Libër i ri për censurën në regjimin komunist: Si u ndalua në vitin 1968 publikimi i vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe, përgatitur nga Dhimitër Shuteriqi, Mark Gurakuqi, Vehbi Bala, Jup Kastrati e Koço Bihiku. Libri i Besa Hoxhës-Beqirit e rikthen në vëmendjen e studiuesve historinë e ndaluar të letërsisë.
Nga Shaban Sinani*
Libri Një histori letërsie e ndaluar ka për qëllim të ndriçojë fatin krejt të panjohur të vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe. Dy vëllimet e para të saj, hartuar nga një redaksi shkencore e ngritur pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, e kryesuar nga Dhimitër S. Shuteriqi dhe me pjesëmarrjen e Mahir Domit dhe të Koço Bihikut, njihen më së miri nga studiuesit: ato u botuan njëri pas tjetrit më 1959 e më 1960. Këto dy vëllime kishin zgjidhur problemin e një historie letërsie për dy periudhat më të hershme të saj: për letërsinë para-romantike dhe për letërsinë kombëtare të Rilindjes. Qysh në fund të viteve 1950 kishte nisur diskutimi për një hapje të kontrolluar të historisë së letërsisë ndaj personaliteteve të ndaluar të saj, që i takonin kryesisht gjysmës së parë të shekullit XX. Këto çështje diskutoheshin në mjediset e studiuesve, që arritën të hartojnë vëllimin e tretë të historisë së letërsisë shqipe, ku qenë përfshirë me kapituj të veçantë monografikë Fishta me shokë, ose “autorët kontradiktorë”, siç filluan të quhen në ato kohëra . Vëllimi i tretë ishte parashikuar të ofronte një pamje të përgjithshme tërësore të zhvillimit të letërsisë shqipe në periudhën midis dy luftërave (1912-1939), që përfaqësonte modernitetin e parë të saj, tentimin më të hershëm për një sinkronizim qoftë dhe të përpjesshëm me zhvillimet e letërsisë europiane të asokohshme, duke tejkaluar fenomenin e dëbimit, që ishte paracaktuar me vendime politike qysh në vitin 1946. Ky vëllim do të ishte pjesë e të njëjtit projekt shkencor, por jo krejt me të njëjtën redaksi dhe do të përmbyllte historishkrimin e letërsisë në gjithë kohështrirjen e saj. Letërsia e brezit të luftës antifashiste dhe ajo e fillimeve të realizmit socialist mund të prisnin edhe ca. Në këtë kuptim, titulli i librit të Besa Hoxhës-Beqirit, Një histori letërsie e ndaluar, është sinekdotik, sepse vetë objekti është vetëm njëri prej tre vëllimeve të së parës histori të letërsisë shqipe hartuar prej një institucioni shkencor. Së paku, në vitin 1968, kur kjo pjesë e historisë së letërsisë shkoi për shtyp, kishte formatimin e një vëllimi, ndonëse përgjatë viteve 1960 në redaksi ishte diskutuar edhe mundësia e ndarjes së tij në dy pjesë. I ndjeri Jorgo Bulo, që ishte njohësi më i mirë i historisë së ndërlikuar të këtij vëllimi, duke qenë për një kohë dhe në përbërje të redaksive të punës për hartimin e tij, për fat të keq nuk është më, për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve që mbeten pa përgjigje edhe në librin “Një histori letërsie e ndaluar” të Besa Hoxhës-Beqirit. Kjo histori është e mjegullt për shkak të zbrazëtive të mëdha në dokumentimin zyrtar të procesit si u konceptua, si u realizua dhe si u ndalua botimi i tij pikërisht ndërkohë që kishte përfunduar faza e parë e shtypshkrimit, radhitja në linotyp dhe qortimi i gabimeve teknike, duke përfshirë nënshkrimin fletë për fletë të librit të gatshëm për botim, siç ishte rregulli i asaj kohe për autorizimin e shtypit. Këto boca gjenden në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ka shkruar Ali Xhiku në studimin monografik “Një pasqyrë e Shqipërisë letrare në vitet 1945-1960” . Ndërsa prof. Jorgo Bulo ka pasur idenë e një shtypjeje fototipike të vëllimit të gatshëm, që përfaqëson, sipas pohimeve të tij, një gjendje përfundimtare të punës së kryer. E vetmja pengesë ishte përgjegjësia ndaj autorëve: përgjegjësia morale e intelektuale së pari, por dhe ajo e autorësisë: ata nuk ishin më gjallë dhe kush mund të advokonte në emër të tyre në rast të moskuptimeve krejt të pritshme në opinionet shkencore e parashkencore? Besa Hoxha-Beqiri nuk ka pasur në duar saktësisht vëllimin e tretë të historisë së letërsisë në gjendjen e vet përfundimtare. Me gjithë kërkimet ngulmuese të saj në arkivat e trashëgimisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ai nuk u gjend. Për fat të mirë, ruheshin tre dorëshkrime të së njëjtës lëndë, si punë në proces, që mund të çmohen si shumë të afërta me vëllimin e munguar. Kur këto tre dorëshkrime u gjetën, Besës iu rikthye besimi i tronditur jo pa arsye se mund t’i përgjigjej denjësisht pyetjes shkencore që i kishte paracaktuar vetes. Ndalimi i vëllimit të tretë të historisë së letërsisë shqipe (1968) pati pasoja në procesin e historishkrimit të letërsisë në tërësi. Sikurse dihet, Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist, e botuar nga Akademia e Shkencave më 1978, mirë a keq kishte sistemuar të dhëna për autorë e vepra të letërsisë së pasluftës, ndërkohë që gjysma e parë e shekullit XX mbetej ende pa histori. Vetëm në vitin 1983, në tekstin Historia e letërsisë shqiptare që nga fillimet deri te lufta antifashiste nacionalçlirimtare, edhe ky botim i Akademisë së Shkencave, lexuesit e studiuesit do të kishin në dorë një paraqitje historiografike për periudhën së cilës i qe dedikuar vëllimi i tretë. Natyrisht, një paraqitje shumë të cungët e të deformuar, pa F. Konicën, Gj. Fishtën dhe G. Schirò-in, të cilët, një dekadë e gjysmë më parë, pikërisht në vëllimin e ndaluar, së paku në pikëpamje të vëllimit, ishin trajtuar thuajse në të njëjtat përmasa me Jeronim de Radën e Naim Frashërin. Sigurisht dhe pa Ernest Koliqin, që mungonte edhe në atë vëllim; pa Vinçens Prennushin, Lumo Skëndon, Branko Merxhanin, Etëhem Haxhiademin, Lame Kodrën dhe shumë të tjerë. Një histori gjenetike e Historisë së ndaluar të letërsisë shqipe, vëllimi i tretë, nuk është shkruar ende. Jo pa arsye është supozuar se nuk dihet ende në ka ndonjë dokument që flet për këtë çështje: ka shumë të ngjarë që vendimi për të mos lejuar botimin e vëllimit të tretë të jetë transmetuar gojarisht . Pas studimit të Besa Hoxhës-Beqirit më së paku dihet mirë se ekzistojnë jo pak dokumente, si të tipologjisë shkencore, ashtu dhe të tipologjisë zyrtare-institucionale: recensione të porositura, recensione të paraqitura vullnetarisht, mendime në formë letrash, diskutime shkencore, procesverbale mbledhjesh të redaksisë, vlerësime individuale dhe kolegjiale, shenjime të bashkëhartuesve të vëllimit dhe qortime mbi daktiloshkrimet (sidomos me dorën e K. Bihikut). Mungojnë vendimet e redaksisë për miratimin e botimit, vendimet e këshillave shkencorë, si dhe, më kryesorja, vendimi i ndalimit. Dorëshkrimi i vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe (1912-1939) ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë më së paku në pesë versione të plota, pa llogaritur materialet fragmentare, që janë pjesë e koleksionit të kësaj tematike, si dhe vëllimin e linotipuar, në gjendje përfundimtare, që mbetet qëllim për një kërkim të ri. Ekzistenca e këtyre versioneve lejon një krahasim tjetër, që nuk ka qenë objekt kërkimor për studimin e Besa Hoxha-Beqirit: krahasimin variantistik, që do të verifikonte më së fundi evoluimin, për mirë a për keq, të mendimit historik-letrar për zhvillimet në letërsinë shqipe në gjysmën e parë të shekullit XX, nga njëra kohë në tjetrën, me vite reference: 1958, 1968, 1972, 1978 dhe në ndonjë moment tjetër të pestë, që për ne është ende i pasaktësuar kronologjikisht. Siç ka vërejtur studiuesja Besa Hoxha-Beqiri, autore e këtij libri, vëllimi i tretë, pasi u nda prej dy vëllimeve të para, rezulton se është konsideruar i përfunduar qysh në vitin 1965, pavarësisht se në shtyp nuk shkoi as atë vit dhe as edhe për tre vjet të tjera, dhe pavarësisht se nuk dihet ende se cili qe autoriteti që e ndaloi më 1968.
…Dy monografitë që dolën prej vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe, siç provohet përmes krahasimit nga studiuesja Besa Hoxha-Beqiri: e para për Faik Konicën dhe e dyta për Gjergj Fishtën , ndonëse të prapavendosura në kohë, me dy vite kronologjizimi: vit i përfundimit të punës dhe vit i botimit , gjithashtu nuk ia kujtuan lexuesit lidhjen me të, madje as që fillimisht ishin shkruar si kapituj të saj. Dhe nuk ishte një punë e padenjë, për të mos u përmendur, sepse, siç e dëshmon monografia e Besa Hoxhës-Beqirit, ishte përpjekja e parë serioze për një tejkalim të kufirit politik e ideologjik në historishkrimin e letërsisë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mund të thuhet se historiografia letrare e periudhës komuniste me këtë vëllim arriti shkallën më të lartë të lirisë së vet, një shkallë lirie që nuk dëshmohet as në botimin e viteve 1959-1960, aq më pak në botimin e vitit 1983. Botimi do të kishte ndihmuar shumë kërkimin shkencor në letërsinë e traditës, që rinisi në vitet 1990 e më pas. Vëllimi do të ishte integruar në bibliografitë shqiptare. Në mos një referencë themelore, së paku do të ishte një referencë alternative krahas studimeve të tjera: mendimit historik-letrar në Shêjzat, në Jeta e re, në Kosovë e në Perëndim. Nuk mund të shpërfillet një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, që kontekstualisht do të ndihmonte të kuptohej si dhe çfarë ndodhi me Historinë e ndaluar të letërsisë: pikërisht në vitin 1968 u përkufizuan kanonet themelore të shkollës dhe arsimit: trekëndëshi revolucionar mësim-punë-kalitje, parimësia dhe boshti ideologjik, filli i kuq marksist-leninist dhe pastërtia ideo-politike. Kjo reformë, e konsideruar me të drejtë si ideologjikisht nga më të rreptat të gjithë periudhës komuniste, preku rrënjësisht programet në të gjitha shkallët e arsimimit, duke përfshirë atë universitar. Kjo reformë qe një kthim prapa në të gjitha pikëpamjet. Nuk është për t’u çuditur që kanonet e kësaj reforme të kenë diktuar edhe për kthimin prapa tek pozicionet politike të vitit 1946, domethënë edhe në qëndrimin ndaj autorëve të përjashtuar prej historisë së letërsisë. Duke qenë se reforma, siç rezultoi shumë shpejt, mori karakterin e një strategjie arsimore, kanonet e saj kushtëzuan ndalimin jo për momentin, por përgjithnjë, të vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe.
…Libri i Besa Hoxhës-Beqirit e rikthen në vëmendjen e studiuesve historinë e ndaluar të letërsisë dhe e vendos atë në vargorin jo aq të gjatë prej rreth një shekulli historiografie letrare shqiptare. Nëse autorja do ta thellojë kërkimin e saj, për një histori të historisë së letërsisë shqipe, atëherë do të dilte nevoja për saktësime në kalendarin e saj, për ta historizuar gjithë procesin, për të gjetur përgjigje edhe për pyetje të tjera. Një ndër to është: kush e përcaktoi kufirin e ri të përjashtimit, autorët problematikë e kontradiktorë po (F. Konica, G. Schirò, Gj. Fishta, V. Prennushi), por kolaboracionistët jo (Ernest Koliqi, Mit’hat Frashëri, Anton Harapi)? Ishin studiuesit vetë, apo kishte një qëndrim zyrtar politik-shtetëror? Kështu, me botimin e librit të Besa Hoxhës-Beqirit, del nga heshtja një çështje që shkencës së studimeve letrare i intereson shumë. Autorja ka ofruar mundësinë për kërkime të mëtejshme rreth të quajturit pranim kritik i traditës letrare, një mundësi, ndonëse jo më e mira, shumë më e frytshme se mundësitë tejet të kufizuara që ofruan tekstet shkollore dhe universitare të historisë së letërsisë të gjysmës së dytë të shekullit XX.
* Nga pasthënia e librit “Një histori letërsie e ndaluar”