Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Shtatë trimëritë e Herkulit, shtatë shalianët, shtatë letrat… dhe miti

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

Shtata është numër që vjen nga miti. Shtatë ditë ka java, shtatë herë u ul në ndjenjëse shkrojtësi dhe shtatë herë i vuri vulën përsipër. Numerologjia është një fushë që ndihmon shumë mendjet e lodhura nga trazirat e brendshme.

Me thënë të drejtën ai donte ta linte me gjithë zemër tek numri gjashtë, por dikush i foli për të paudhin që e identifikojnë me këtë numër. Ju kujtua që dikur një kazanar i pati rrëfyer për Iron Maiden dhe këngën e tyre të mirënjohur “Number of the beast”. Nuk ia vuri shumë veshin bishës, por numrit edhe në at’botë. Pas numrave është i dhënë, sepse tek ata gjen mistiken, gjen një besim që nuk është i kultivuar në breza, por brenda qënies së tij të përsosur.

Para dy vjetësh rrëmbehu dyshin dhe kënaqi më në fund dëshirën të ngrinte dy gishtat si një herë e një kohë para se ta përzinin nga Partia Demokratike. I njëjti kazanar atë mbrëmje ishte duke ndjekur mbledhjen, kur ai doli marrok dhe briti: “Këto gishta nuk m’i pret dot njeri!”. Askush nuk mbante gërshërë me vete atë natë.

Numrat ia sjellin jetën mbarë ose ters. Në listën elektorale të dy vjetëve më parë urdhëroi të “vritej” partia me numrin 13. Ters i madh trembëdhjeta, prandaj Saimiri u fut me kokë. Ngjante me dikë që hapte gropën për të kallur kufomën e trembëdhjetës në fjalë atje, por ra vetë dhe ai, Mjeshtri u përkujdes ta mbulojë me dhe përgjithmonë.

Sërish numrat i duhen, se ata janë të magjishëm. Kur i thanë sa mandate të duhen kërkoi një numër mbi shtatëdhjetë, sepse kanë shtatën brenda, por mbi të gjitha mitologjia ka përtuar të shkojë deri atje. I del atij për detyrë që këto numra t’i kthejë ai në mit dhe bashkë me to veten. Prandaj, i ngjit në bluze, në rrugë, në ballina ngrehinash.

I pëlqeu numri 30, sepse është i plotpjestueshëm, numër i rregullt, numër bujar, numër i bereqetit. Një ndërtesë me tridhjetë kate ka më shumë duk se një ndërtesë me pesëmbëdhjetë të këtilla. Profesori Robert Langdon mund të jetë më i zoti të shpjegojë magjinë e këtyre numrave dhe shenjave, të cilat pa dyshim që shenjojnë rrjedhja, fate, mbarësi a fatkeqësi për vetëm një mit dhe të vetëm. Në fakt, miti, në këtë dekikë është në fazën e larvës që shumë-shumë zvarritet, por shumë shpejt do fluturojë, sepse do të kthehet në flutur. Rëndësi ka që veç numrat ta ndihmojnë.

Ndaj i pëlqeu tridhjeta, ndaj e krijoi të puthitur pas një bluze mavi, por do ti që ata nuk e kishin hedhur ende shortin. “Kujt i bëjnë ata si të pavarur? Mitit i bëjnë ata si të pavarur?”. Ja, e hodhën shortin dhe zanat deshën ta caktojnë numrin 30, një ditë më vonë, pasi ai e kishte parë tridhjetën në vegimet e tij në odën e fluturave.

Ndaj, u ul në ndenjëse dhe shkroi të shtatën. Për të shtatën herë përsëriti që ai nuk ka asnjë kurrfarë faji. Është i qashtër si djalka që ende nuk është prekur, jo si në tregimin “Ina, Ina uli brekët”, gur kilometrik i letrave shqipe.

Ai është i qashtër si vesa e mëngjesit, si ujët e ndjenjur të gjirizit, të cilat nuk i lot kush. Ai është i qashtër, se po plotëson numrat e profecisë, e cila do ta rilindë në mit.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej