Pak ditë pas ndeshjes hapëse të kampionatit të 80 kombëtar, që startoi me ngjarjen e turpshme të tifozerive të Skëndërbeut dhe Partizanit, skuadra kryeqytetase ka reaguar nëpërmjet një deklarate në Facebook, duke fajësuar vendasit për mospërmbushje të organizimit të ndeshjes.
“Fakt është se prezenca e stjuartëve privat në stadium nuk mund të quhet eksperiment nga momenti kur është bërë ndryshimi i ligjit dhe rolin kryesor në mbarëvajtjen e garës e ka klubi pritës. Theksojmë se klubi Partizani për vite me radhë ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi organizimin dhe mbarëvatjen e ndeshjeve në kryeqytet, duke mos shënuar qoftë edhe incidentin më të vogël, i cili cënon aktivitetin apo garën sportive”, lexohet në deklaratën e Partizanit.
Me një gjuhë shumë më të ashpër ka reaguar klubi kampion i Shqipërisë. Në komunikatën për shtyp e kanë konsideruar bilanc lufte atë që ka ndodhur në vitet e fundit në Korçë, duke akuzuar tifozerinë e Partizanit për miliona lekë në dëme materiale dhe dhjetra të plagosur.
“KF Skënderbeu bën thirrje për implementimin e plotë të ligjit për sportin dhe individualizimin e përgjegjësisë. Nuk mund të vijohet më me dënime kolektive që demtojnë produktin tonë dhe investimet e klubeve. Nuk mund të jenë ende të paprekshëm grupime me prapavijë dhe mbështetje politike. I njëjti grupim që shkaktoi trazirat ditën e premte në Korçë, duke përfituar nga paprekshmëria, ka shkaktuar të njëjtin incident thuajsë në të gjitha stadiumet e Kategorisë Superiore”, thotë Skënderbeu.
Në këtë mënyrë, të dyja skuadrat i paraprijnë Komisionit të Disiplinës, i cili do të mblidhet në mesjavë për të vendosur penalitetet për ngjarjen e ndodhur, nga të cilat klubi pritës, ai i Skëndërbeut, rrezikon më së shumti si skuadra me përgjëgjësitë e organizimit të kësaj ndeshjeje.