Nga Përparim Demi
Para dy vjetesh shkrova për çështjet e demokracisë, parë përmes lupës së kohës. Sot, e rilexova dhe m’u duk krejt aktuale. Partia mazhoritare PSD kaloi këto ditë një ligj, ku zhdukej përfundimisht pavarësia e drejtësisë nga politika. Meriton të lexohet edhe një herë ky shkrim analitik:
Edhe pa u zgjatur shumë, prapë është e vështirë ta përshkruash me dy fjalë këtë periudhë të gjatë që s’po mbaron. Do mundohem ta përmbledh.
Sistemi
Gjatë një legjistrature fuqia, pushteti koncentrohet në një dorë, e cila përfaqëson një parti, ose më mirë të themi interesin e një grupi në krye të një partie apo të një koalicioni partish. Kështu pas ҫdo periudhe zgjedhjesh, premtimet e bëra para popullit reduktohen ose harohen dhe zbatohet një politikë tjetër, e cila nuk ka qënë shpallur gjatë fushatës, por të cilën liderit politik e premtonin në biseda private financuesave të tyre. Kuptohet se interesat e politikës sunduese nuk përputhen fare me atë të qytetarëve të thjeshtë, bile shpesh ndodhen në anën e kundërt.
Ky fenomen është përsëritur në të gjitha zgjedhjet e bëra në vendet e ish kampit socialist gjatë periudhës mbas rënies së murrit të Berlinit e deri më sot. Në fakt nuk është një gjë e re, pasi në një periudhë më të hershme (interbelike) dhe në vendet perëndimore ka ndodhur po ky proces, i cili solli vendosjen e diktaturave komuniste dhe më tej atë fashiste. Atëherë propaganda ose retorika politike shpalli demokracinë si objektivin e saj, për të fshehur vendosjen e diktaturave. Aplikimi i dhunës në emër të demokracisë u ofrua si i vetmi instrument zhvillimi, vendimet e strukturave shpalleshin në emër të popullit për ta bërë atë formalisht bashkëfajtor të krimeve. Megjithatë këto diktatura politike dështuan, por ja që sot po asistojmë në përgatitjen e terrenit për vendosjen e një regjimi tjetër botëror, atë të diktaturave financiare. Në vendet e lindjes oligarkët post-komunistë rikthehen në politikë duke adoptuar sloganet perëndimore. Në disa vende ja kanë dalë mbanë, në disa të tjera akoma jo plotësisht dhe vetëm në pak vende ju është prerë rruga, ndoshta jo përgjithmonë.
Sot flitet për shtetin e së drejtës, ku drejtësia duhet të jetë e pavarur nga politika.
A është kjo shprehje një utopi e shekullit 21?
E drejta, e parë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë merr ngjyra dhe forma të ndryshme. E drejta për tu pasuruar individi ra ndesh me të drejtën e ndarjes së fitimit shoqëror, me të drejtën e shërbimeve të detyrueshme që duhet të përfitojnë qytetarët me të drejta të barabarta. Shpesh ligjvënësit ndjehen mbi ligjin dhe kur s’gjejnë rrugëdalje tjetër, e deformojnë, e ngatërrojnë, i komplikojnë aq shumë ligjet sa bëhen absurde dhe të pa aplikueshme dhe të padrejta. Legjislacioni u ndërtua si labirinti ku vetëm avokatët e shkathët ja gjejnë daljen. Avokati i popullit, i cili duhet të vigjilojë për respektimin ligjor të së drejtës, është transformuar në asistent qeveritar për ta justifikuar dhe për ti mbajtur ison dhe për të shuar revoltat. Gjykatën kushtetuese e transformuan në një bisht të zgjatur të pushtetit, kurse presidentit i dhanë rolin e aktorit që reciton në raste solemne.
Apo kjo është vetëm një maskë që fsheh fytyrën e vërtet të globalizmit?
Ҫfarë lidhje ka globalizmi me shtetin e së drejtës, për të cilën flitet gjithandej dhe u vihet si kusht sheteteve kandidate për integrimin në BE. Aktualisht kjo përmblidhet vetëm në një fjalë –Reforma !, të cilës i referohen të gjitha organizmat ndërkombëtare për vlerësimin e vendeve të lindjes apo qeverive të tyre kalimtare. Baronët lokal, ish nomenklatura e rangut të dytë ose të tretë komuniste, të mbështetur në rrjetin informativ, duke ngritur strukturat e korruptuara shtetërore, arritën të përvetësojnë pasuritë dhe ekonominë e vendit të tyre. Ato në bashkëpunim me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe rrjetin bankar hermetik të pangopur, krijuan sistemin e shpëlarjes së parave të zeza në vendet e tyre. Meqë u fuqizuan shumë, aq sa filluan të konkurrojnë miliarderët fisnik të perëndimit, kupola e vjetër filloi operacionin e higjienizimit apo sterilizimit që u emërtua “REFORMA”.
Kjo kishte dy objektiva:
– eliminimin e konkurrencës financiare në nivelin global dhe
– reduktimin e sovranitetit vendor në kuadrin e integrimit.
Objektivi final është KONTROLLI i plot ekonomiko-financiar dhe politik.
Ja ku arritëm tek teoria e konspiracionit që zgjon kureshtjen e gjithkujt, e cila ushqehet nga masmedia e profiluar në manipulimin e sofistikuar, e organizuar dhe e financuar qoftë dhe nga lindja perëndimore, apo rilindja botërore, rajonale dhe vendore. Shoqërisë civile i erdhi zëri dhe këndoi me partiturat e dhuruara me gjithë zëmër nga Soros. “Sekretet” e kupolës i shiten publikut në mënyrë të dozuar, gradual dhe të diversifikuar. Personazhet si Rotshild, Masoneria, Klubi Bilderberg etj., akuzohen nga autorë librash dhe analistë të pasionuar, për eksperimente sociale të nivelit kontinental dhe botëror, ku vendeve të vogla nuk u jepet asnjë shans për mbijetesë jashtë skemave të planifikuara paraprakisht.
Histori e shkurtër.
Kthehemi tek Muri i Berlinit, ku thanë se lufta e ftohtë u shua. Si kështu ? armiqtë u bënë miq dhe filluan të bashkëpunojnë. Të bashkëpunojnë për ҫfarë ? – sigurisht për vendosjen e paqes dhe luftën kundër terrorizmit. Pra, në këto kushte “terroristët” e stërvitur nga CIA apo KGB-ja gjatë luftës së ftohtë s’kanë më asnjë shans – kujtuam të gjithë. Thamë se puna mbaroi, por ja që lufta vazhdon, dikush vazhdon t”i hedhi dru zjarrit.
Sot Rusi e prishi marrëveshjen dhe i ftohti filloi të fryjë prapë nga lindja. Hesapet s’paskan qënë në regull, haj ti shohim edhe një herë – thotë Putin. Sipas tij Gorbaҫovi gaboi, lëshoi shumë pe ose i doli doret situata plakut. Tani jemi ne – vazhdon ai – nuk bënë kështu, prandaj po e rivendosim vet ekuilibrin nga e para. Ju merrni Ҫekinë, Poloninë etj., Ballkanin e kemi ne. Aty ndërhyn gjermani – prit mos të nxitohemi, ta marrim shtruar. Allishverishi vazhdon. Jemi në krizë të plotë, Gjeorgjia, Ukraina sipas tij e luajtën bishtin prandaj e kanë me hak tu hiqet veshi. Hungaria, Sërbia me Bullgarinë po rrinë si në gjëmba, hall kanë, s’dinë nga tja mbajnë. Rumanisë i vjen radha më vonë, me të vegjëlit s’ka problem, diskutojnë.
Tërheqja e litarit po hyn në një faze të re. Po u lodhën lojtarët puna do mbaroj shpejt, përndryshe do ketë pjesë dhe për brezat e ardhshëm të plotësojnë ekipet.
Reforma
Skema ishte e thjeshtë, u rekomandua të falimentojmë industrinë dhe bujqësinë jo kompetitive, ti privatizojmë ato për dy pare, pjesët interesante tua shesim shumëkombësheve, të cilat kanë eksperiencë në shfrytëzimin e burimeve. Investitorët erdhën me veglat e tyre të punës dhe mbajtën në vend pagat e ulta që të mos rritej inflacioni. Papunësia u zgjidh duke i hapur deriçkën mbrapa krahut të lirë të punës, që të kontribuojë për buxhetin e mbingarkuar perëndimor. Tregu u pushtua nga hipermarketët gjigantë, të cilët mbushën tregun dhe krijuan kushtet për transformimin e popullatës në konsumator dependent. Kontrollin financiar e morën në dorë bankat perëndimore, kurse qeveritë u krijuan lehtësitë, s’u kërkuan shumë hesap. Reforma në energjetikë – domethënë tua lësh perëndimorëve të na e shesin energjinë tonë. Reforma administrative – shteti atrofizohet dhe vendi të ndahet në copëza rajonale më lehtë të kontrollueshme. Kështu decentralizohet vendimmarrja dhe pengohet riardhja e diktatorëve të çmendur. Reforma e edukimit – copy-paste i sistemit shumëngjyrësh mozaik që prodhon menaxherët e papunë, lidershipat e uritur, avokatët llafazan, përkthyes dhe shumë vullnetarë të gatshëm për implementimin e programeve integruese. Reforma në shëndetësi – prodhoi mjek dhe asistentë për të mbushur me personel spitalet perëndimore. Kështu lindja e varfër financoi dhe kontribuoi për ruajtjen e standardit “high level” në shërbimin shëndetësor perëndimor. Shumëkombëshet farmaceutike afruan shpejt ndihmat e tyre për zëvendësimin e ilaçeve autoktone me kutit shumë ngjyrëshe të tyre që mbanin emra të rëndë që mbushën ekranet televizive. Si përfundim kontrolli i ekonomisë dhe i fitimit u transferua gradualisht në perëndim, duke lënë në vend një fond minimal për mbijetesë. Kjo ishte taksa e hyrjes. Pa hyrë në detaje të tjera, ky proces zgjati 20 vjet. Kuptohet nuk ishte një vijë e drejtë, por dallgë-dallgë. Pati një mirëkuptim të madh fillimisht dhe shumë entuziazëm, të gjithë donin të bëheshin si Europa – kjo ishte karota. Nuk duhet të harrojmë kreditë që erdhën pas falimentimit të ekonomisë, ishin me fajde mjaft të arsyeshme, të cilat sot hanë pjesën e majme të taksave, shumë miliarda, sa t’ia ulin kurrizin edhe më të fortit. Qeveritë vëndase rritën taksat dhe më pak rrogat, buxheti rritej paralel me çmimet dhe fuqia blerëse zbriti, inflacioni kontrollohet nga jashtë tani. Tuneli u zgjat dhe karota u zvogëlua, por tash është vonë se rruga pa kthim u bë. Tatëpjeta mbaroi dhe filloi e përpjeta, kjo qenka dhe më keq. Prodhimi i madh, eksporti u rrit, po fitimi ku shkoi? – pyet mileti. Perspektiva na buzëqesh.
Ashtu si gjella do krip dhe erëza, dhe reforma nuk është sade. Të drejtat e njeriut, të gruas, e homoseksualëve, e kalamajve dhe e minoriteteve, mjedisi, media dhe drejtësia e “pavarur”, demilitarizimi, edukimi, liria e besimit,….,e deri tek zgjedhjet e lira. Kisha dhe xhamia, si kërpudhat pas shiut u shtuan, prosperiteti fetar i ngritur mbi ndihmat “zemërgjera” dhe na ndihmoi shumë të zgjedhim qeveritë që deshën. Të gjitha të mira dhe të bukura, për së mbari, veҫ pak avash dhe jo komplet. Erdhën këshilltarët dhe s’ishin pak, apo se kishin barkun e madh. Ndihmë madhe s’ke ҫu thua. Ku u gjetën gjithë ata?
Nuk e di si shkoi reforma në vendet e tjera, por në Rumani u bënë ca punë. Kuptohet me copa dhe vende vende. Sa e kishte e majta fuqinë u shtuan vilat e baronëve. Filloi të publikohej lista e 300 milionerëve dhe miliarderëve më të mëdhenj, të cilët thithën parat publike për vite me radhë. Më në fund u bëmë dhe ne si gjithë bota, krijuam oligarkët dhe mogulët tanë dhe shoqëria u nda më dysh. Dhjet vitet e fundit Presidenti i djathtë e ndau mendjen me perëndimin, por qeveria prapë u bë e majtë dhe se kishte me gjithmend, sa në Bruksel e në Pekin. Luftë e madhe në televizor, thua se u vranë.
Korrupsioni
Ky u kthye në fenomen gjithëpërfshirës, “Shih rushi rushin dhe piqet”. Duhej ndarë “bakllavaja e mbetur” – pasuria e ngritur për gjysmë shekulli. Pjesën e luanit e patën “djemtë e shkathët”, ata që patën ҫelsat në dorë, thërrimet i mblodhën të tjerët, ndërsa populli lëpiu tavën. Lufta kundër këtij fenomeni filloi menjëherë, gjykatësit e zellshëm dënuan hajdutët e pulave, se ata që vodhën thesarin nuk dukeshin, ishin pa emër dhe pa adres. Populli shihte vilat, hotelet, restorantet luksoze që ngriheshin dhe kujtonte se aty shkonte ajo që i takonte dhe atij. Askush s’u tha se ajo ishte maja e ajsbergut, pasi 99 % doli jashtë territorit në forma të ndryshme. Më në fund pas 20 vjetësh, me insistimin e kupolës perëndimore, në Rumani ranë dhe po bien ca koka dhe qafa të trasha – thonë se ky është fillimi i vërtetë. Në Shqipëri akoma s’ka filluar. Bëni durim se do u vijë radha. Këto ditë në Rumani, në presidencialet fitoi thellë zgjedhjet Klaus Johannis, një njëri i thjesht i etnisë gjermane. U gëzua populli, fërkoi duart perëndimi, ndoshta ky do jetë shansi i këtij vendi. Rëndësi ka që humbi e majta dhe nuk i morri të gjitha frenat në një dorë. Ky premtoi se hemorragjia e baronëve do vazhdojë dhe shteti i së drejtës do bëhet realitet. Jam pak skeptik , por ku i dihet! Të shpresojmë.
Kaluam ditë të nxehta në Bukuresht. Baronët prisnin amnistinë e përgatitur, të nxirrnin Asat e vet nga burgu, kokat e rëna, të sakrifikuara, që do i garantonin imunitetin. Një ditë, e paharruar do bëhet kjo datë (16 Nëntori), kur tullumbacja e majtë u shpua, populli u dha votën negative. Si gjithmonë, kur ra tërmeti, minjtë vrapuan të parët të gjejnë vrimat që të fshihen, armiqtë u bën prapë miq dhe përgatiten për ballon festive. Të lehurat pushuan, kuptohet për pak kohë.
Hija pansllaviste që zgjatej kërcënueshëm drejt Ballkanit u ndërpre prapë dhe gjermani e fitoi edhe këtë raund. Ҫ’ekuilibri u ekuilibrua njëfarësoj, tani shtabet korrigjojnë planet dhe vënë piketat e reja. Po vjen dimri dhe i ftohti bashkë me të. Të mbash fjalën sot është bërë gjë e vështirë, as të mëdhenj se kanë më këtë luks. Një miku im u gëzua, më në fund iu dha kredia dhe hyri në shtëpi të re, të nesërmen mbeti pa punë. Frika, pasiguria sjell panikun, sociologët bëjnë sondazhet të pafund, të radhës, meteorologët buzëqeshin të zënë në gabim, por ja që moti është bërë kapriҫioz. Ndoshta pasi të hedhim dhe ca satelitë të tjerë të na përgjojnë, do marrim vesh me afërsi se kur do dali dielli të na ngrohë.
Ne brezi i humbur duhet të sforcohemi të ruajmë optimizmin e fillimit dhe jo për ne, por për brezat e rinj të hallakatur. Si tja bëjmë të jemi me një mëndje të bashkuar, kur era fryn nga të gjitha anët dhe s’di nga të kthehesh që mos ta kesh përball. Lufta e ftohtë s’ka mbaruar, këtë e sheh dhe qorri, por e nxehta do jetë edhe më keq. Ne, të shurdhuar nga retorika lokale, e kemi të vështirë ti shohim gjërat që duken nga maja e Brukselit. Kurse globalizmin botëror, që ndodhet mbi retë europiane, nuk e shohim fare, prandaj po e mbyll këtu, pasi dhe me kaq më duket shumë, aq sa s’na e kap syri ynë i vogël dhe as që e dëgjojmë dot me veshët tona të mbushura me dyllë. Për të kuptuar as që bëhet fjalë.
Bukuresht, 23.11.2014