Bashkëshortja e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski, Borkica Gruevska ka paraqitur kërkesë për divorc në Gjykatën Themelore Civile në Shkup.
Njoftimi gjyqësor është publikuar publikisht në numrin e djeshëm të Gazetës Zyrtare, sepse nuk ka asnjë mënyrë kontakti me Gruevski-n dhe nuk ka rrugë tjetër për ta informuar.
“Para Gjykatës Themelore Civile në Shkup, padinë e ka parashtruar paditësi Borkica Gruevska nga Shkupi, kundër të paditurit Nikolla Gruevski nga Shkupi, me adresë të panjohur, për shkurorëzim, me vlerë të kontestit 20.000 denarë”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuese e përkohshme e Gruevskit është emëruar avokatja nga Shkupi, Gabriela Jaksevski. Kujtojmë se Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski me nëntë vite burg për shpërdorim të detyrës dhe të autoritetit zyrtar, në vitin 2011 dhe 2012.
Gruevski së bashku me disa ish-zyrtarë maqedonas janë dënuar për rastin e njohur si “Kosmos”, rrënimin e një objekti të një biznesmeni që kundërshtonte politikën e partisë asokohe në pushtet VMRO-DPMNE, që drejtohej nga Nikolla Gruevski. Nga trupi gjykues, vepra e kryer është vlerësuar si e motivuar për hakmarrje politike.
Hetimi kundër Gruevskit dhe zyrtarëve tjerë ishin nisur nga afera e përgjimeve që ishte publikuar në vitin 2013 nga Zoran Zaev, ish-kryetari i Lidhjes Social Demokrate, e cila në atë kohë ishte në opozitë. Aktualisht ish-kryeministri ndodhet në Hungari ku ka fituar edhe azil politik.