Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe përfaqësuesi i opozitës, Klevis Balliu, sulmoi Raportin e Integrimit 2025, duke e cilësuar atë si “një dokument propagandistik që fsheh degradimin e shtetit shqiptar nën korrupsionin, krimin e organizuar dhe kapjen politike të institucioneve”.
Balliu deklaroi se procesi i IBAR-it për Shqipërinë është vonuar sërish, pasi 9 vende anëtare të Bashkimit Europian kanë kërkuar shpjegime shtesë për problematikat në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe standardet demokratike.
“Ky është alarm politik dhe diplomatik që rrëzon propagandën e qeverisë për ‘rekorde historike’ dhe ‘integrim të pakthyeshëm’. Me propagandë nuk integrohet askush në Bashkimin Europian”, deklaroi Balliu nga Kryesia e Kuvendit.
Sipas tij, Shqipëria vazhdon të identifikohet ndërkombëtarisht si korridor i trafikimit të drogës dhe qendër e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit.
Balliu përmendi raportet e antimafias italiane dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, duke theksuar se “kartele të rrezikshme shqiptare dhe të huaja, përfshirë grupe të lidhura me Ndranghetën dhe kartelin Sinaloa, përdorin sektorin e ndërtimit për pastrim parash”.
Ai akuzoi qeverinë se ka shkatërruar tregun dhe sigurinë ekonomike të qytetarëve përmes “kullave të ndërtuara me para kriminale”, që sipas tij kanë rritur artificialisht çmimet e pronave.
Balliu sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama për daljen publike në mbrojtje të AKSHI-t.
“Sapo takoi ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, Edi Rama doli me flamurin europian për të mbrojtur AKSHI-n dhe për të sulmuar prokurorët. Përdorimi i flamurit të Bashkimit Europian për të mbuluar skandale korruptive është akt i turpshëm”, u shpreh ai.
Sipas Balliut, raporti injoron edhe konstatimet e OSCE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025, ku evidentohen përdorimi i burimeve shtetërore, presioni ndaj administratës dhe ndikimi i elementëve kriminalë në procesin zgjedhor.
Ai ngriti akuza të forta edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke deklaruar se operacionet kundër krimit dekonspirohen nga segmente të inkriminuara brenda strukturave shtetërore.
Janë prerë qindra fletë-arreste, por 231 prej tyre janë ende të paekzekutuara. Kjo do të thotë se kapen ushtarët, ndërsa bosët e krimit nuk preken kurrë”, deklaroi Balliu.
Në vijim, ai e cilësoi “kolaps institucional” gjendjen në sistemin gjyqësor, duke publikuar shifrat e stokut të çështjeve:
– Gjykata e Lartë: 16.445 çështje;
– Gjykatat e Apelit: 56.990 çështje;
– Apeli Administrativ: 24.530 çështje;
– Gjykatat e Përgjithshme: 39.767 çështje;
– Gjykatat Administrative: 8.396 çështje;
– GJKKO: 223 çështje.
“Në total janë 147.351 çështje të mbartura. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, deklaroi Balliu.
Në fund të reagimit të tij nga Kryesia e Kuvendit, ai kërkoi transparencë të plotë për Kapitullin 24 dhe procesin e IBAR-it, auditim të pavarur për AKSHI-n dhe projektin “Smart City Albania”, si dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Integrimi europian nuk është dekor politik për propagandën e qeverisë. Integrimi europian është standard, shtet ligjor dhe besim. Sot Shqipëria po largohet nga këto standarde për shkak të një qeverie të zhytur në korrupsion dhe lidhje me krimin”, përfundoi Balliu.










