Ish-deputetja e PD Jorida Tabaku e ka cilësuar qeverinë e Edi Ramës si kampione e korrupsionit. Përmes një deklarate për mediat, Tabaku përmend shifrat që tregojnë korrupsionin qeveritar.
Ajo bën me dije se një në 3 kompani fiton tendera në mënyrë abuzive, ndërsa katër deputetë kanë fituar 410 tendera publikë.
“Qeveria e Edi Ramës është kampione e korrupsionit. Janë shpenzuar në tendera miliona euro të shqiptarëve. Një në 3 kompani fiton tendera në mënyrë abuzive. Katër deputetë kanë fituar 410 tendera publikë. Koncesionet për iniciatorët kanë shkuar për miqtë e Edi Ramës dhe të qeverisë. Tenderi në Unazë ishte një skandal më vete, e bërë me letra false, ndërsa shpenzimet për pak metra rrugë janë marramendëse. Korrupsioni endemik dhe galopant, dhënia e tenderave për miqtë, bën që shqiptarët të ikin nga sytë këmbët. Ata po ikin, sepse taksat e shqiptarëve vidhen me koncesione e tendera korruptivë. Kjo qeveri vjedh taksat e shqiptarëve në dritë për diell. Kjo qeverisje blen edhe votat me paratë e krimit, duke degdisur shqiptarët në një gjendje të mjerë”, tha Tabaku.