Një natë e gjatë për të gjithë shqiptarët. Mungesë e energjisë elektrike, bllokim i rrugëve dhe dhjetëra banesa të përmbytura. Deri tani raportohen 315 banorë të evakuuar. Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë gjithë natës, e paralelisht me to edhe Emergjenca Civile. Uji në disa vende të Shqipërisë arrin deri në 1 metra ndërsa shumë akse janë të bllokuara.
Data 01.12.2017
Ora 08:30
Çahen dy argjinatura të Vjosës
Në Vlorë situata vijon të rëndohet në orët e para të mëngjesit, ku si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës ka rritur nivelin e ujit në lumin Vjosa. Si pasojë, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje masive në zonat përreth. Fillimisht janë çarë argjinaturat në Mifol dhe Bisan, duke bërë të mundur që uji të vërshojë në fshatrat Novoselë, Mifol, Fitore e fshatra përreth tyre.
Ora 21:20
Rrëzohet ura në Delvinë, 350 familje mbeten të bllokuara
Një urë prej hekuri që shërbente për të lidhur fshatin Vane në Bashkinë e Delvinës me pjesën tjetër të rrethit është rrëzuar. Sipas raportimeve, 350 familjen mbeten tashmë të bllokuara. Kjo pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër komunikimi me rrugën nacionale.
Ora 20:00
Pallati i Sportit në Vlore përgatit shtretërit për të evakuuari
Rreth 1000 banorë të 6 fshatrave në Vlorë, pritet që të shkojnë në Pallatin e Sportit të qytetit për të kaluar natën si pasojë e përmbytjeve. Megjithatë shumica e tyre kanë preferuar të qëndrojnë nëpër shtëpi. Ka qenë gjithashtu një numër i vogël qytetarësh që kanë nisur akomodimin e tyre pranë të afërmëve.
Ora 18:33
Del nga shtrati lumi Shkumbin
Lumi Shkumbin ka dalë tashmë nga shtrati, si pasojë e reshjeve të shumta, duke ka përmbytur dhjetëra hektarë me tokë bujqësore dhe serra. Konkretisht mësohet se si pasojë e daljes nga shtrati të lumit, janë përmbytur Njësitë Administrative Papërr, Pajovë, Polis. Banorët e këtyre fshatrave shprehen se kanë frikë nga përmbytja e banesave. Situatë e rënduar paraqitet edhe në disa fshatra të bashkive të Gramshit, Librazhdit, Përrenjasit, Peqinit, dhe Belshit, ku në shumë fshatra mungon energjia elektrike
Ora 18: 07
40 familje në Picar në rrezik për jetën nga përmbytja
Rreth 40 familje në fshatin Picar të Gjirokastrës rrezikojnë përmbytjen, shprehen burime nga Emergjencat Civile në Prefekturë. Disa prej banorëve janë evakuuar, por vijon ende puna në terren. Uji ka hyrë brenda banesave duke rrezikuar jetën e banorëve. Situata do rëndohet më shumë në orët në vijim, prandaj kërkohet që të bashkëpunohet me autoritetet e emergjencave.
Ora 17:10
Hidrocentralet hapin portat
Rreshjet e të paktën 48 orëve të fundit kanë mjaftuar për rritjen e nivelit të ujit në hidrocentrale. Madje duke i detyruar ata edhe të hapin portat, për shkak të tejmbushjes së rezervuarit. Të tillë janë hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës, të cilës që prej mbrëmjes së djeshme kanë hapur portat për të shkarkuar ujin.
Ora 16:40
Shijak, shemben tre ura, izolohen banorët, 40 të evakuuar
Shemben tre ura në Shijak duke bllokuar tre fshatra, Gjepalaj, Çizmel dhe Shetel. Qarkullimi është i pamundur duke izoluar banorët e fshatrave. Ndërsa probleme ka edhe në Ballias, pasi janë bllokuar rrugët. Deri tani raportohet se janë përmbytur 50 banesa, 40 familje janë evakuuar, vijon operacioni nga Emergjencat Civile për shpëtimin e banorëve të tjerë që janë në rrezik.
Ora 16:15
Përmbytjet, rihapet autostrada Tiranë-Durrës pas 20 orësh
Rihapet për qarkullimin e automjeteve pas 20 orësh, autostrada Tiranë-Durrës. Ky aks u bllokua pasditen e djeshme për shkak të reshjeve intensive të shiut të cilat sollën edhe përmbytjen e segmentit pranë Vorës. Dhjetëra automjete mbetën të bllokuara mes ujit, ndërsa Forcat e Armatosura evakuuan qytetarët e izoluar.
Ora 14:30
Shembet një tjetër urë në Krujë
Pas urës së Drosë, një tjetër urë është shembur në aksin Krujë-Qafë Shtamë. Shkak i shembjes së kësaj ure janë bërë reshjet e dendura të shiut, si dhe rrëshqitjet e dherave. Duhet të theksojmë faktin se kjo urë lidhte 5 fshatra.
Ora 13:20
FA ndërhyn me helikopter, i vijnë në ndihmë banorëve të Mallkuçit
Fushë-Kruja është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet, ndërsa më në rrezik raportohet të jenë disa familje në fshatin Mallkuç. Një banor i këtij fshati ka apeluar për ndihmë, duke sqaruar se po ju rrezikohet seriozisht jeta. Në lidhje me situatën e krijuar atje, ka reaguar Minsitria e Mrojtjes, e cila ka dërguar helikopter për t’i evakuuar.
Ora 13:11
Përmbytjet nuk kursejnë as ish-Kënetën në Durrës (film)
Me dhjetëra familje nën zonën e ish-Kënetës në Durrës janë zhytur nën ujë gjatë ditës së sotme ndërsa problematika ka ardhur si rezultat i bllokimit të kanaleve dhe mos pastrimit të tyre në vite. Uji ka hyrë në disa banesa në ish-kënetë, dhe banorëve ju kanë dalë jashtë përdorimi çdo orendi shtëpiake.
Ora 12:54
Parashikim për përmbytjet
Gjatë ditës së sotme (e premte, dt.01.12.2017) deri të shtunën (dt.02.12.2017) priten reshje shumë intensive, në pjesën jugore të vendit, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa. Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. Këto reshje mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet (Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër).
Në qarqet e vendit është vendosur shenja e rrëshqitjeve të tokës për shkak të intensitetit shumë të lartë të reshjeve dhe vërshimeve nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël.
Ora 11:15
Portet/ Vlora e përmbytur, në Sarandë ndalohen tragetet, Durrësi në kontroll
Situta e përmbytjeve që ka goditur gjithë vendin është ndjerë edhe në portet kryesore, si ai i Durrësit i Vlorës dhe Sarandës. Portet më problematike duket se janë ato të Vlorës dhe Sarandës, ku udhëtimi i trageteve është ndalur.
Ora 10:13
Rreziku nga përmbytjet në Fier, Vjosa del nga shtrati, pa energji disa fshatra
Situata paraqitet me rrezik për orët në vijim në jug të vendit. Kështu, bëhet e ditur se Vjosa ka dalë nga shtrati (në pjesën e Vlorës), ndërkohë që Shtabi i Emergjencave të Vlorës është aktualisht duke koordinuar punën edhe me qarkun e Fierit. Ndërkohë Gjanica dhe lumi Seman janë në kuotat normale. Gjatë natës në Fier është ndërprerë energjia në disa fshatrat e njësive administrative Levan dhe Frakull si pasoje e defekteve ne izolatorët e shtyllave te tensionit të lartë.
Ora 08:50
Shpëtohen 16 qytetarë te City Park,me gomone në autostradë
Që pas pasdites së djeshme ushtria vijon operacionin në autostradën Tiranë-Durrës për të shpëtuar qytetarët që janë bllokuar pas përmbytjes së aksit. Operacioni është shtrirë edhe në qendrën tregtare të City Park, ku ndodhen një numër i madh personash të bllokuar, ndërsa deri në orën 02:45 janë shpëtuar 16 persona. Ushtria shqiptare disponon 10 gomone, të cilat janë të gjithë në përdorim në terren për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur.
Ora 08:23
Njoftimi i Emergjencave Civile, situata deri në orën 08:00
Nisur nga situata e rënduar si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë gjatë ditëve të fundit dhe diteve në vazhdim të fillim muajit dhjetor, Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve të evitojnë lëvizjet e panevojshme të këmbësorëve dhe qarkullimin e mjeteve në akset rrugore që paraqesin rrezik nga përmbytjet.
Ministria e Brendshme dhe të gjithë strukturat të cilat po punojnë për ta menaxhuar këtë situatë në terren kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunim e tyre.
Ministria e Brendshme do të njoftojë qytetarët për zonat dhe akset rrugore që paraqesin problematike me përmbytjet dhe kërkon prej tyre angazhim për të përballuar sëbashku me solidaritet këto ditë të vështira me rreshje.
Në bazë të parashikimeve të motit, në orët dhe ditët në vijim pritet një situatë e rënduar e reshjeve të shiut, të cilat mund të kalojnë nivelet normale. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj situate duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:
• Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj.
• Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.
• Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet. Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.
• Duhet të shmangen në maksimum kalimet në urat e lumenjve me prurje të shtuar dhe rryma të fuqishme.
• Në situata rrymash të parapritura, duhet të kërkoni më shpejtësi një vend të lartë për t’u ruajtur.
• Në se niveli i ujit në afërsi të automjetit tuaj rritet, por nuk lëviz, duhet të lini automjetin për të gjetur një vend më të lartë. Por, mos e braktisini automjetin për t’u futur në një rrymë të fortë uji.
• Shmangni parkimin e automjetit në afërsi të lumenjve apo përrenjve gjatë reshjeve të rënda, pasi ato mund të përmbyten shumë shpejt.
• Shmangni qëndrimin apo parkimin në rrugët që janë në buzë të lumenjve. Shpesh herë ujërat mund të gërryejnë bazamentin e rrugës, duke e bërë atë të rrezikshme.
• Mbani të hapur radion apo televizorin për të marrë njoftimet që mund të jepen nga autoritetet kompetente.
• Mbani në gatishmëri mjete e komunikimit, sidomos telefonat celularë, duke siguruar gatishmërinë e baterive.
• Mbani në gatishmëri mjete të ndihmës së shpejtë, medikamente të domosdoshme, mjete ndriçimi etj.
• Futini në mjedise të mbyllura orenditë apo mjete të tjera që zakonisht i mbani jashtë. Mundësisht vendosini orenditë në pika të larta brenda shtëpisë për të parandaluar dëmtimin gjatë përmbytjeve.
• Shkëputni sa më shumë pajisje elektrike nga rrjeti dhe mos i prekni ato nëse janë në lagështi ose nën ujë.
• Kini kujdes nga goditjet elektrike që mund të vijnë nga rënia e telave të tensionit në pellgjet me ujë.
• Njoftoni në numrin 112 apo në çfarëdo forme tjetër komunikimi për problemet që mund të keni.
Disa rrugë të bllokuara në mbarë vendin për shkak të vërshimit të ujërave. Si pasojë e intensitetit të lartë rreshjeve të shiut, aksi rrugor Kardhiq-Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rrugë tek pika e Viroit. Aksi Fushë Krujë-Laç, kalohet me vështirësi pasi përballë lokal Arbëria në Fushë-Krujë ka dalë uji në rrugë.
Autostrada ne drejtimin Tiranë-Durrës eshte e kalueshme, ndersa nga Durresi drejt Tiranes eshte ende e bllokuar dhe po punohet per hapjen e saj. Nga Durrësi për të ardhur në Tiranë drejtuesit e mjeteve të qarkullojnë në aksin Durrës-Vorë-Rinas-Laknas-Kamëz deri ne nje njoftim te dyte.
Rruga nacionale Vlorë- Llogora është bllokuar.
Gjendja e lumit Vjosa është kritike pasi niveli i ujit tashmë është 5 m dhe nëse arrin në 6,3 del nga shtrati.
Fshatrat e Fushë-Krujë janë tërësisht të mbuluar me ujë, gjithashtu edhe një pjesë e qytetit.
Është bllokuar qarkullimi i automjeteve në aksin Laç-Fushë Krujë.
Aksi nacional Gjirokastër Kakavijë vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të erozionit të krijuar nga ujërat në një pjesë të rrugës.