Nga Albin Kurti
Të dashur qytetarë,
E nderuara nëna Xhemile, axha Avni, Artë, Arsa, Albanë, prindër e bashkëshorte e vajzë e motër e Astritit,
Të nderuar Shaban Xheladini e Kadri Balaj, prindër të Arbenit e Monit,
Zonja e zotërinj, motra e vëllezër, shoqe dhe shokë të Astritit,
U bënë një vit, që duken sa një shekull. Pa Astritin. Një vit si një jetë e tërë. Pa Astritin. Astritin plot jetë. Astritin këtë patriot të vërtetë. Astritin aktivist punëtor. Astritin këtë student shembullor. Astritin qytetar shqiptar. Astritin këtë shqiptar qytetar. Astritin shok me ideale. Astritin këtë shok për ideale.
Nënën nga Presheva, babain nga Kumanova, Astriti punoi shumë në jetën e tij të shkurtër anembanë komunave të Kosovës e posaçërisht në kryeqytet e deri në Zvicër, e këtu në Prishtinë në drejtorinë e shëndetësisë, kudo që ishte gjithnjë për barazi e për drejtësi, për bashkim e për liri. Astriti nuk ishte thjesht vetëm aktivist i VETËVENDOSJE!-s, por edhe shtetas i Republikës, qytetar i kryeqytetit e student i mjekësisë.
Ne patëm nevojë për Astritin, që ai të ishte ende mes nesh. Patëm nevojë të kishim pranë Astritin e gjallë, shokun tonë të dashur. Patëm nevojë të kishim studentin brilant, që nesër do të bëhej një mjek cilësor, nga ata që gjithmonë e më pak po mbeten në Kosovë. Patëm nevojë për punën dhe përvojën e Astritit, që kurrë nuk u bë burokratike, por gjithnjë energjike dhe modeste – kudo që e caktonte Lëvizja, dhe, jo vetëm aty. I kryente detyrat, por ndihmonte edhe në plot punë të tjera të të tjerëve, si rrallëkush tjetër.
Astritin nuk na e mori sëmundja apo aksidenti. Astritin na e mori padrejtësia, të cilën ai e luftonte me gjithë qenien e tij, si çdo aktivist i njëmendtë që nuk i ndjek idetë në mënyrë të vagullt e abstrakte, por që i mishëron ato, që jeton sipas tyre, që lufton për to, ditë e natë, në aktivitet, në punë e në kohën e lirë, kudo.
Një vit më parë, Astriti u bë dëshmori më i ri i Kosovës dhe i shqiptarisë. Ndonjë cinik mund të pyesë “e ç’nevojë patëm edhe për një dëshmor ne shqiptarët?”. Dhe, pyetja qëndron. Njëmend, pas luftës çlirimtare, përse ka nevojë që në Kosovë të ketë sërish montime akuzash politike, përndjekje e dhunë policore, burgosje të padrejta, vrasje në burgje? A nuk e kërkuam lirinë pikërisht që të mos kishim më dëshmorë? A nuk e fituam lirinë të larë me gjakun e dlirë të dëshmorëve, pikërisht që të mos kishim më dëshmorë?
Astriti nuk ishte thjesht në burg, Astriti ishte i paraburgosur. Pra, as dënim, as aktakuzë. Është situatë tjetër atëherë kur vdes në burg një person i dënuar e në vuajtje të dënimit. Dhe, është diçka krejtësisht ndryshe atëherë kur vdes dikush në paraburgim. Sepse Astriti në paraburgim jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht e nominalisht ishte i pafajshëm.
Rënia dëshmor e Astritit tonë të dashur dëshmon dy momente të popullit tonë. Së pari, dëshmon se po sundohemi nga një kastë e dhunshme kriminelësh, që e kanë uzurpuar lirinë. Ata vjedhin dhe shesin pasuritë e Kosovës. Ata shkatërrojnë shkollën dhe kulturën kombëtare. Ata punojnë me gazetarë e opinionistë servilë e mashtrues për të ngritur shpifje të përbindshme kundër të rinjve e të rejave idealistë e aktivistë. Ata e kanë braktisur kombin për t’u bërë mafiozë milionerë. Ata e kanë kapur policinë, hetuesinë, prokurorinë e gjykatën. Ata janë pushteti dhe krimi. Krimi në burg dhe jashtë tij. Ata po e shtypin shoqërinë tonë, ata po e shfrytëzojnë popullin tonë, ata janë të gjithë fajtorë për mbytjen e Astritit në burg! Kryepolici i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, pati thënë i pari që Astriti ka vdekur nga doza e tepërt e medikamenteve. 68 ditë në burg Astriti nuk u mor në pyetje fare. Prokuroria nuk e merrte në dorë Astritin, ia linte disi policisë. Prandaj, edhe Nexhmi Krasniqi është i pari i cili flet dhe jo vetëm që flet, por gënjen. Flet për medikamente të paqena, për teprime në medikamente të paqena. Në Burgun e Prizrenit, në qelinë A3, ka vdekur një i pafajshëm para një viti. Nuk ka vdekur me medikamente të tepruara: ekspertiza ligjore ka konstatuar që për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalur pozitiv. 11 lloje të drogave, kurrfarë medikamenti, trup i shëndoshë plotësisht në aspektin psikik e fizik! Raporti i Autopsisë thotë se shkaku i vdekjes është asfiksia mekanike, pra bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë, një shishe e plastikës. Kryeprokurori i Gjykatës Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, asokohe pat konstatuar se Astriti është vetëvrarë ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Veseli, pati thënë që “po e vrani veten”, disa ditë para se të mbytet Astriti: “Kujdes, se po e vrani veten!” Ky duhet të tregojë se për çka e kishte fjalën!
Drejtësia dihet që i nxjerr jashtë shoqërisë kriminelët dhe i fut brenda në burg, mirëpo, në Kosovë, drejtësia dhe sistemi prej burgut tek gjyqësia, prej Qeverisë tek prokuroria e policia janë bërë vetë ato vende të krimit. Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq me 5 nëntor. Atë ditë, pra me 5 nëntor të vitit 2016, Astriti ngelet katër minuta në qelinë A3 të burgut të Prizrenit pasi që e gjejnë të shtrirë aty. Për katër minuta njeriu vdes katër herë! Me 3 prill të këtij viti, vdiq në rrethana shumë të dyshimta në burg, Naser Makolli, i burgosuri që kishte qenë në po atë qeli me Astritin! Nuk është e rastësishme që e pengojnë me kaq shumë zell çfarëdo hetimi të pavarur ndërkombëtar.
Astriti këtë realitet të shtetit kriminalisht të kapur e zbuloi lakuriq, që të mund ta shohin edhe sytë e atyre që nuk pranojnë të shohin. Dëshmia e këtij realiteti, pas rënies dëshmor të Astritit, është e pakundërshtueshme. Duke ndriçuar për neve, këtu, ai është me neve, këtu, si askush tjetër dhe si asnjëri prej nesh. Rënia jote Astrit, është si tretja e qiririt në poezinë e Naimit. Ti re që të na bësh dritë e të shohim, njëri-tjetrin të njohim. Dhe tash, me dritën që bëre ti, të gjithë po mund të shohim e të njohim se kush është mik e kush armik, kush kombëtar e kush tradhtar, kush i ndershëm e kush hajn e vrasës, kush i sinqertë e kush mashtrues.
Së dyti, Astrit, rënia jote dëshmon se populli ynë, është ende në lëvizje dhe se nuk është dorëzuar. Kosova nuk është nënshtruar as prej sundimtarësh shumë të ashpër të vendeve pushtuese, e sigurisht nuk do të nënshtrohet as nga kjo kastë hajnash e vrasësish. Një autor që e kishe shumë për qejf ti Astrit, sikurse edhe Arbënori, dramaturgu gjerman Bertold Breht, thoshte për Xhordano Brunon: “I lumtur është vendi që e ka dhënë një trim të tillë! I lumtur është populli të cilit i nevojitet një trim i tillë!” Lum Kosova që të ka dhënë Astrit. Por, lum edhe shqiptaria së cilës iu nevojite, me punën e përkushtimin tënd, me dijen e me guximin tënd. Ti je frymëzimi i mosnënshtrimit Astrit. Ti je drita që ia tregon rrugën Lëvizjes, sado e errët të jetë nata e politikës ku jemi të detyruar të udhëtojmë.
Astrit, nëse ka ndonjë model të militantit të një subjekti, ai ishe ti. Fjalën militant partitë e tjera e kanë shndërruar në fjalë të turpshme, pasi sipas tyre militant është ai që bën gjithçka për pagesë e për poste. Por të tillët janë veç skllevër të objekteve që dëshirojnë, ata nuk mund të militojnë përveçse si mercenarë. Ndërsa militanti i një subjekti është militanti i së vërtetës, i së drejtës, i së bukurës, i cili nuk i dorëzohet kurrë indiferencës. Ky ishe ti Astrit.
Sot, këtu, janë gjithë shoqet e shokët e tu Astrit. Është këtu e gjithë familja jote. Janë aktivistët e mbështetësit tanë nga e gjithë Kosova, por edhe nga Shqipëria, nga trojet tona në Maqedoni e në Mal të Zi e nga Kosova lindore, dhe ka shumë edhe prej diasporës. Nuk jemi mbledhur këtu për të vajtuar Astrit. Jemi mbledhur për t’u betuar para teje se kurrë nuk do të ndalemi. Ideali yt kombëtar dhe aktivizmi yt shoqëror kurrë nuk do të shndërrohen në tema për kompromis. Rruga jote nuk do të mbetet përgjysmë. Qëllimet e tua nuk do të lihen për një të ardhme të papërcaktuar. E ndaj vrasësve të tu, nuk do të hakmerremi, sepse e dimë që as ti kurrë nuk e ke dashur hakmarrjen. Por, drejtësia do të vihet në vend, pa kompromis, për ata që e kryen këtë akt të represionit të rëndë politik, që rezultoi në krim ndaj teje e ndaj nesh, ndaj lirisë dhe republikës. Drejtësi do të ketë edhe për ata që gënjejnë e që nuk lejojnë hetimet e pavarura dhe transparente.
Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera u japim afat deri më 5 shkurt të vitit të ardhshëm 2018 që të nisin, pasi të lejojnë, hetimin e pavarur ndërkombëtare për vdekjen e Astrit Deharit dhe njëkohësisht të shkarkohen zyrtarët që ishin përgjegjës e të cilët do ta pengonin një hetim të tillë ndërkombëtar: Dhurata Hoxha, Shpend Maxhuni, Nexhmi Krasniqi, Fatos Makollit, Sylë Hoxha, Metush Biraj dhe Abdurrahim Islami.
Vetëvendosja po rritet Astrit. Rruga jonë drejt vendosjes së drejtësisë për ty, për secilin qytetar, për shoqërinë e për mbarë një popull, është edhe e drejtë edhe e pandalshme. Nuk na ndalin dot makinacionet, manipulimet e as dhuna. Energjia e vullneti ynë janë më të forta se kurrë. Ashtu sikurse që nuk na kanë ndalur humbjet nuk na ndalin as fitoret, ashtu sikurse nuk na ndalën dështimet nuk do të na ndalin as sukseset.
Të nderuar pjesëmarrës,
Shumë patëm nevojë për Astritin, por ai sot nuk është më fizikisht mes nesh, këtu, në shesh. E, në këtë shesh, Astriti vinte në protestë të Lëvizjes nga biblioteka ku mësonte. Porsi ne sot në këtë marsh. E, në këtë shesh Astriti vinte në ditë vere e dimri, në ditë pune e pushimi. Sikurse ne sot. Pra, nuk po e bënte Astriti rrugën tonë. Ne sot bëmë rrugën e Astritit: nga vendi i librit te vendi i republikës, nga biblioteka e dijes te sheshi i protestës. Këtë rrugë të Astritit që e bëmë sot, do ta bëjmë përjetë e mot.
Astriti nuk është atje te varri, por Astriti është këtu në Shesh. Astriti nuk është atje te varri por Astriti është kudo që ndodh lëvizja.
Unë jam Astriti. Ne jemi Astrita.
Astrit është ylli ynë që nuk shuhet kurrë.
Lavdi Astrit Deharit dhe gjithë dëshmorëve e veprimtarëve të çështjeve kombëtare e shoqërore!
https://www.facebook.com/albini2017/videos/294045567762001/