Skandali i korrupsionit nga 32 policët në Morinë, zbardhet skema, ja si i përfituan paratë

0
74

Zbardhen detaje të reja nga përgjimet për arrestimin e 32 policëve në Morinë me akuzën për korrupsion. Një nga skemat për të fshehur veprimtarinë kriminale, ishte edhe “zhdukja” e kamerave të sigurisë.

Në bisedat e përgjuara, efektivët e kufirit përmendin herë pas here shumat e parave të përfituara për kontrabandimin e mallrave, si dhe favorizimin e trafikut të makinave.

Burimet e prokurorisë bëjnë me dije se pak ditë përpara finalizimit të operacionit për arrestimin e tyre, policët e kufirit kishin pikasur njërën nga kamerat e përgjimit të vendosur pranë kondicionerit, të cilën e kishin thyer.

Dyshimet nga ana e organit të akuzës për të nisur hetimet ishte sistemi TIMS ku bëhej kalimi i parave të përfituara nga rrjeti i policëve.

Sot 32 efektivët si pjesë e një rrjetit të gjerë të akuzuar për korrupsion në Shqipëri dhe Kosovë kanë dalë përpara gjykatës për t’u njohur me masat e sigurisë. Ata janë paraqitur në Gjykatën e Posaçme, nën masa të forta sigurie.

Skema e korrupsionit  ishte shtrirë në të dyja anët e kufirit, në doganën e Morinit në Shqiperi dhe Kosovë.

312 raste korrupsioni janë kryer nga 32 policë të doganës e Morinit në Kukës. Nga operacioni i përbashkët i autoriteteve policore të Shqipërisë dhe Kosovës u ndaluan edhe 28 policë të pikës doganore Vërmicë, për të njëjtat akuzë.

Punonjësit e policisë në doganën që lidh Shqipërinë me Kosovën ndihmonin që të kalonin kufirin edhe persona me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre në vendet e BE-së.