Nga Arian Leka
Nuk dua që ta ndërpresësh pa e filluar leximin. Aq më pak të pandehësh se dashkam të të them diçka poetike, si zakonisht. Po të them se i besoj prej kohësh vargu të Sting-ut, i cilit ngulmon të na thotë se dhuna nuk është zgjidhje, se asgjë nuk vjen nga dhuna dhe asgjë e mirë nuk mund të vijë kurrë prej saj.
Po ja që ashtu nisi. Në mënyrë të dhunshme. – Teatri do të shembet! Shoqëruar me pikëçuditëse, siç e do drejtshkrimi i mbrojtur me ligj. Zhvendosur në hapësirën “do të” të së ardhmes së Shqipërisë (fu)turistike. Kaq.
Pastaj gjithçka u nda në kampe përqendrimi. Sulme. Deklarata. Zëra pro prishjes së teatrit kombëtar. Marrëveshje të paqarta dhe po aq të pazbardhura sa dhe Marrëveshja e Çadrës. U shfaqën kundërshtarët, të heshturit, të spërdredhurit, të kamufluarit pas gjuhës alegorike me thirrje moralizuese. Aty përreth ishin edhe vëzhguesit “as-as”, që nuk mungojnë kurrë, ishte grupimi “edhe-edhe”, të pranishëm që filmonin për të ushqyer rrjetet sociale, individë me fletë letre në gjoks, mbi të cilat shkruhej “unë jam teatri”. Kishte mes tyre edhe nga ata që fjalën Teatër dhe fjalën Kombëtar, e shkruan me nistore të madhe, si për ta sentimentalizuar çështjen.
Ishte lënë pas dore diçka fare e thjeshtë. Fakti që duartrokitjet meritohen jo vetëm në skenë, si aktorë, përgjatë dy orëve, por meritohen çdo ditë, minutë pas minuti në jetën e përditshme. Bashkë me këtë mosvëmendje, ishte harruar edhe se çështja e sakrifikimit “të së vjetrës që shembet” për të ndërtuar “botën e re” nuk ishte e para përvojë në historinë e kulturës shqiptare.
Nëse kujtojnë se çfarë ndërtesash kanë përreth sheshit Skënderbe, në rrugën e Kavajës, në rrugën e Durrësit dhe në disa prej lagjeve të hershme tiranase, kuptojmë se mbi hartën tonë kulturore e reja e ka mundur të vjetrën, por jo duke ofruar gjithmonë më të mirën dhe më të bukurën.
Edhe pse jo të gjithë mblidhen në sheshin pranë teatrit, kundërshtarët e shembjes takohen në të njëjtën pikë. I duhet Tiranës një teatër i ri? Sigurisht! Pika e ndarjes ishte se ky ndërtim nuk duhej bërë duke shembur të vjetrin dhe se fondet për ndërtimin e tij të duhet të ishin publike.
Në fillim u besua se zgjerimi i vëmendjes publike në mbrojtje të teatrit mund të arrihej lehtë. Mjafton të ironizoheshin “burrat e shtetit” – vendimmarrësit, mjafton t’i paraqisje ata si leshko dhe injorantë dhe ja ku u fitua edhe një betejë. Ata duheshin bërë qesharakë, siç u mëtua përmes deklamimit të vargjeve të Heine-s te Gjermania një përrallë dimri. Pas kësaj ata do turpëroheshin dhe do tërhiqeshin. Por në shtëpinë e të të përqeshurit dhe të tallurit sarkazma nuk prek njeri. Ndaj dhe kjo formë elegante e protestës pacifiste dështoi që në placentë.
Një gjë ishte e qartë. Ndodhia do kishte të humburit e saj, “viktima të keqdashjes dhe të keqkuptimeve”, por nuk do e përdorte sloganin “me ne fitojnë të gjithë”. Me shembjen e teatrit nuk fitonin të gjithë. Përfitonin vetëm, disa. Kjo ishte e qartë, si lufta që bëhej për truallin e jo thjesht për nostalgjinë dhe për godinën.
Prirja për vringëllimë të fjalës dhe politizim u bë më e dallueshme pas deklaratave, që filluan ta lidhnin teatrin me kujtesën dhe shembjen e tij me rrënimin e trashëgimisë kombëtare gjatë tranzicionit të gjatë. Por pas kundërshtimeve u kuptua se po zgjohej konflikti, sidomos kur tonet u bënë epike dhe kur vendin e parabolave dhe alegorive fëminore mbi teatrin të botuara në shtyp e zuri vjersha O moj Shqypni (me vargje të aktualizuara sipas kontekstit teatër). Tonet kushtrimore arritën kulmin me këndimin në grup të vargjeve “Eja mblidhuni këtu”. Mund të mos jenë më kulmorët e poezisë shqiptare, por këto vargje, për fatin tonë të keq, edhe pas një shekulli e gjysmë, vijojnë të mbetet aktuale.
Taktikishit dukej se ishte vepruar mirë në çdo hap. Por për të qenë të kthjellët, a ka me të vërtetë diçka për t’u krenuar në aktualizimin e vargjeve që u zgjodhën për të mbrojtur teatrin? Aspak. Fjalët e Pashko Vasës, të Mihal Gramenos, të Migjenit, të Konicës e të Mid’hat Frashërit (të cilët i citojmë vend e pavend nga kafenetë në Kuvend) nuk janë të pavdekshme dhe nuk u flasin “shekujve që vijnë”. Nuk ka vend për mbivlerësim. Autorët tanë nuk flasin “urbi et orbi”. Autorët e nderuar nuk janë dhe nuk ka pse të jenë aktualë, por bëhen të tillë, pasi edhe pas 100 vjetësh kumtet e tyre përputhen me realitetin tonë.
Aktualizimi i këtyre shkrimtarëve prej nesh na e thotë në sy atë që duam ta fshehim. Vendi ynë ka ngecur. Lëviz, por xhiron bosh, për inerci, pa qëllime të qarta, në zbrazti. I kemi lënë të pazgjidhura çështjet e kujtesës dhe të trashëgimisë, për të cilat na qortonte Konica, Noli dhe Mid’hat Frashëri dikur. Kemi mbetur po ata. Njerëz të ngjashëm në vese, por jo në virtyte, me paraardhësit tanë. “Thumb i ngulun ndër trutë e njerzis”, do na shkruante Migjeni, që nuk bindim dot as veten të besojë se “këtu rron një popull që ndërton diçka të re…”
Atyre që e ndoqën zhvillimin e protestës nga ekrani ky aspekt i rikthente gjendjen deja vu. U dukej se e kishin përjetuar edhe herë të tjera këtë protestë, peticionet, grevat e urisë. Përvoja u thoshte se asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon në këtë vend, ndaj dhe, përveç arsyeve të tjera që kanë lidhje me kulturën e bindjes dhe politikën, nuk iu afruan protestës.
Nuk ka pra vend për ngazëllim nëse vlerësojmë lidhjen tonë me kulturën dhe artin. Nuk kemi pse krijojmë iluzione se artistët, teatri, poeti dhe arti poetik a dramatik vlejnë diçka për jetën e këtij vendi. Kultura dhe arti për ne nuk kanë vlerë të përditshme. Kujtohemi për to vetëm kur na shërbejnë për diçka pragmatike, si në rastin e leximit publik të poezive në mbrojtje të teatrit. Në rastin e teatrit u kujtuam për njerëzit e fjalës pasi, me mendësitë e vetme që zotërojmë, ato jakobine, bolshevike dhe yxhym-yrysh, ne besojmë fort se forma e vetme e artit që ekziston në Shqipëri dhe që duhet të ekzistojë është ajo e artit bombë e flamur, vetëm lloji i artistit që çirret dhe bën ekzibicion në ekran.
Prej vitesh na e kanë përplasur në sy. Artisti i duhet shtetit vetëm që shteti të përligjë ekzistencën e pozës së tij prej bamirësi. Vetë shteti ka marrë pamjen e një agjencie funeralesh, që organizon përcjellje melodramatike dhe festa jubilare, ku artisti shfaqet si statistikë, si inventar dhe si sfond i përkulur. Po të kishte nderim për kulturën dhe artin, diskutimi “të prishet apo të ruhet teatri” nuk do të bëhej fare. Debati publik do përqendrohej se ku dhe si të ndërtojmë teatro në çdo shkollë publike, teatro për çdo njësi bashkiake, njëlloj siç për fat të mirë, po ndërtohen palestra në shkolla, parqe dhe kënde lojrash në brendësitë mes pallateve.
Edhe për teatrin u kujtuam në të njëjtën mënyrë: vetëm kur duan ta shembin dhe jo kur duhet ta bënim të hapur dhe më të mirë. Ne nuk jetojmë me artin dhe as përmes artit. Njëlloj si në periudhën e realizmit socialist, ne e thërrasim artin si flakëndezës. Duam që teatri në Shqipëri të jetë multifunksional. Duam që teatri të përdoret për shërbime urgjence, emergjente dhe ambulant. Duam që teatri të jetë në shërbim apo t’i ngjajë sapunit për të pastruar duar, shpirtin dhe paratë më së fundi. Por e dimë dhe nuk mund ta fshehim se më shumë se sa prej atyre që kanë vendosur shembjen, teatri është kërcënuar të fundoset nga vetë. Ka nisur vite më parë.
A thua e kemi harruar se rrënimi i tij ka nisur jo nga muret, se teatri përfaqësohet nga muret po aq sa telat e sotëm me gjemba përfaqësojnë Auschwitz-in apo dërrasat e restauruara përfaqëson teatrin Globus. Është punuar me strategji.
Humbja e respektit për teatrin dhe njerëzit e tij do e bënte më të lehtë shembjen. Teatri u bë i parëndësishëm përballë syve të publikut. Teatrit iu rrëzua kurora nga koka dhe e humbi aureolën të cilën sot themi se e ka ende përreth. Teatri Kombëtar i Tiranës u bë një objekt i rëndomtë, në mjediset e të cilit një herë viheshin baste, një herë luheshin pjesë teatrore dhe herë të tjera ishte restorant, siç kishte qenë gjykatore vite më parë.
Teatri u ç’rëndësua. Ai ishte rrëzuar përballë syve të publikut kohë më parë se fadromat t’i silleshin përqark për t’i nxjerrë themelet dhe shpirtin. Rroposja kishte nisur jo nga muret dhe fasada, por nga brenda skenës. Repertori i vakët, bordet artistike të mbushur me individë pa lidhje të qenësishme me teatrin, emërimet politike të mbuluara pas konkurseve pa konkurrentë, nga zgjidhjet anakronike regjisoriale dhe nga loja e zbehtë e aktorëve.
Rënia filloi nga përjashtimi i dramaturgëve dhe i aktorëve të mirë, nga afria e komedisë vulgare vetëm e vetëm për të mbushur statistikën e rreme të kthimit të spektatorit në teatër, nga largimi i teatrit të vërtetë, klasik, modern apo bashkëkohor si dhe nga mungesa e vizionit që teatri të bëhet domosdoshmëri për jetën e një kryeqyteti. Me këtë sipërmarrje rrënimi mund të mburremi. Aty jemi bashkaksionerë.
* * *
Duket sikur debati publik mbi teatrin kombëtar është shteruar. Atij nuk mund t’i shtosh më asnjë fjalë. Sidomos pasi u botua artikulli i Aurel Plasarit, që i shtjelloi në detaje të imta arsyet se teatri jo vetëm që nuk duhet shembur, por duhet mbrojtur si “monument shumëfish historik, – i historisë kulturore, i historisë artistike, i historisë sociale, i historisë së albanologjisë, i historisë politike të shtetit shqiptar”.
E njëjta gjë mund të shprehet qëkurse Maks Velo tha se “teatri nuk duhet të prishet, ai mund të restaurohet”, duke ofruar me këtë rast argumentet e tij. Të dy këta autorë iu drejtuan kryesisht atyre që qeverisin vendin tonë. Ndryshe prej tyre, Fatos Lubonja zgjodhi rrugën tjetër, duke iu drejtuar opozitës, të cilën e ftoi/sfidoi të “djegë” mandatet parlamentarë, si një mesazh “se këtu nuk funksionon demokracia” dhe se “djegia e mandateve është akti i fundit për të treguar se këtu nuk kemi një situatë normale”.
Duket vërtet sikur nuk mbeti hapësirë as për ata që besuan, as për ata që dyshuan, as për ata që u treguan skeptikë, as për specialistët, që u shprehën “pro” shembjes me argumente teknikë, as për ata specialistë që u shenjuan si qëndrestarë ngaqë e kundërshtuan shembjen, as për “tradhtarët e të shiturit”. Nuk mbeti vend as për autoritetin dhe disiplinat e specializuara të urbanistëve, as për të përbalturit dhe as për zërat që mendojnë si Yasmina Reza, se teatri mbetet reflektim i mprehtë i shoqërisë dhe se dramaturgët më të mëdhenj kanë qenë dhe do të mbeten mbrojtës të së drejtës dhe të moralit.
Tani që edhe votimi parlamentar për ta shembur teatrin u krye dhe u vendos për “PO”, mbetet të pyesim dhe ta gjejmë përgjigjen pse njerëzit e përfshirë në politikë dhe në jetën parlamentare të vendit tonë (nuk po i cilësoj politikanë) e kishin kaq të lehtë ta merrnin vendimin për shembjen e teatrit? Përse kjo armiqësi?
Ka nga ata që besojnë pa të keq se shkaku i armiqësimit fshihet te rivaliteti teatër-skenë dhe ironisë së “teatër politik”. A thua po hakmerrej politika për fyerjet dhe poshtërimin që u kishte bërë me vite në skenën e teatrit kombëtar të Tiranës Aristofani, Sofokliu, Miller-i, Shakespeare apo Brecht? Apo parlamentarëve u erdhi rasti i munguar për t’u hakmarrë për bezdinë që teatri u ka shkaktuar në mijëra vjet të pushtetmbajtësve? Nuk e besoj. Nuk i kemi aq sqimatarë dhe cipëhollë njerëzit që na drejtojnë. Kjo formë hakmarrjeje do i nderonte shumë parlamentarët tanë. Shpjegimi i tillë do u varte atyre në qafë medaljen e meritës që nuk e kanë: njohjen se përfaqëson teatri për jetën e një vendi.
Realiteti tregon ndryshe. Marrjen me lehtësi të një vendimi të tillë së pari ua kemi lehtësuar vetë ne. Mes nesh janë shumë prej atyre që protestuan në fillim e që u larguan më pas, të tjerë që heshtin dhe ata që bëjnë gjoja apo vazhdojnë të protestojnë që teatri të mos shembet. Vetë ne investuam prej vitesh në shndërrimin e teatrit kombëtar në një hapësirë gajasjesh dhe vulgariteti.
Me naivitet apo me pragmatizëm sipërfaqësor, publikut i është hedhur hi syve kur rikthimi i spektatorit në teatër u mbivlerësua përballë mënyrës dhe formës se si ky publik po hyn në teatër dhe çfarë vlerat merr në sallat e tij. Ky banalitet i ngritur strategji për të qëndruar në majë të pushtetit kulturor, ky shkatërrim i organizuar i shijes së publikut, ua ka lehtësuar punën atyre që mendojnë se teatri kombëtar prej dekadash nuk sjell vlera dhe për këtë shkak duhet shembur godina bashkë me historikun e tij.
Me gjithë mëkatet, fjala qortuese nuk duhet shpenzuar e gjitha për ata që nuk kanë tjetër pushtet jashtë skenës. Në këtë kohë kur gjithçka u shndërrua në mall dhe këtij malli iu vu një çmim, disa syresh e kanë përnjimend luftën dhe përpiqen ta mbrojnë teatrin me aq sa dinë, me aq sa munden dhe me aq sa i lejojnë.
Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e atyre që votuan në parlament e kishin të lehtë të votonin “PRO” shembjes së teatrit pasi nuk kanë guxuar/denjuar kurrë të hyjnë qoftë dhe një herë të vetme në marrëdhënie me teatrin apo të marrin pjesë si spektatorë në shfaqjet teatrore. Ndryshe ata do e kishin kuptuar se prania në teatër është mënyra më e mirë e çdo shoqërie për të mbajtur të gjallë debatin me veten, siç shprehet Peter Hall. Përveç përpjekjes sonë të përbashkët për ta bërë të pavlefshëm, të pabesueshëm, të vdekshëm teatrin, te mungesa e marrëdhënies me të shoh shkakun tjetër që ua lehtësoi vendimmarrjen politikëbërësve tanë. Kjo pasi gjërat që nuk i njeh, ato me të cilat nuk ke intimitet dhe nuk krijon ndjeshmëri, mund t’i vrasësh lehtë, ftohtë, pa shfaqur pendesë, edhe me një votë.
Ja pra, ku e gjetëm edhe arsyen për të mos shkelur kurrë në teatër dhe për ta shkallmuar që nga themelet teatrin kombëtar të Tiranë! Paskemi qenë dikur vendi i parë ateist? Një vend pa kisha, pa xhami, pa teqe dhe sinagogë? Le ta përsërisim faqen e ndritur të historisë! Le të bëhemi i pari dhe i vetmi vend ateatror në botë.
Por një arsye edhe më bindëse sesa ndihma që u kemi dhënë, me apo pa vetëdije teatërshembësve dhe se mënia shekullore mes teatrit dhe politikës qëndron te mosbindja. Teatri është fajtori i tretë. Ata që votojnë me lehtësi për shembjen e një teatri e dinë fare mirë se teatri është i pabindur. Teatri është kundërshtar. Kush dëshiron të mendojë me kokën e e tij e ka të qartë se teatri ka mbetur i vetmi entitet ende i panënshtruar. Dhe, nëse kryeneçësia është një krim, jo vetëm teatri kombëtar i Shqipërisë, por të gjithë teatrot në botë ta shpaguajnë për mosbindjen. Ata duhen shembur dhe duhet të ndëshkohen siç ndëshkohen mosbindjet.
Po çfarë përfaqëson teatri sot dhe pse i tremben fuqisë së tij? Ndonëse u flet audiencave të kufizuara, teatri vazhdon të mos bindet. Për logjikën e teatërshembësve, teatri duhet shembur edhe për arsye të tjera. Përveç periudhës komuniste, kur u përul, teatri nuk i ka përmbushur kurrë pritshmëritë e pushteteve. Ky plak-fëmijë-rebel ka treguar se është më i fuqishëm se mediat, më i fuqiplotë se gazetat e blera në dhjetëra vjet përmes njoftimeve qeveritare dhe granteve, më ndikues se portalet e sponsorizuara dhe më i lirë se televizionet. Teatri nuk është si Kuvendi-Parlamenti, ku duartrokitjet delegohen si vota dhe pushteti.
Në teatër gjithçka është e drejtpërdrejtë, siç një demokraci duhet të jetë. Fuqia e teatrit mbetet te përballja e drejtpërdrejtë me publikun dhe publiku është një nga format më të sinqerta të elektoratit. Publiku vihet përballë veprës, personazheve dhe fateve në sallën e vogël të teatrit. Ky elektorat i teatrit është aq besnik sa për ta siguruar marrëdhënien me skenën, publiku nuk paguhet, si nëpër mitingje, por e paguan vetë detyrimin e tij ndaj trashëgimisë dhe kulturës vendase dhe botërore.
Por a qenka ndokush kaq i pasur sa ta paguajë një shfaqje të mirë teatri? Sidomos me një biletë? Kaq pak, një për të qenë pjesëmarrës në ndodhitë më tronditëse të botës dhe për të ripërjetuar historinë? Me aq pak pará mund ta zgjojmë kujtesën, mund ta pastrojmë vetëdijen nga zmërçet? Pagesën e tij të vërtetë për një shfaqje të mirë publiku e shlyen duke pranuar kushtet e rënda që teatri dikton. Mbylljen (herë herë si në një çmendinë). Anonimatin. Vetminë. Qëndrimin për rreth dy orë në errësirë. Dhe jo vetëm kaq. Teatër do të thotë zhvillim i një forme të lartë të demokracisë. Teatri është vendi ku nuk shkohet që të të dëgjojnë, por që të dëgjosh, të bindesh, ta humbasësh veten.
Teatri është vendi ku hyhet për ta lënë pas krahëve madhështinë. Aty shkohet për t’u ndjerë se je i parëndësishëm, për t’ua lënë radhën të tjerëve që kanë diçka të rëndësishme për të të thënë qetë apo me ulërimë. Ky është pakti për t’u bërë pjesë e një shfaqjeje teatrore. Kjo është marrëveshja dhe marrëdhënia. Teatër do të thotë ta përballosh i heshtur gjithë sa ndodh në skenë. Bindje që, edhepse gjendesh i rrethuar nga të tjerë, duhet të qëndrosh stoik, vetmitar.
Veç këtyre teatri është rregull dhe disiplinë. Duhet t’u bindesh edhe orareve. Të pranosh radhën dhe vendin ku të kanë caktuar të ulesh. Të rrish përkrah të panjohurve që të ndodhen pranë, të cilët as të njohin, as të nderojnë dhe aq që duan të dinë se kush je. Ata kanë ardhur të shohin teatër.
Pikërish me ata që ndodhen aq rastësisht pranë teje duhet ndash ato që nuk ndahen me të gjithë: emocionet. A do e përballonin dot këtë metodikë të vështirë pushtetarët tanë dhe ata që miratojnë ligje, vendime, amendamente dhe akte nënligjore? Thua të jetë kjo frika që i bën t’i rrinë larg teatrit dhe të ushqejnë aq shumë armiqësi ndaj tij a ta dënojnë brenda një minuti me rrënim? Përtej kësaj, a do të mundeshin ta provonin pushtetmbajtësit që votuan pro shembjes së teatrit ndenjën e të qenit i barabartë me të gjithë, ndjenjën e çlirimit, të katharsisit dhe të empathisë? Por mbi të gjitha a do të mundeshin ta përballonin atë që përjetojmë shpesh brenda sallës së teatrit: ndjenjën e turpit apo të fajit ndaj diçkaje që nuk e kemi kryer ne vetë, por paraardhësit a bashkëkohësit tanë? Druaj se jo.
Ne nuk e paguajmë dot teatrin dhe as aktorët e tij përmes biletës simbolike të një shfaqjeje. Ne paguajmë me emocionet tona për krimin, fajin dhe turpin që njeriu ynë, njerëzit tanë dhe i gjithë njerëzimi kryen çdo ditë, siç ka kryer në shekuj. Sepse jemi pjesë e botës. Sepse jemi të përfshirë në njerëzim, siç shprehet poeti John Donne. Vetëm se kur shfaqja teatrore përfundon kuptojmë se sa pak kemi dhënë si shkëmbim.
Atëherë zbulohet dhe na shfaqet nën një dritë të re qëllimi i vërtetë pse ndodhemi në teatër, pse kthehemi gjithmonë e më shpesh aty. Kuptojmë se në teatër nuk shkojmë për t’u zbavitur. Në teatër shkohet për të provuar shijen e ndëshkimit. Jo të ndëshkimit vetjak. Atij që priret nga sadomazokizmi. Por të ndëshkimit kolektiv. Në teatër shkohet për të besuar se ndëshkimi për krimet e ndodhura dikur dhe për krimet e padrejtësitë që vazhdojnë të ndodhin para syve tanë nuk ka përfunduar. Për të tilla ka kohë për një epilog. Ndoshta kjo është edhe një arsye përligjëse se pse shohim aq pak njerëz të politikës në sallën e teatrit, edhe kur i ftojnë.
A nuk është vërtet cinike të shohësh se ata që duartrokasin në sallën e teatrit, siç më ka qëlluar ta shoh disi shpesh, janë njerëzit që ndihmuan ndërtimin a rikrijimin e identitetit të tiranisë në vendin tonë? A ka gjë më trazuese se sa një diktator, një president autokrat, një kryeministër diktues, një politikan me tipare të sundimit autoritar, një ligjvënës apo një ligjshkelës i pandëshkuar, që duartroket dhe buzëqesh diku pranë teje në përfundim të Rikardit III, Hamletit, Jul Qezarit apo të Henrit IV të Shakepeare-s? Po ky është teatri.
Dihet tanimë se skena teatrore dhe ajo e politikës kanë qenë shpesh në simetri. Më së paku që nga historitë antike të mbuluara e deri tek “perceptimi i paradigmës së përmbysjes pas ngjarjeve të tilla si shembja e komunizmit apo e ashtuquajtura “Pranvera arabe”, siç mund t’i gjejmë të shprehura me hollësi të lakmuar në librin Shakespeare and Tyranny, ku, veç të tjerash, analizohen modelet shekspiriane të tiranisë në regjimet komuniste. Por kulmi i ironisë mbërrin kur urdhëruesit e dhunës, të diktatit e të autoritetit të fortë, ata që përdorën teknikat e censurës, që blenë mediet, që marrin pushtetin me anë të dhunës, kanosjes dhe që nxitën vetë-censurimin, që vendosën kontroll mbi institucionet në shoqëritë post-diktatoriale të fortë tregojnë zell dhe ngjiten në skenë, për t’iu dhuruar lule aktorëve, që luajtën rolet e tyre.
Për teatrot tona, kombëtarë apo të periferive urbane, ky është një epilog i zakontë. Sepse vetë ne i lusim deri në pështirosje politikanët tanë të marrin pjesë në premierat teatrore. Sepse vetë ne i shtyjmë oraret e fillimit të shfaqjes dhe e lemë spektatorin besnik të presë deri sa politikanët të mbërrijnë me 30 minuta vonesë. Madje edhe regjisorë e aktorë nga ata që sot me të drejtën e tyre janë rreshtuar te kundërshtuesit e shembjes së teatrit kombëtar, politikanëve ua dërgojmë ftesat të parët. Atyre dhe jo ndokujt tjetër u zgjedhin vendet më të mira në plate, u rezervojnë llozhat, duke u dhënë rëndësi, kur veçse të rëndomtë janë.
* * *
U vu re se protestës kundër shembjes së teatrit i mungoi publiku. Nënshtrimi ndaj pushtetarëve e bëri publikun të kuptojë se jo vetëm institucionet shtetërore, por as teatri nuk është i tij. Publikut i është grabitur teatri, siç i janë falsifikuar dhe grabitur shumë të drejta në Shqipëri.
Spektatori i thjeshtë e ndjen se edhe aty, në sallën e teatrit, vendit ku duhet të ishin të njëjtë dhe ku mund të emetohej demokraci, ai është sërish i papërfaqësuar dhe i shpërfillur. Ai i e ndjen se as teatri nuk mund të jetë më atdheu i tij. Teatri nuk është hapësira ku ai realizon utopitë për drejtësi sociale. Spektatori ndjen tradhëti. Ai pushon së besuari edhe heterotopinë e Michel Foucault-së, që e ka bërë të besojë se skena e teatrit ka aftësinë për të bashkuar në një vend të vetëm disa vende që në vetvete nuk përputhen.
Ndaj dhe teatërndjekësi fillon emigrimin, largohet. Ja dhe një arsye më shumë për të kërkuar azil politik! Shqipëria është një vend pa teatër. E morët vesh!? Shqipëria është një vend ku nuk realizohen të drejtat njerëzore, ku nuk përmbushen as ëndrrat dhe as liritë për të pasur teatër!
Arsye si këto (dhe përvetësimi i kauzës nga prania e politikanëve në një protestë publike, thua se u mungojnë rastet, komisionet dhe foltoret për të mbrojtur teatrin) dhe jo vapa, mungesa e edukimit përmes artit apo kampionati botëror i futbollit, neveria nga tubimet dhe nënshkrimet dhe madje ndonjëherë edhe vetë teatrorët, kanë qenë ato që e mbajtën larg qytetarin-spektator nga protesta në mbrojtje të teatrit.
Teksa kemi përmenduri fjalët shpagim, paguaj, mbyllur, faj, ndëshkim, hakmarrje, orare, kamp, vetmi apo heshtje kujtohem për logjikën që përdori Faucault, kur gjeti ngjashmëri mes burgut dhe teatrit. Te ky autor burgu përkufizohet si teatër i terrorit, që i përmban të gjithë elementet kryesore të teatrit të horrorit dhe të ndëshkimit. Të dyja format, edhe burgu edhe teatri, janë modele të ngjashme, krijuar enkas për ta transformuar njeriun përmes torturës publike.
Përmes torturimit publik kuptojmë se “burgu nuk është forma kryesore dhe e vetme e dënimit”. Formë tjetër e ekzekutimit në publik është edhe teatri. Ndaj dhe nuk e duam. Ndaj dhe nuk e mbrojmë teatrin. Një institucion si teatri nuk ka të bëjë vetëm me vdekjen reale apo imagjinare të një personi/personazhi në skenë.
Teatri, para së gjithash sjell vdekjen e personalitetit brenda atij që merr guximin të ndjekë një shfaqje teatrore, qoftë ky një i ri pa përvojë apo një “burri shteti”. Kështu, në këtë formë do të na kanosë dhe këshillojë Michel Foucault, sa herë që të marrim mundimin ta shfletojmë librin Disiplinë dhe ndëshkim – lindja e burgut. Por a na duhen të tilla labirinte dhe a mund të na ndihmojë Reza, Hall, Sofokliu, Shakespeare, Miller, Brecht apo vetë Foucault që nga varri, ku çështja shtrohet siç do e shtronte Hamleti – fare thjesht: teatri – të shembet apo të mos shembet? Po, është përgjigja për të gjithë ata që lindën dhe vazhdojnë lindin në shoqëri jo të varfra, por që varfërohen nga mungesa e nderimit ndaj asaj që trashëguam.
* * *
Duhet qartësuar edhe diçka. Një shoqëri si e jona, që mbush gropat buxhetore jo përmes investimeve dhe punës, por me borxhe që i faturohen publikut dhe përmes privatizimeve të pasurisë publike, duke mjelë lopën e vdekur të socializmit, paraqitet si një shoqëri me sindromën down, ku gjithçka mbërrin vonë dhe vepron ngadalë e mes kundërshtish.
Në shoqëri të tilla lidhja mes dhuratës dhe dhuruesit ngjall ende frikë të dyanshme. Ky perceptim ndodh pasi i marrësi ndihet i dhunuar dhe vihet në gjendje varësie ndaj dhuruesit. Me fjalë më të thjeshta kjo do të thotë se në një rast si ai i diskutimi mbi shembjen apo ruajtjen e teatrit të vjetër dhe ndërtimin e një teatri të ri, është shteti dhe jo kush tjetër, autoriteti dhe entiteti i vetëm që mundet dhe duhet të bëjë një dhuratë. Jo aktorëve, por qytetarëve. Një pasuri publike, për publikun.
Kjo dhuratë duhet ofruar pa bujë, pa zhurmë e pa zulmë, pa fitues dhe humbës, si pjesë e kontratës qeverisëse dhe përmbushje e detyrimit që buron prej marrjes së përgjegjësisë së mandatit. Shteti dhe qeverisja e qytetit mund dhe duhet t’ua dhurojnë të plotë jo vetëm hapësirën publike, por edhe kënaqësinë e ruajtjes së trashëgimisë dhe zhvillimin e qytetit modern. Dhurata nuk i bëhet “moralit profesional të aktorëve dhe as ligjit të korporatave”, por publikut, qytetarëve, spektatorëve, atyre që nuk presin t’u vijë ftesa për llozha, atyre që e nënshkruan apo që nuk e nënshkruan peticionin, atyre që erdhën, por edhe atyre që, për shkak të manipulimit dhe mungesës së besimit nuk iu bashkuan aleancës dhe protestës, por që e duan teatrin dhe që vazhdojnë ta bëjnë me përkushtim detyrën dhe detyrimin e tyre: të presin biletë në mbrojtje të teatrit dhe të mos i braktisin shfaqjet e mira.
Tema e dhuratës – me të cilën shoqëria shqiptare ka marrëdhënie varësie dhe jo mirëkuptimi, njëlloj si tema e lirisë dhe e detyrimit, e bujarisë, e nevojës së brendshme për të dhuruar dhe e interesit vetjak për dhurimin, rishfaqen në një shoqëri njëlloj siç shfaqet motivi i ringjalljes, që ka ekzistuar në traditë, por e kemi harruar, siç shprehet Marcel Mauss në librin The Gift, sidomos te Përfundimet dhe në kapitullin “Dhuratat dhe detyrimi për kthimin e dhuratave”.
Prej këtej mund të ketë ende një fije shpresë për lindjen e një marrëdhënie të re mes detyrës dhe detyrimit si shtetas dhe si shtetar, si votues dhe i votuar, mes atij që dhuron dhe qytetarit që nuk duhet të shqetësohet më se çfarë do i kërkojë shteti në shkëmbim të dhuratës.
Nëse ndodh sërish e kundërta, sikurse ka ndodhur deri tani, marrëdhëniet tona shoqërore do të vazhdojnë të mbeten në fazën primitive, sikurse edhe janë, kur funksionojnë vetëm si shit-blerje. Gjendja e shlyerjes së dhuratës me dhuratë, e borxhit me borxh dhe e nderit me një nder tjetër, është formë fisnore e zhvillimit shoqëror tek ne, gjendje që e kthen shoqërinë shqiptare në nivelin e shkëmbimit në natyrë: mall me mall.
Fillimisht duhet kthyer mbrapsht Ligji që miraton prishjen e ansamblit arkitektonik të teatrit kombëtar. E tejkalon cinizmin që viti 2018 – vit që do të shënonte 80 vjetorin e nisjes së projektit nga arkitekti Giulio Berte, në fillim të vitit 1938 – të ishte njëherazi edhe vit i rrafshimit së teatrit kombëtar, sikur të na kishte zënë frymën apo sikur të mos kishte qenë aty ndonjëherë.
Çertifikimi i shembjes si akt do i hapte udhën dhe do i jepte argument gjithkujt prej këtej e në vijim që të rrafshohet, duke filluar që nga amfiteatri e Durrësit, te vepra e Philippe Parreno-s në hyrje të Kryeministrisë e prej aty te teatri në parkun e Liqenit e deri te sheshi Skënderbej, siç premtohet marrëzisht.
Nëse nuk mundemi ta ruajmë, ta mbrojmë e ta nderojmë çfarë trashëguam apo të ndërtojmë teatro të rinj, do të tingëllojë krejt boshe krekosja se mbi truallin e qyteteve të lashtë në trup të Shqipërisë së sotme gjenden aq e kaq teatro antikë.
Mos vallë u dashka që për shkak të vendimeve dhe sjelljeve të papërgjegjshme të pranojmë edhe atë që nuk na pëlqen dhe që nuk është e vërtetë: të pranojmë se teatrot antikë nuk i paskemi ndërtuar dhe ruajtur ne, por njerëz të tjerë, që me tjetër ndjeshëri ndaj së bukurës dhe publikes? Ndryshe si ta shpjegojmë sjelljen tonë të vrazhdë ndaj çdo gjëje që ndërtojmë vetë dhe që është ngritur mbi truallin tonë në 2000 vjet, pa dallim nëse është urë e lashtë, kishë e hershme, shtëpi e moçme, mal i shenjtëruar, ulli i vjetër apo teatër?
Kush i ndërtoi dhe me çfarë fondesh u ndërtuan institucionet shqiptare të kulturës gjatë shekullit që shkoi? Po të bëjmë një shëtitje në arkitekturën tyre do të shohim se donatorët janë Italia fashiste fillimisht, më pas jugosllavët, rusët, kinezët, Italia e Romano Prodi-t, fondet e Bashkimit Europian, ambasada franceze, amerikane, fondacionet ndërkombëtare më së fundi propozohet iniciativa private. Prej kësaj do të më pëlqente që qeveritë shqiptare, ajo e sotmja dhe të tjerat që do vijnë, të dalin nga tipologjia historike e lëmoshës dhe e pritjes së ndihmës shpëtimtare që mëkëmb Shqipërinë.
Do të doja që shteti shqiptar, së paku kur shtrohet çështja te institucionet e kujtesës, trashëgimisë dhe të ndërgjegjes kombëtare, të ishte i mosvarur, zot në qeverisjen e tij dhe, me zotësinë që i takon ta ketë një shtet mbi 100 vjeçar, ta gjente krenarinë duke e marrë mbi vete dhe duke i ndërtuar vetë dhe jo me fonde të tjera veç atyre të buxhetit shtetëror institucionet kulturore me ndikim dhe rëndësi të veçantë. Thënë ndryshe teatri kombëtar duhet të ndërtohet me fondet që shtetasit shqiptarë paguajnë për ta pasur fuqiplotë dhe dinjitar shtetin e tij. Te kjo mënyrë mund të gjeja një arsye të brishtë për të vazhduar të besojmë se kushdo që qeveris sot apo që do të vijë më pas në pushtet, nuk do e ketë të lehtë t’i rrënojë, sidomos pa kundërshti, institucionet e kulturës që kur bien, dëshmojnë jo shembjen e tyre, por rënien tonë.
Botuar e plotë në revistën Poeteka, 7 Korrik, 2018