Ditën e sotme, në Bruksel është mbajtur takimi i shtatë i grupeve punuese të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje për targat e automjeteve.
Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar nga i ngarkuari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili është shprehur se me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon.
“Ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e 7-të të GP-së për targa. Me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje”.
Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, nga data 4 tetor i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.
Kjo masë është paraparë të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet punuese. Grupet punuese për targat janë ngritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit për targat. Një zgjidhje është paralajmëruar të ndodhë në tremujorin e parë të këtij viti.
Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për trembëdhjetë ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat e veturave nga Serbia. Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan më 4 tetor, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Experts of Kosovo and Serbia met in Brussels today for the 7th meeting of the WG on Licence Plates. With the deadline approaching, it’s urgent to reach a compromise to improve the freedom of movement in the region. It’s the responsibility of both parties to agree on a solution.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 7, 2022