisë, trashëgimtari qëndror, andaj meriton ma shumë.

Gra si Inesi që dirigjon një organizatë të njohur, udhëton shumë, jeton vetëm, fiton mjaftueshëm para sa të mos ketë nevojën e askujt, por që për tagrin publik karriera e saj asht fitu në këmbim të trupit të saj.

Gra si Luçiana, e cila prej 25 vitesh jeton me dy prindërit e bashkëshortit dhe nën ligjivënien e plotë të tynen përjashtohet nga vendimet familjare. Që nga emrat e fëmijëve e deri te blerjet ushqimore, Luçiana nuk ka zà me nxjerr.

Gra si Denisa, e cila pas lindjes së katër vajzave tenton kërkimin dëshpërues të djalit në një shtatzani të pestë dhe aborton me dashje sapo ekografia nuk ua përmbush pritshmëritë.

Gra si Jonida, dikur balerinë e një talenti premtues, e sot gruaja e një burri fanatik, xheloz e prepotent që e detyroi të hiqte dorë nga baleti, të vishte fundin nga gjuri e poshtë e të izolohej nga gjithkush në kullën e “artë” të vetmisë.

Gra si Ela, që nuk mundi të triumfonte karrierën si peshëngritëse, sepse i ati nuk donte vajzë me profesion burrash.

Gra si Gonxhja, e cila mbasi ka pastru gjithë ditën stallën e lopëve, e këput gjumi duke parë telenovelën e preferume, të vetmen aventurë të lejueshme nga realiteti.

Gra si Kristina, e cila ka 3 javë që nuk takon prindërit, me urdhën të të shoqit, mbas një debati të cekët të këtij të fundit me burrin e motrës së saj.

Gra si Fatimja, e deklarume e vdekun nga familjarët, pse u dashurua me një djalë të një feje tjetër.

Gra si Emanuela, që një pallat i tanë mezi pret ta fejojnë pas “turpit” të dështimit të fejesës së parë.

Gra si Nora, me shkollë, me profesion, me rrogë të mirë, me një burrë të pashëm që shihet me keqardhje dhe dyshim, kur pyetjes se kur do bahet nanë, i përgjigjet: Jemi mirë kështu siç jemi!

Gra si Drita, e urtë, e butë, e sjellshme, punëtore, shembullore, por “fatkeqësisht” e pabukur, e si e tillë e mëshirume kolektivisht.

Gra të palumtuna, të papërmbushuna, të paragjykume e të dhunume egërsisht. Gra me emën, po pa identitet.

Gra pamjaftueshmërisht të bukura, të mira, punëtore, nikoqire, pjellore… pamjaftueshmërisht të qeshuna, të dashtuna, të binduna… pamjaftueshmërisht bashkëshorte, nana, bija, nuse.

Gra të keqpagume, të keqtrajtume, të keqkuptume.

Për to, për nanën teme, për vedin… shkruej, luftoj, protestoj, qëndroj.
Festa mund të presin. Rruga drejt saj nuk shtrohet me lule!

Etiketa: ada halilajgraShqiperi

Të Lidhura

A Grandmother’s Secret Love and Her Hidden Legacy

A Grandmother’s Secret Love and Her Hidden Legacy

nga administrator
16:08 | 04/02/2025
0

The overgrown house caught my attention from the start. From my bedroom window, I could see its tall, unruly grass...

In Her Letter to Santa, My Daughter Asked for ‘The Same Heart-Shaped Earrings Dad Gave to My Nanny’ — I Went Pale

In Her Letter to Santa, My Daughter Asked for ‘The Same Heart-Shaped Earrings Dad Gave to My Nanny’ — I Went Pale

nga administrator
16:05 | 04/02/2025
0

“Dear Santa, please bring me the same heart-shaped earrings Dad gave to my nanny! Thank you!” I stared at the...

U thirr në SPAK dy ditë më parë, deputeti socialist Jurgis Çyrbja dorëzon mandatin

U thirr në SPAK dy ditë më parë, deputeti socialist Jurgis Çyrbja dorëzon mandatin

nga 27 ok
10:03 | 10/10/2024
0

Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e deputetit, dy ditë pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme....

Zbuloni çfarë kanë parashikuar yjet për datat 29 janar – 4 shkurt –

Horoskopi për sot, 26 Shkurt 2024 –

nga 27
07:33 | 26/02/2024
0

Dashi Dikush po përpiqet t’ju shpjegojë diçka, por duket sikur ai ose ajo po flet në një gjuhë tjetër. Leviz,...

Para
Rama i jep Maqedonisë një port në Shqipëri, Zaev:  Në Durrës do valëvitet flamuri maqedonas

Rama i jep Maqedonisë një port në Shqipëri, Zaev: Në Durrës do valëvitet flamuri maqedonas

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

 

                  Shkarkoni aplikacionin në celularin tuaj.

Të Fundit

Ç’do të ndodhë me hetimet?! SKY ECC nuk vlen më si provë

Ç’do të ndodhë me hetimet?! SKY ECC nuk vlen më si provë

15:59 | 03/12/2025
Samir Mane nën hetim nga SPAK: Biznesmeni, drejt arrestimit për pastrim parash?

Samir Mane nën hetim nga SPAK: Biznesmeni, drejt arrestimit për pastrim parash?

15:55 | 03/12/2025
Sapo ikën austriakët, Avni Ponari uli dëmshpërblimet e SIGAL për qytetarët e dëmtuar

Sapo ikën austriakët, Avni Ponari uli dëmshpërblimet e SIGAL për qytetarët e dëmtuar

12:47 | 04/08/2025
Kombëtarja e të rejave U20 mundet nga Serbia me 94 pikë diferencë! Këto janë talentet e shkollave 12 milionë euro të Fidel Yllit?

Kombëtarja e të rejave U20 mundet nga Serbia me 94 pikë diferencë! Këto janë talentet e shkollave 12 milionë euro të Fidel Yllit?

22:00 | 03/08/2025
“Dritëhijet e botës dixhitale – Një rrëfenjë nga e ardhmja”. Vodafone Albania lançon fushatën “Prindërimi dixhital”

“Dritëhijet e botës dixhitale – Një rrëfenjë nga e ardhmja”. Vodafone Albania lançon fushatën “Prindërimi dixhital”

16:07 | 26/06/2025

Më Të Lexuarat

  • Ç’do të ndodhë me hetimet?! SKY ECC nuk vlen më si provë
  • Samir Mane nën hetim nga SPAK: Biznesmeni, drejt arrestimit për pastrim parash?
  • Sapo ikën austriakët, Avni Ponari uli dëmshpërblimet e SIGAL për qytetarët e dëmtuar
  • Kombëtarja e të rejave U20 mundet nga Serbia me 94 pikë diferencë! Këto janë talentet e shkollave 12 milionë euro të Fidel Yllit?
  • “Dritëhijet e botës dixhitale – Një rrëfenjë nga e ardhmja”. Vodafone Albania lançon fushatën “Prindërimi dixhital”
  • Inaugurohet faza e dytë e projektit në mbështetje të fëmijëve jetimë në Shqipëri

© Copyright 27.al © 2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara

RRETH NESH

  • TV27
  • VIDEO
  • VEÇ E JONA
  • FOTO DITE

Kategorite Kryesore

SHQIPËRI

OPINION

KOSOVE – RAJONI

GOSSIP

ART KULTURE

SPORT

BOTA

EDITORI

  • Ç’do të ndodhë me hetimet?! SKY ECC nuk vlen më si provë
  • Samir Mane nën hetim nga SPAK: Biznesmeni, drejt arrestimit për pastrim parash?

© 2025 27.al Dev by Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Shqiperi
  • Opinion
  • Kosove Rajon
  • Gossip
  • Art Kulture
  • Sport
  • Bota

© 2025 27.al Dev by Techzero1.com