Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Shkatërrimi që erdhi natën, një javë pas tërmetit që “gjunjëzoj” Shqipërinë…

Nga 27.al 0

Nga Kujtim Xhaja

Sot do të shkruaj për një datë, e cila do të mbetet e pa harruar për jetësisht në memorien time dhe jo vetem timen besoj, por në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të cilët prej më shume se 4 dekadash nuk e kishin ndjerë atë tronditje që iu erdhi me pabesi natën…

26 Nëntor, e martë, ora 03:54…disa lëkundje të forta, të cilat duken sikur vijnë thellë me furi nga nëntoka më cojnë direkt nga krevati në gjendje alarmi. Lëkundjet sa vijnë e bëhen më intensive, duken sikur s’kanë të sosur. Disa ulërima, dëgjohen në pallat, një zhurmë konfuze krijohet dhe pas pak sekondash dritat elektrike shuhen e në mestë atij paniku nuk shquhet më asgjë.

Duket sikur lëkundjet ishin shuar tashmë dhe ashtu në gjendje paniku dhe i c’orjentuar bëj të zbres shpejt poshtë pallatit 6 katësh në një periferi të Tiranës. Duket se nuk isha i vetmi në gjithë atë zallamahi të krijuar, e gjithë shkalla ishte mbushur plot me familjarë të cilët shtrëngonin fortë fëmijët gjysmë veshur, gjysmë zhveshur, këmbë zbathur tek endnin drejt daljes…

Dalin të gjithë në terren të hapur, kush mer rmakinën për tu larguar diku më tej, të tjerë kërkojnë një ambjent të ngrohtë në atë mëngjes të ftohtë Nëntori dhe i vetmi ngushëllim mbetet bar-i i lagjes, i cili si asnjë herë më parë nuk e kisha parë aq të mbi populluar. Si çdo gjë, e cila vjen ashtu papritur e të gjen krejt papërgatitur, ashtu na kish gjetur edhe ne ky tërmet.  Mbaj mend që kisha veshur një palë pantallona të shkurtëra dhe një bluzë të hollë, zbathur, po më cimbosnin dhëmbët nga të ftohtët dhe nga frika e madhe…Ndonjëherë më dukej si një ëndërr, një makth i keq, nuk më besohej se kish ndodhur, por kur shihja gjithë ato lëvizje, njerëz, fytyra të ngrysura e të pikëlluara vija sërish në vehte…

Media e kish shfaqur tashmë me shkronja të mëdhaja: Ishte një tërmet me magnitudë 6.4 Rihter, me epiqendër në detin Adriatik, rreth 30 kilometra në veri perëndim të Tiranës. Frika, paniku na mbante të gjithëve pezull. Prisnim një lëkundje të dytë…posikur të ishte më e madhe? Po kur mund të binte?

Dilemat silleshin e vërtiteshin në kokat tona. Shtëpitë kishin mbetur me dyer hapur, asnjëri nuk kish guxim të rikthehej e të shihte se ç’kish ndodhur me to, për të parë nëse kishin pësuar ndonjë dëm. Askush nuk do t’ia dinte për to! E ç’janë fund të fundit shtëpitë pa jetë brenda? Asgjë… janë thjesht ca gërmadha boshe…

Pikëllimi ish i madh..shqetësimi se si ishin njerëzit tanë në ato caste prevalonte mbi të gjitha… një telefonatë, një “alo”, “si je?” sikur na i ngrohte zemrën në atë natë të ftohtë. Ashtu, u mblodhëm të gjithë tokë tek kafja e lagjes, nëna gjeti djalin, motra-vëllanë, burri-gruan e të gjithëve kjo ngjarje e rëndë na kish solidarizuar me njëri-tjetrin. Të tërë sytë ishin drejtuar nga monitori i hollë e i sheshtë i televizorit, vendosur në një cep muri të lartë. Minutat kalonin dhe ne informoheshim për viktima, të cilat sa vinin e shtoheshin, për godina dhe pallate të shkatërruara. Dy zonat më të prekura, Durrësi dhe Thumana ishin kryefjala e lajmeve, kronikave, lidhjeve të drejt për drejta. Pikëllimi ish i pa përshkrueshëm. Guximi për të rifilluar sërish rutinën dhe përditshmërinë ish zbehur, ishte vakur…

Kujtoj që atë ditë më duhej të shkoja në punë herët dhe ashtu siç isha me zemër të thyer dhe me kokën dhe mëndjen mbrapa nga të shtrenjtët e mi, u nisa…edhe pse çdo gjë në ato caste më dukej e kotë e pakuptimtë.. duhet të shkoja sërish, ta bëja, sepse po mos ta bëja unë, kush tjetër do ta bënte?

Pas goditjet e tjera të tërmetit vijonin të binin çdo orë, si për të rikujtuar sërish ato caste makthi. Goditja tjetër, e mëngjesit më zuri në punë, ashtu, sa kisha futur këmbët tek pragu i derës.

Të punosh në telekomunikacion, e kupton më shumë se kush do tjetër se ai është një nga shërbimet që të duhet më së tepërmi në ato ditë të tilla, njerëz që kanë nevojë të lidhen, të dinë, të flasin, të dëgjojnë se si i kanë me shëndet njerëzit e tyre të zemrës. Ata kishin nevojë edhe për një zë të ngrohtë, ata kishin nevojë tëd inin se dikush do të qendronte nga ana tjetër e linjës dhe do ti ndihmonte për gjërat që nuk po funksiononin.

Në atë ditë ndava me kolegët e punës shqetësimin, merakun, dhimbjen, përqafimin, lotët. Pashë në sytë e tyre trishtimin. Nëna, të cilat lanë fëmijët e vegjël në shtëpi me gjyshet, të tjeraqë kaluan gjithë natën pa gjumë, se kishin të vegjëlit me temperaturë, motra që lanë vëllanë e vogël, nënën vetëm, babanë, gjyshin e pamundur me nevoja specifike dhe gjetën kurajo të shkonin sërish në punë.

Darka vinte shpejt, bulevardet, sheshet, parqet, rrugicat e Tiranës u kthyen në vend parkimi për automjetet, të cilat shërbenin si një strehë për të kaluar natën. Të shumtë ishin ata që kishin frikë të ktheheshin në banesë, të tjerë nuk e dinin nëse shtëpinë e kishin të banueshme apo jo, ca syresh nuk u lejohej të ktheheshin sepse shtëpive i’u ish vënë “shiriti”.

Unë mbaj mend që dy netë të tëra i kam gdhirë në lokalin e lagjes, i cili punonte non stop, 24 orë, vetëm nga frika, e cila nuk më lejonte të kthehesha në shtëpi. Orë pas ore aplikacioni, i cili u kthye në “orakullin” e gjithë shqiptarëve, më lajmëronte mbi lëkundjet e fundit që kishin ndodhur. Një ndjenjë e brendshme më pengonte dhe sa bëja të shkoja drejt banesës, më vini nndër mend ato çaste tmerri. Paniku dhe frika ishte më e madhe se ne. Ishim dorëzuar të gjithë parpara saj. Urgjenca kombëtare mësohet të ketë marrë 4411 thirrje për ndihmë transmeton Radio Evropa e Lirë. Ankthi dhe pasiguria na shoqëronte në çdo hap.

Sot, po bëhet më shumë se një javë nga tërmeti shkatërrimtar, i cilis hënoi 51 viktima dhe mijëra të tjerë të plagosur. Pas goditjet vazhdojnë ende, por jo në të njejtin intensitet. Portali gjerman i specializuar për informacionet që kanë të bëjnë me lëkundjet e tokës “Erdbeben news” e renditi këtë tërmet me mangitudë 6.4 Rihter, të katërtin në shkallë globale, për nga numri i personave të cilëve u ka shkaktuar dëme.

Unë dëshiroj ta mbyll këtë përshkrim, përjetim, realitet me një shprehje të madhit Fernando Pessoa: “Njerëz, prisni më të mirën dhe përgatituni për më të keqen: ky është rregulli!”…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej