Qytetarët dhe bizneset duhet të kursejnë energjinë elektrike dhe të gjejnë alternativa për ngrohje gjatë dimrit, me qëllim që të minimizohet nevoja për reduktimet e energjisë elektrike, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Gjatë një konference për media më 20 shtator, pas vizitës në Termocentralin Kosova B, Rizvanolli tha se stina e dimrit do të jetë e vështirë sa i përket furnizimit me energji, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë Evropën.
Rizvanolli tha se edhe shtetet më të zhvilluara sikurse Gjermania dhe Zvicra po përgatiten për reduktime të energjisë gjatë dimrit, për shkak të krizës energjetike, që sipas saj është rënduar nga ndërprerjet e furnizimeve me energji ruse për Evropën, pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Sigurisht, shpresojmë që masat që do t’i ndërmarrë Komisioni Evropian do të ndikojnë në zbutjen e krizës në Evropë, që do të ndikojë edhe te ne. Tani për tani është vështirë të thuhet. Çfarë dihet sigurt në rastin tonë është se ne edhe në rastin më të mirë të kapaciteteve tona gjeneruese dallim është deri në 500 megavat, pra dallim në mes të prodhimit dhe kërkesës, që cila duhet të importohet”, tha Rizvanolli.
Duke u bërë thirrje qytetarëve që të gjejnë forma alternative për ngrohje, Rizvanolli bëri të ditur se në mbledhjen e Qeverisë që mbahet më 20 shtator do të merret vendimi për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera djegëse me bazë druri, duke shtuar se ka mungesë të peletit në tregun e Kosovës.
Përveç se ka mungesë të peletit në tregun e Kosovës, çmimi i kësaj lënde djegëse është rritur po ashtu. Më 2021, një ton pelet kushtonte rreth 200 euro, ndërkaq sivjet ai po shitet për 450 euro.
“Është në dorën e secilit prej nesh që të bëjmë diçka për këtë, ne si institucione jemi duke e bërë maksimumin. Nëse ne të gjithë e bëjmë maksimumin, nëse jo rasti më i mirë i furnizimit të rregullt, atëherë sigurisht që nevoja për reduktime do të minimizohet”, tha Rizvanolli.
Kur u pyet nëse reduktimet e energjisë do të jenë të pashmangshme gjatë dimrit, ministrja Rizvanolli tha se shoqëria kosovare duhet të diskutojë se sa është e gatshme të paguajë për importin e energjisë, teksa përmendi se së fundmi, shtetet e rajonit po blejnë 1 megavat energji për 1.000 euro.
“Në bazë të çmimeve të tregut që kemi parë deri në javën e kaluar, do të jetë shumë vështirë për ne dhe mendoj që ne si shoqëri duhet të kemi një diskutim për këtë çështje: cili është çmimi i energjisë që ne jemi të gatshëm të paguajmë si shoqëri? Sepse nëse nuk e paguan konsumatori në faturë, do ta paguajë taksapaguesi përmes buxhetit të shtetit”, tha ajo.
Rizvanolli tha se edhe dimri i vitit 2021 ishte i vështirë. Atëbotë, Kosova u përball me reduktime dhe Qeveria tha se çmimet e importit të rrymës ishin të shtrenjta.
Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, Kosova më 2021 ka importuar 1.311.461 megavat rrymë. Çmimi mesatar i importit të rrymës me kontrata komerciale gjatë vitit 2021 ka qenë 119.29 euro për megavat.
Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë./REL