Nga John Voll
Në një botë ku ekziston një vetëdije gjithnjë e më e madhe e qasjeve ekologjike dhe konteksteve multikulturore, rëndësia e perspektivave globale në shqyrtimin e eksperiencave specifike njerëzore dhe rëndësia paralele e të kuptuarit të kontureve të përgjithshme të historisë botërore po marrin një vëmendje gjithnjë e më të lartë. Një nga pionierët e të dyja këtyre shqetësimeve ishte edhe Marshall G.S. Hodgson. Punimet e tij akademike rreth historisë së Islamit bëjnë të mundur kuptime të reja të vendit që Islami zë në historinë botërore dhe esetë e tij mbi historinë botërore frymëzuan shumë njerëz që të mendonin në mënyrë të ndryshme se ç’bëhej deri në atë kohë. Edmund Burke III ka kryer një shërbim të vyer duke sjellë në një volum të titulluar “Rethinking World History” një koleksion të disa prej eseve më të rëndësishme të Hodgsonit. (…) Ky vëllim përmban disa prej eseve më të rëndësishme të shkruara nga Hodgson, së bashku me esenë hyrëse dhe atë mbyllëse të shkruara nga Edmond Burke III. Vëllimi në fjalë është organizuar në mënyrë të dobishme dhe ka avantazhin e koherencës dhe vazhdimësisë, të cilat ndihmohen edhe nga esetë e shkruara nga Burke.
Pjesa e parë e vëllimit përmban gjashtë ese që merren me “Evropën në një kontekst global”. Këto ese përpiqen të sigurojnë një alternative ndaj konceptimeve eurocentrike dhe perëndimore (westernist) të zhvillimit të civilizimit perëndimor. Eseja e katërt përmban një diskutim të Hodgsonit në lidhje me “Transformimi i madh perëndimorë”. Në të ai ofron konceptin e teknikalizimit si një alternativë ndaj qasjeve më standarde të modernizimit/uesternizimit ose teorive marksiste. Perspektiva dhe qasja e përgjithshme pasqyrohen në pohimin e Hodgsonit, sipas së cilit: “Historia evropiane…ka qenë kryesisht një pjesë e varur, së paku deri në kohët e vona, e zhvillimit të përgjithshëm të civilizimit. Duke e studiuar nën këtë dritë ne do të përftojmë një kuptim të ri si të Evropës ashtu edhe të racës njerëzore”. (p. 37).
Pjesa e dytë përmban katër ese mbi “Islamin në kontekstin global”. Këto ese ofrojnë një kritikë ndaj akademizmit perëndimorë në lidhje me Islamin, veçanërisht ndaj prirjes perëndimore për ta parë periudhën e vonshme historike islame si përgjithësisht pjesë e një tatëpjete të zgjatur. Në një ese të kësaj pjese të dytë e cila flet rreth “unitetit në historinë e vonshme islame”, Hodgsoni ofron një argument tejet bindës në favor të rëndësisë në skenën botërore të tri perandorive myslimane të shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë – përkatësisht Perandoria Osmane, Mogule dhe Safavide. Esetë e kësaj pjese të dytë shtrihen nga diskutimet e themeleve para-islame deri te çështjet e islamit dhe modernitetit në botën bashkëkohore. Një nga shenjat që tregojnë se sa novatore është kjo vepër është edhe fakti se ndonëse esetë janë shkruar më shumë se një çerek shekulli më parë, gjithsesi ato janë ende relevante dhe aktuale si edhe stimuluese nga ana intelektuale.
Esetë më të vështira nga ana konceptuale janë ato që gjenden në pjesën e tretë të librit dhe që kanë të bëjnë me “disiplinën e historisë botërore”. Këtu ne shohim përpjekjen e Hodgsonit për të krijuar një perspektivë konsistente dhe mirëfilltazi “world-historical” (botërore-historike). Siç duket qartë edhe në pohimin e tij se “arsyeja për disiplinimin e fushës së kërkimit nuk është që shkrimtari apo lexuesi të bëhen më të thellë…por të sigurohet se rezultatet e “cektësisë së arsimuar” të jenë më pak çorientuese” (f. 293). Në këto ese, Hodgsoni merret me çështje madhore të metodës dhe disiplinës akademike: “Objektiviteti i kërkimit historik në shkallë të gjerë”, kufizimet e historisë krahasuese dhe “studimet ndër-rajonale si integruese të disiplinave historike”.
Të gjitha këto diskutime janë intelektualisht stimuluese dhe në të shumtën e rasteve janë fatkeqësisht ende novatore në përpjekjen e tyre për të krijuar një perspektivë analize vërtet globale dhe world-historical (botërore-historike).