Nga Iva Tiço
Jonida Maliqi është një perfeksioniste dhe detajiste e lindur. Në mbi pesëmbëdhjetë vjet që e njoh, nuk e kam parë kurrë të shkujdesur, madje as në palestër, as duke ngrënë. Në skenë jo e jo. E merr gjithçka me një seriozitet të jashtëzakonshëm, sidomos kur bëhet fjalë për skenën, ku e kam parë të përjetojë gjithmonë emocion sikur të ngjitet për të parën herë çdo herë dhe jo sikur ka vite e vite që e bën këtë gjë. Nuk është aspak e ngjashmja ime, është krejt e kundërta madje, por kjo nuk më bën as që të mos e ndjek me interes dhe as të mos e admiroj në gjithçka që bën.
Sot mësova që nuk ditka anglisht ujë! E mirë, e çfarë pastaj? Kam takuar këto vitet e fundit me dhjetëra të huaj, sidomos italianë e grekë, njërëz të artit apo biznesit, që ]asin anglisht shumë më keq sesa ajo dhe nuk u vjen fare rëndë të ]asin, të mbarojnë punë dhe të shkojnë pastaj në punë të tyre. Nuk kanë këtë kompleksin tonë shqiptar, që kur vjen puna tek gjuhët e huaja, kemi turp të ]asim aq sa dimë, se mos na vënë në lojë të tjerët. Tipike për popujt e vegjël, të kompleksuar, që u duhet të shpjegojnë me dhjetë fjalë se pranë kujt dhe përballë kujt vendi tjetër gjendet vendi i tyre, kur u qëllon të takojnë ndonjë të huaj që vjen nga vend dhe gjuhë “e madhe”, e që skuqen e futen dhjetë pashë nën dhé nga ideja se po ngatërrojnë kohën e foljes dhe ai tjetri do t’i kapë në gabim… Po ja që ai tjetri përballë nuk është aq mendjengushtë sa ne, sa të mendojë vogëlsira të tilla. Po të ishte në vendin tonë, do ndihej inferior madje, që nuk ]et asnjë fjalë të gjuhës tonë, ndërsa ne biblilosim, edhe pse me gabime ndoshta, në gjuhën e tij… Por një “i jashtëm” nga një vend i madh me gjithë gjuhë “të madhe”, nuk ndihet kurrë inferior. Nuk ka sesi. Ai thjesht nuk është “NE”.
Për të gjithë botën, në fjalë të thjeshta, gjuha është një grumbull tingujsh të shprehura në sistem kodesh dhe shenjash, që shërben për t’u marrë vesh. Kur
kemi kode dhe shenja të ndryshme, mundohemi të mësojmë të njëri-tjetrit sa më mirë të mundemi ose aq sa na duhet a na intereson. Ka njerëz që kanë pasion dhe dëshirë për të mësuar sa më mirë shumë kode të tilla. Ka të tjerë që mjaftohen me aq sa “të kryejnë punë”, të mos humbin rrugën kur janë në një vend të huaj apo të ndërtojnë një bashkëbisedim të këndshëm e sipërfaqësor për të shtyrë rrugën në tren, për të kuptuar çfarë thuhet në një elm apo për të shitur e blerë në një biznes të caktuar. Do thoni ju, ata nuk japin intervista në Eurovizion si Jonida sot! Epo mirë, po ndoshta duhet ta kuptojmë që Eurovizioni dhe të ngjashmit e vet, nuk janë festivale për anglishten e për gjuhët e huaja në përgjithësi. Festivali Europian, ku Jonida sot bëri sakrilegjin e të folurit anglisht me gabime në një intervistë, është thjesht festival kënge dhe aty mund të shkosh edhe po të mos dish as edhe një fjalë për be në anglisht. Madje Jonida Maliqit bravo i qoftë, ka vendosur të këndojë shqip këtë vit, qoftë sepse kënga tingëllon më mirë ashtu dhe qoftë dhe thjesht për t’i hequr vetes atë sikletin e të komentuarit nga ata që kërkojnë gjilpërën në kashtë te gjithë këngëtarët shqiptarë që kanë kënduar anglisht këto vite: “jo po e shqiptoi kështu, jo po sa turp që e tha ashtu”. A thua se me anglishten e tyre perfekte do t’i kishin kanat të hapura dyert e festivaleve. Se festivalet na u bëkan për shqiptimin e anglishtes dhe jo të muzikës, interpretimit, emocionit që sjell në skenë!
Eshtë tejet shqetësuese të shohësh numrin e komenteve bulliste për anglishten e Jonida Maliqit sot. Më keq sesa për Eneda Tarifën vite të shkuara, për të njëjtën gjë… Do doja shumë të shihja sa mirë dinë ta shkruajnë e ta lexojnë shqipen, gjuhën e nënës, këta linçuesit në rrjet. Apo t’i dëgjoja duke kënduar këngën “Ktheju Tokës”. Kur ta bëjnë këtë në shqip më mirë sesa Jonida Maliqi, po, u takon ta hapin gojën. Por përvoja na tregon që këta të rrjetit në përgjithësi janë ata që nuk është se bëjnë ndonjë gjë të madhe me jetët e tyre, sulmet i mbajnë gjallë dhe ua mbushin zbraztinë e ditëve. Sot gjetën Jonidën me diçka që asaj i paska shpëtuar nga rregulli i të qenit përherë në perfeksion. Ndoshta Jonida që kam njohur gjithë këto vite, kohët e fundit do ketë nisur të ndryshojë, t’i marrë gjërat më lehtë dhe të shijojë momentin, të shijojë çdo sekondë të Festivalit Europian të Këngës, me gjithçka që ka ai, në skenë e jashtë saj.
Shpresoj me të vërtetë të jetë kështu, sepse si joperfeksioniste dhe e shkujdesur, krejt e kundërta e saj, më duket shumë i vështirë modeli tjetër… Por edhe në mos qoftë kështu, do doja t’i thoja thjesht: Goce, mos e vrit fare mendjen, këndo bukur në shqip, se për atë punë ke shkuar atje. Dhe thuaju të gjithë këtyre të rrjetit “fuck you!”. Shqiptoje si të duash, këtë do ta kuptojnë mirë.