Raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit i dorëzuar së fundmi në kuvend tregon se numri i të punësuarve në kompanitë e ujësjellësave është së paku dy herë më shumë se sa nevojat reale për punëtorë ndërsa 67 për qind e të gjithë ujit të hedhur në rrjet “nuk gjeneron të ardhura”
Nga: Gjergj Erebara
Një pjesë e treguesve të performancës së sektorit të furnizimit me ujë dhe shërbimit të heqjes së ujërave të zeza në Shqipëri pësoi përkeqësim gjatë vitit 2015, ndërsa numri i të punësuave në këtë sektor duket se pësoi rritje pavarësisht se sakaq, ujësjellësit kanë mbi dy herë më shumë të punësuar se sa nevojitet.
Raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit, i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë pak ditë më parë, tregon se nga nëntë indikatorë kryesorë të matjes së performancës së sektorit, gjashtë nuk kanë shënuar as përmirësim dhe as përkeqësim, dy indikatorë kanë treguar përkeqësim dhe vetëm një indikator ka shënuar përmirësim. Rënie të konsiderueshme ka shënuar treguesi i mbulimit të shpenzimeve operative me të ardhura si dhe treguesi i numrit të punonjësve për mijë lidhje.
“Nivelet e treguesve kryesorë të performancës tregojnë se në vitin 2015 sektori nuk ka pasur ndryshime pozitive të dukshme. Krahasuar me një vit më parë, gjashtë nga këta tregues, mbulimi me ujë, mbulimi me kanalizime, uji pa të ardhura, kohëzgjatja e furnizimit me ujë, efiçenca e stafit dhe norma e arkëtimit nuk kanë ndryshuar,” thotë ERRU në raportin e saj.
Enti Rregullator i Ujit është institucioni që ligjërisht ka për detyrë të mbikëqyrë këtë sektor të përcaktojë tarifat dhe të mbrojë konsumatorët.
Shkaqet e përkeqësimit gjatë vitit 2015, sipas ERRU lidhen shumë me ndryshimet politike të shkaktuara nga zgjedhjet për pushtetin vendor, kohë gjatë së cilës, punonjësit dhe drejtuesit nuk duken shumë të shqetësuar për kriteret e performancës. Ligjërisht, kompanitë që ofrojnë shërbimet e ujit dhe kanalizimeve janë të organizuara në shoqëri aksionere, të cilat janë nën pronësi të një ose disa njësive të pushtetit vendor. Drejtuesit e tyre teorikisht duhet të jenë menaxherë profesionistë, por praktikisht janë persona politikë të njërit apo tjetrit krah politik.
“Eksperienca ka treguar se në periudhat zgjedhore, siç ishte edhe viti 2015, ndryshimet në situatën politike ndikojnë edhe menaxhimin e shërbimeve ujësjellës kanalizime. Drejtuesit e shoqërive UK ulin përpjekjet për të mbajtur nën kontroll nivelin e shpenzimeve dhe për të rritur të ardhurat,” thuhet në raportin e ERRU. (Kliko këtu për të parë raportin e ERRU dorëzuar në Kuvend).
Sipas raportimeve të ndërmarrjeve të ujësjellësave te ERRU, aktualisht këto ndërmarrje kanë rreth 5500 të punësuar të drejtpërdrejtë. Me afro 9 të punësuar për çdo një mijë kontrata furnizimi me ujë, ujësjellësit rezultojnë në pjesën dërrmuese të rasteve të mbingarkuar me punonjës.
Ujësjellës Kanalizime Tiranë është ndërmarrja që ka numrin më të lartë të të punësuarve në vend me rreth 1300 punonjës, të cilët u shërbejnë 182 mijë klientëve, afërsisht 7 punonjës për mijë lidhje. Durres UK Sh.A është e dyta me rreth 600 punonjës për 53 mijë lidhje, afërsisht 11 punonjës për mijë lidhje. Në anën tjetër, Korça ka rreth 100 punonjës të cilët i shërbejnë 20 mijë konsumatorëve me një mesatare prej 5 punonjësish për mijë lidhje.
Pagat për të punësuarit konsumojnë aktualisht mbi një të tretën e të gjitha shpenzimeve të sektorit të ujit dhe kanalizimeve në Shqipëri dhe ERRU thotë se ky fakt sugjeron se rritja e eficencës së punës mund të çlirojë fonde të nevojshme për investime.
“Duke qënë se kostoja e personelit për momentin zë një përqindje të madhe të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes të shoqërive ujësjellës kanalizime, treguesi i efiçencës së stafit është një tregues i vlefshëm për të kuptuar potencialin që duhet shfrytëzuar për rritjen e efiçencës në punë”, thuhet në raport.
ERRU rekomandon se 4 deri në 5 të punësuar për mijë lidhje duhet të mjaftojnë për të garantuar funksionimin normal të ndërmarrjeve të ujësjellësave. Për këtë arsye, rreth gjysma e të punësuarve aktualë në këtë sektor rezultojnë të tepërt dhe teorikisht do të duhet të shkurtohen. Shkurtimi i punonjësve të tepërt mund të sjellë rritjen e fondeve në dispozicion të investimeve në ato zona ku furnizimi nuk është i rregullt.
Ujësjellësat si dhe shumë ndërmarrje të tjera shtetërore përdoren shpesh si vend ku mund të punësohen njerëz në këmbim të votave dhe palët politike kanë akuzuar njëra-tjetrën për përdorimin e politikës së vendeve të punës në këmbim të votave.
Sipas raportit, shqiptarët furnizohen në shkallë kombëtare me mesatarisht vetëm 12 orë ujë në ditë dhe gjatë vitit 2015 në këtë drejtim nuk ka pasur përmirësime. Vetëm tre ujësjellësa, Korça, Pogradeci dhe Librazhdi garantojnë furnizim të rregullt 24 orësh ndërsa në disa zona, furnizimi zgjat vetëm katër orë në ditë.
Aktualisht, 20 për qind e popullsisë në Shqipëri nuk ka fare furnizim me ujë nga rrjetet e ujësjellësave ndërsa rrjetet e kanalizimeve të ujërave të zeza mbulojnë vetëm gjysmën e popullsisë.
Në total, 67 për qind e ujit të hedhur në rrjet humbet, ndërsa vetëm 33 për qind krijon të ardhura.
BIRN