Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Të falësh tokë e det për një biletë

Nga Media 0

Nga Ardian Muhaj

Megjithëse deti nuk na mungon asnjëherë, ai mungon tërësisht në zgjedhje që mbahen çdo të dytën verë. Askush nuk e përmend detin, askush nuk guxon të flasë për detin, askush nuk premton për detin. Shqiptarëve nuk u përmendet deti, politika shqiptare nuk e di ç’është deti, nuk ka plan e as projekte për detin. Jemi popull që na kanë mësuar të na thonë se keni bregdet, por jo det. Nuk mund të shkojmë më përtej bregut të detit, nuk mund të hyjmë në det. Na është ndaluar, ai që të gjithë popujve bregdetarë nuk u është ndaluar: deti.

Deti për shqiptarët ka qenë edhe në mesjetë i ndaluar për shumë kohë, për shumë shekuj, për shumë arsye. Një nga arsyet madhore pse e kishim të ndaluar detin në mesjetë, është monopolizimi i detit Adriatik dhe Jonit verior nga Venediku. Që të flasim me letra e dokumente e jo me hamendje po paraqes një dokument të vitit 1415, pikërisht të asaj periudhe për të cilën ata që nuk marrin vesh as nga ajo periudhë as nga periudha jonë, thonë se ishim po aq të zhvilluar sa edhe vendet e tjera të Europës dhe sidomos të Italisë.

Më 6 shkurt 1415 Senati i Venedikut i jepte përgjigje disa kërkesave të parashtruara nga zonja e Vlorës e veja e Merkshës, Rugina. Përgjigja e Senatit fillon në mënyrën më të bukur “E madhërishmja zonja e Vlorës” (Magnifica dominia Avalone) dhe përfundon në mënyrën më të pabesueshme, të shëmtuar që mund të mendohet. Përgjigja e shpjegon vetë këtë:

“Lidhur me gjendjen e saj, meqë është grua, ajo e sheh veten krejt të pafuqishme dhe të paditur që të mund të mbajë qytetet dhe vendet që ka, sidomos duke ditur fuqinë e turqve, nga të cilët ka shumë frikë dhe në duart e të cilëve kurrsesi nuk do që të bien vendet dhe kështjellat e saj, prandaj ajo është e kënaqur dhe tregohet e gatshme të japë e të dorëzojë në duart tona dhe pushtetin e zotërimit tonë, të sipërthënat qytete dhe vende që ajo ka dhe do të qëndrojë në hirin e zotërimit tonë, i cili të kujdeset për të, dhe për ushqimin e saj, si ta shohim të udhës dhe si të na pëlqejë”.

Ndërkohë, ambasadori i Ruginës, sikur të ishte ndonjë deputet i parlamentit shqiptar sot, hezitimit të Sinjorisë venedikase për t’i dhënë përgjigje ia kthen se ai “kërkon me ngulm të niset, sepse siç thotë, qëndron këtu me shpenzime të mëdha, nga shkaku i personave që ka sjellë me vete”. Pra si një shqiptar i denjë i shek. XXI nuk ka para me pagu hotelin, prandaj me urtinë që nuk na ndahet me shekuj argumenton se “duke pasur parasysh sa e dobishme është për zotërimin tonë që vendet e asaj zonje të mos bien në duart e turqve dhe as të të tjerëve, veçse në duart e zotërimit tonë, dhe se është e nevojshme të gjendet ndonjë mënyrë që kjo punë të ketë një përfundim të mirë”. E megjithatë prapë edhe pse i dërguari i së vejës së Merkshës ia ofron me nxitim Vlorën Sinjorisë venedikase në këmbim të një cope bukë, prapë për Venedikun edhe ajo copë bukë ishte e shtrenjtë dhe e zgjasin përgjigjen duke e ditë se ambasadori nuk kishte lekë për hotel, prandaj i duhej të kthehej shpejt.

Megjithatë Sinjoria vendos të dërgojë vetë kapedanin e Gjirit (lexo të detit Adriatik, sepse Venedikasit e konsideronin krejt Adriatikun si gji detar të tyre, prandaj e quanin il Golfo di Venezia, Gjiri i Venedikut). E natyrisht kulmi i groteskut vjen në fund kur trajtohet edhe një “çështje e vogël, parashtruar nga ai i dërguar, i cili kërkon, që në rast se ajo zonjë do të kalojë ndër vendet tona për të banuar aty, të mund të qëndrojë ndër to dhe të trajtohet me përzemërsi, dhe për më tepër, që në se ajo do të vendosë e do të shkojë në anë të Konstantinopolit, ose tjetëkund, të pranohet e të merret me plaçkat e saja, me familje e rreth, mbi anijet tona dhe të trajtohet njerëzisht e mirësisht, por megjithatë duke paguar ajo vetë navlën dhe të tjerat sikundër veprojnë të tjerët”. Vendimi merret po 67, jo vetëm një, abstenim 4. (Po nuk e besuat shiheni vetë në Arkivin shtetëror të Venedikut, ASV, Deliberazioni Miste. Senato. L/195v-196-197.)

Siç mund të shihet krejt qartë, megjithëse e veja e sundimtarit të Vlorës, Rugina Balsha, ishte e gatshme t’ia jepte Venedikut Vlorën, Kaninën, Pirgun, e krejt çka kishte, pra tokën e detin, vetëm për një pension pleqërie, prapë Venediku nuk e merrte se i dukej shtrenjtë. Atëherë, e veja e Merkshës së Vlorës, e dëshpëruar sikur politikanët tanë sot, bën kërkesë të ngutshme që të paktën Venediku ta merrrte, tokën e detin vetëm për një biletë anijeje deri në Stamboll, por prapë Sinjorisë Venedikase i duket shtrenjtë gjithë ajo biletë për aq pak tokë e det dhe e pranon me kusht që ajo vetë ta paguajë biletën.

Por, më e bukura vjen më pas. Pikërisht kur osmanët dy vite më vonë e marrin vetë Vlorën megjithë tokë e det, Sinjoria venedikase që i dukej shtrenjtë një copë bukë e madje edhe një biletë, i ofron me dëshpërim sulltanit 8 mijë dukate ari pikërisht për atë Vlorë që e kishte refuzuar vetë. Natyrisht, sulltani as nuk e merr parasysh atë ofertë se nuk kishte nevojë për biletë.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej