Sot është Dita Kombëtare e Rinisë. Gjatë këtyre 28 viteve tranzicion rinia nuk ka pasur asnjëherë më shumë arsye për të protestuar në këtë ditë.
Para 28 vitesh frika ishte më e madhe e po ashtu dhe nevoja për liri. Askush nuk e dinte se cilat do të ishin pasojat e ngritjes së zërit, megjithatë pedagogë e studentë mposhtën frikën dhe u bënë protagonistë të kthesës historike.
Lëvizja studentore solli pluralizmin politik. Në këto vite tranzicioni me dhjetëra forca politike u krijuan, por demokracia nuk erdhi. Studentët shqiptarë ende vuajnë politika të padrejta arsimore, e ata sot janë në shesh për të protestuar.
Asnjëherë më tepër nuk ka pasur kuptim dita e rinisë, kjo ditë kur studentët po krenojnë të gjithë shqiptarët. Shpresat janë ngjallur sërish.