Nga Dritan Shano
Edhe drurët e Shqipërisë e dinë se çdo afrim me Bashkimin Europian, varet vetëm nga organet vendim-marrëse të BE-së, dhe se vendimi i tyre do jetë thelbësisht politik, strategjik, në përputhje me peshën e konjukturën politike dhe të tashmen e pritshmëritë gjeopolitike, për ne si Shqipëri, apo dhe vendet e tjera që ecin në këtë rrugë me shpejtësi të ndryshme. Ky vendim i BE kurrsesi nuk do të ketë të bëjë me plotësimin e standarteve ligjore, politike dhe ekonomike nga ana e Shqipërisë. Jo për gjë, por shumica e vendeve anëtare të BE nuk i plotësojnë për vete ato standarte të shkruara në letër në Mastricht.
Përveç kësaj, ajo çka artikulohet si plotësim i standarteve të Demokracisë funksionale, Sundimit të Ligjit dhe Kriterit Ekonomik, është në fakt vetëm një verifikim i përhershëm i përputhshmërisë së sistemit të vlerave tona me ato të vendeve të BE-së. Sa të vërtetë jemi apo sa të rremë jemi. Sa përputhet ajo që premtojmë me atë që bëjmë.
Nëse Serbia dhe Mali i Zi janë sot një hap më pranë BE, kjo nuk është për ndonjë progres të hatashëm që ata kanë bërë, porse si kombinim i rëndësisë strategjike që këto dy vende kanë për BE kundrejt gjithë vendeve të tjera, dhe sepse vendim-marrësit e BE shohin tek sjellja e qeverive të këtyre vendeve një rritje të përngjasimit mes sistemit të vlerave që këto kanë adoptuar dhe zbatojnë me atë sistem vlerash që ka BE.
Nëse prania ruse dhe arabe në këto vende është një nxitës i proçesit të integrimit të këtyre vendeve në BE, atëhere na takon të kuptojmë se strategjia jonë për t’i sjellë BE-së, Kinën dhe Turqinë tek porta nuk paska qenë strategjia e duhur.
Kujtoj se që prej më shumë se një dekade, zyrtari i lartë i BE, Reinhard Priebe u shpreh: “Tani varet nga ju. Nëse deri dje ishim ne që ecnim dhe ju tërhiqnim, sot e tutje do qëndrojmë krah për krah – po ecët ju do ecim dhe ne. Nuk ka ndryshe.”
Qysh atëherë, gjithnjë e më shumë, Shqiptarët nuk i besojnë më as BE, dhe aq më pak Qeverive të tyre. Ata nisen me çdo formë e mënyrë drejt BE për të marrë personalisht qytetarinë e tyre europiane, atë qytetari që BE nuk ja njeh Qeverive që sundojnë me radhë Shqipërinë dhe që Qeveritë e dinë se nuk e meritojnë, por thjesht shpresojnë se mund ta marrin qyl, pavarësisht varfërimit dhe shkretimit të vendit në favor të vetëm pak sulltanëve të rinj. Në fund, ky proces radiografik mes Komisionit të BE dhe Qeverive Shqiptare vijon të kumbojë boshllëk – ai i ngjan një vargu kënge të Jon Bon Jovit: “You play your farse, I play my game”.
Nuk e di nëse kjo këngë do mbarojë ndonjëherë, por jam i sigurt se kur shumica absolute e shqiptarëve do jenë bërë qytetarë të BE-së, me metodat e veta personale, vendi i tyre – Shqipëria ende nuk do ketë arritur të hyjë në BE. Është e qartë se çdo shqiptar e ka strategjinë e vet sesi të hyjë në BE, ndërsa qeveria nuk ka asnjë strategji të tillë. Sepse, koha po e demonstron se BE nuk ka problem të pranojë në gjirin e saj shqiptarët, por e ka problem të pranojë në BE qeveritë e shqiptarëve.