Tiranë/Gjenevë (12 dhjetor 2016) – Një grup ekspertësh i Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje sot Qeverisë Shqiptare të miratoje “një politikë kombëtare gjithëpërfshirëse që njeh plotësisht krimet e së kaluares, duke përfshirë Zhdukjet me Forcë dhe zbaton efektivisht të gjitha aspektet që lidhen me të vërtetën, drejtësinë, shpagimin, kujtesën dhe garancinë për mospërsëritje”
“Shqipërisë i duhet akoma punë për të pranuar trashëgiminë e dhimbshme të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të kryera nën komunizëm,” tha një delegacion i Grupit te Punës të OKB-së për Zhdukjet me Forcë ose Kundër Dëshirës në fund të një vizite zyrtare tetë-ditore ne vend*.
Duke vlerësuar Qeverinë Shqiptare për ndërrmarrjen e një numri hapash pozitive, ekspertët e të drejtave të njeriut Houria Es-Slami, e cila aktualisht kryeson Grupin e Punës dhe Henrikas Mickevicius, theksoi që zhdukja me forcë nuk mund të konsiderohet si një çështje e së kaluarës: “Ky vazhdon të mbetet një krim deri sa të sqarohet përfundimisht fati dhe vendndodhja e personit te zhdukur. Ka ende nevoje për të sjellë të vërtetën për familjet e të gjithë atyre që janë zhdukur nën diktaturën komuniste dhe të cilët vazhdojnë kërkimin për të dashurit e tyre, duke përfshirë dhe inspektimin e të gjithë vendeve të varrimit, ku dyshohet se mund të jenë varrosur këta persona”, thanë ata.
Ekspertët gjithashtu theksuan çështjen e përgjegjësisë juridike: “Ndërsa nuk ka raportime aktuale për raste të reja të zhdukjeve me forcë, si dhe janë ndërmarrë hapa legjislative për të parandaluar ndodhjen e zhdukjeve me forcë në të ardhmen, shumica e krimeve dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në Shqipëri gjatë komunizmit mbeten të hetohen dhe dënohen. Ne u informuam se gjatë viteve të para pas rënies së komunizmit, disa raste filluan procesin e ankimimit dhe ju drejtuan gjykatave, por asnjë rast i zhdukjeve me forcë të kryera gjatë këtyre viteve nuk ka arritur ndonjëherë në gjykatat shqiptare,” thanë ata.
Ekspertët e mirëpritën ligjin që lejon hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe u shprehën pozitivisht se kjo do të lehtësojë arritjen e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre. “Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara, si qeveritare dhe jo-qeveritare, për të mbështetur plotësisht punën e këtij Autoriteti të ri, në mënyrë që të maksimizojë rezultatet e tij”, vunë në dukje ata.
“Ngurrimi për të hedhur dritë në të shkuarën do të pengojë Shqipërinë për të ecur përpara në të ardhmen shumë premtuese që ajo po përpiqet për të ndërtuar për vete”, thanë ata, duke i bërë thirrje shtetit për të inkurajuar dhe lehtësuar një debat kombëtar publik për trashëgiminë e së kaluarës komuniste dhe se si të tejkalohen në mënyrë kolektive pasojat e saj të dhimbshme. “Iniciativat aktuale pozitive që synojnë qeverisjen e mirë, ndërtimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës, nuk mund dhe nuk do të arrijnë potencialin e tyre të plotë, në qoftë se kufizohen nga e kaluara e dhimbshme e vendit.”
“Nuk është tepër vonë për shërim dhe pajtim”, thanë ata. “Grupi i Punës është i gatshëm për të mbështetur Qeverinë Shqiptare dhe qytetarët e saj në përpjekjet që synojnë arritjen e një shërimi të tillë, si dhe zbatimin e plotë të Deklaratës për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Forcë ose Kundër Dëshirës.”
Nga 5 deri me 12 dhjetor të vitit 2016, delegacioni i Grupit të Punës u takua me një numër të lartë zyrtarësh të shtetit, organet gjyqësore, si dhe me të afërmit e njerëzve të zhdukur dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
Një raport përfundimtar mbi vizitën do të paraqitet në Këshillin e OKB-së të të Drejtave të Njeriut në shtator 2017.
(*)http://www.ohchr.org/…/PreliminaryObservationsAlbania12Dec2…
Grupi i Punës për Zhdukjet me Forcë ose Kundër Dëshirës përbëhet nga pesë ekspertë të pavarur nga të gjitha rajonet e botës. Krye-Raportuese është zonja Houria Es-Slami (Marok) dhe zëvendës i saj është zoti Bernard Duhaime (Kanada); anëtarë të tjerë janë zoti Tae-Ung Baik (Republika e Koresë), zoti Ariel Dulitzky (Argjentinë) dhe zoti Henrikas Mickevicius (Lituani). Për të mësuar më shumë, vizitoni faqen e internetit: http://www.ohchr.org/…/Disap…/Pages/DisappearancesIndex.aspx
Grupet e Punës janë pjesë e asaj që njihet me emërtimin Procedurat Speciale të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Procedurat Speciale, trupa më e madhe e ekspertëve të pavarur në sistemin e të drejtave të njeriut në OKB, është një emërtim i përgjithshëm që përdoret për mekanizmat e pavarur të Këshillit për gjetjen e fakteve dhe monitorimin. Personat e mandatuar të Procedurave Speciale janë ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut të caktuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut për të adresuar situatat specifike në një shtet, ose çështjet tematike në të gjitha anët e botës. Ata nuk janë pjesë e stafit të OKB-së dhe janë të pavarur nga çdo qeveri ose organizatë. Ata shërbejnë në cilësinë e tyre si individë dhe nuk paguhen për punën e tyre.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, faqja e Shqipërisë: http://www.ohchr.org/…/Count…/ENACARegion/Pages/ALIndex.aspx
Për më shumë informacion dhe për kërkesat nga media:
Zonja Gabriela Guzmán (+41 22 917 9412 / (+41 79 894 7526 / [email protected])
Zonja Nora Kushti (+355 69 20 90 253 / [email protected])
Këtë informacion për mediat mund ta gjeni në: http://www.ohchr.org/…/Dis…/PRAlbania12Dec2016_Albanian.docx
Për kërkesa nga media lidhur me ekspertët e tjerë të pavarur të OKB-së:
Zoti Xabier Celaya – Komunikimi me Mediat (+ 41 22 917 9383)