Udhëtim në Sarandë pak ditë para hapjes së sezonit turistik
Nga Viron Roboci
Qysh prej periudhës së Mesopotamisë së lashtë (Irakut të sotëm) aty ku qyteti si përemërtim etimologjik dhe si formë e organizimit të një zone të banuar merr jetë e deri në ditët tona, qëllimi i njeriut si “pjesë përbërëse” e këtij entiteti, ka qenë vetëm një: përmirësimi i përditshëm i kushteve dhe organizim sa me i mirë i tij (pra i qytetit) në funksion të një bashkëjetese përherë e më komode midis banorëve që jetojnë në të.Natyrisht që përpjekjet jo gjithmonë i kanë shkuar vaj të gjorit njeri kudo ka jetuar, sepse bota ka njohur regrese qytetërimesh po aq sa edhe progrese për shkaqe nga më të ndryshmet, por natyrisht që e nesërmja e çdo të sotmeje ka qenë më e begatë se e djeshmja.
Kur kjo formë e organizimit të shoqërisë filloi t’i përgjigjej nevojave bazike të funksionalitetit në të përditshmen e banorëve, gjithmonë qysh në Mesopotaminë e hershme, banorët zhvilluan ndër shekuj aftësinë e organizimit urban dhe filluan gjithashtu të kultivojnë një lloj shije estetike për strukturën ndërtimore të objekteve dhe formave për të na lënë si peshqesh ne, banorëve të sotëm të botës, stile arkitektonike dhe struktura e koncepte urbane të dokumentuara dhe ruajtura shumë mirë, duke nisur qysh prej antikitetit e deri tek post-modernizmi.
Pjesë e metamorfozës së përgjithshme sociale, kulturore natyrisht dhe arkitektonike, kemi qenë edhe ne, njerezit e këtij vendi. Me gjithë përçundimet, herë të vetshkaktuara e herë të pësuara nga faktorë të jashtëm, ne supozohet ta kemi një identitet (dhe ky i fundit zakonisht është autentik), që duhet të reflektohet mbi të gjitha në dekorin e të përditshmes sonë, në atë çka zakonisht shihet më së pari kur përballesh me një shoqëri, shtet apo komunitet.
Një vizitor i rastësishem apo turist në Shqipërinë e sotme, fatkeqsisht ka pak gjasa që me vete si kujtim prej kësaj Shqipërie të mund të merrte përshtypjet e një komuniteti që përgjatë evolimeve të mësipërme nëpër qindravjeçarë, “ka qenë prezent”… Që ka qenë pjesë e botës së madhe! Duket sikur ne kemi munguar në shumë prej ditëve ku, në katedrën e madhe të jetës, njerëzimi merte leksione prej historisë rreth dallimeve midis të mirës dhe të keqes, për të drejtën dhe të gabuaren, për të shëmtuarën dhe të bukurën. Shkurt, kemi muguar në shumë leksione. Nuk ka si të jetë ndryshe sepse vetëm keshtu do mund t’i jepnim spjegim badërdisë urbane, të mrekullueshmes shëmti përreth nesh dhe asaj që plot mund, kemi ndërtuar.
Gjithë ky rrëfim, lind nga përshtypja dhe mbresa e një “shëtitje në kohë” prej Tiranës në Sarandë që u supozua të ishte shlodhëse, por që vetëm e tillë nuk qe. Pa as më të voglin siklet do mund të quhej “shëtitje në kohë” veçse kohët nëpër të cilat shëtitja endej ishin të paqarta, në sintoni të plotë me paqartësine e qyteteve të cilët përshkohen për të shkuar në jug. Në jugun turistik (që mund të ftojë në shumëçka, përveç turizmit), jugun drejt zhvillimit (por larg mirëqënies), atë të “lungomareve” (dhe tymnajave të saj të pluhurit sidomos në ditët e nxehta), jugun (dhe jo vetëm) që në mënyrë sistematike një herë në tre apo katër vite, përjeton të njëjtin transformim: “dekorohet” me planin e ri zhvillimor më të mirë se ai i tre apo katër viteve përpara i cili, i ngjan përherë e më shpesh “rrobave të reja të mbretit”!
Kaosi mbretërues në stilistikën e përgjithshme të qyteteve Shqiptare, duke i shtuar edhe siklete ciklike masterplanesh si ky i ilustruar në fotot më poshtë, mund të mendohet se në vetvete është i justifikuar prej tranzicionit të pafundëm nëpër të cilin po orvatemi prej kohësh dhe si një e mire për komunitetet në disa raste, siç mund te konsiderohet edhe projekti i rastit në fjalë. Por nuk do harruar që, edhe lakuriqsia e mbretit të përrallës, pas një manteli të praruar fshihej… Veçse mantelin e shihte vetëm mbreti!
Këto pamje janë marrë para një jave përreth qendrës së qytetit të Sarandës. Së paku për disa vite… Deri në masterplanin e rradhës… Deri në ardhjen e endësve të rinj të mantelit të padukshem!