Fletë pas flete historia na çon, më në fund, tek Papa, që mund ta quajmë me të vërtetë me origjinë shqiptare, për të cilën ai vetë u krenua vazhdimisht, duke pohuar, pak a shumë, si Nënë Tereza, se “me gjak ishte shqiptar” e edhe duke i ndihmuar konkretisht, në shumë raste, trojet dhe pinjojtë e të parëve. Meriton, prandaj, një trajtim të posaçëm, për ta njohur me fund rrugën që përshkoi derisa u ul në fronin e Shën Pjetrit. Në emisionin V të rubrikës “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”, kërkimet tona të para për Gjon Françesk Albanin:
Gjon Françesku lindi ndërmjet 22 e 23 korrikut të vitit 1649, në Urbino, nga prindërit Karli dhe Elena Mosca, fisnike pezareze. Familja, në zë për pasuri e fisnikëri, do të bëhej edhe më e njohur pas vendosjes në Romë. Një rol të veçantë në këtë drejtim luajti gjyshi i Gjon Françeskut, Horaci, që ia rriti nderin dhe kamjen familjes. Si sekretar i drejtësisë, e prej këndej, edhe rezident pranë oborrit të dukës Françesko Maria II Della Rovere e ndihmoi shumë Papën në bisedimet për pronësimin e feudes së Urbinit nga ana e Selisë së Shenjtë. Urbani VIII, shumë i vëmendshëm ndaj atyre, që i bënin shërbime të kësaj natyre, e shpërbleu duke e emëruar, në vitin 1622, senator të Romës. Barberinët i shprehën disa herë mirënjohjen për ndërmjetësimin në të gjitha grindjet e tyre, duke u bërë mbrojtës të Albanëve.
Nga fëmijët e Horacit, më i madhi, Anibale, u emërua rojtar i parë e prefekt i Bibliotekës së Vatikanit; Malatesta gjeti një vend në ushtrinë papnore e Karli, i ati i Gjon Françeskut, shërbeu si mjeshtër i bindur e mirënjohës dhome i Karlo Barberinit.
Papa i ardhshëm shqiptar, ta quajmë kështu për krenari të ligjshme kombëtare, lëshoi shtat në një mjedis familjar mjaft të kulturuar, gjë që ndikoi fuqimisht në formimin e tij të parë. Vendimtar në këtë rrugë qe roli që luajti daja, Girolamo Mosca, i cili e drejtoi të nipin kah karriera kishtare. Në vitin 1660, duke iu shtruar vullnetit atëror, Gjon Françesku shkoi në Romë për të ndjekur shkollat publike të Kolegjit Romak: këtu pati fatin të kishte profesor helenistin e hebraistin e famshëm, Pietro Poussines, që e nuhati menjëherë prirjen e rrallë të nxënësit të tij për studimin, sidomos të greqishtes e të latinishtes. I nxitur nga profesori, në vitin 1666 i vuri në provë aftësitë e tij me përkthimin në latinisht të një homelie të Shën Sofronit, patriark i Jeruzalemit, kushtuar Shën Pjetrit e Shën Palit Apostuj, duke e shoqëruar me një parathënie me frymë kritike mbi autorin si dhe me një letër kushtuar Francesco Barberinit. Pothuajse në të njëjtën kohë, ndërmjet kodikëve të Manastirit të Grottaferratës, zbuloi një dorëshkrim që përmbante pjesën e dytë të monologjit1 bizantin-grek të Bazilit Porfirogenito, humbjen e të cilit e pati kujtuar edhe Ughelli 2, i cili dëshironte të plotësonte pjesën e parë të menologjit, që ruhej në Vatikan.
Në këtë kohë etjeje të pashuar për të rrokur dijen e të gjitha kohëve, përktheu fjalimin lavdërues të diakonit Prokopi, kushtuar Shën Markut Ungjilltar, që u radhit nga etërit bollandistë 3 në Acta sanctorum. Nësa ishte ende në Urbino, në vitin 1668, u laurua në drejtësi. Por iu duk dije e pakët. Vijoi, prandaj, të studiojë filozofi, teologji, patrologji, kontroversistikë. Kjo e fundit ishte teologjia, që i përballoi protestantët në terrenin e tyre, domethënë, duke u mbështetur fort tek Shkrimi Shenjt, Etërit e Kishës, letërsia konciliare dhe historia e Kishës. E vijoi të thellohet më tej edhe në studimin e drejtësisë, me bindjen se dija nuk ka fund e se njeriu mund e duhet të mësojë deri në perëndim të jetës. Në vitin 1670 vendosi të marrë rrugën e karrierës kishtare, duke u bërë kanonik i Kishës së Shën Lorencit në Damaso, falë ndërhyrjes së Françesk Barberinit i cili, në sa shuhej, nuk harroi t’ia shprehte mirënjohjen familjes Albani, duke i lënë trashëgim një pension, që i krijoi Gjon Françeskut kushtet për t’u marrë qetësisht me studime, pa u shkapërdredhë në punë të tjera, që do ta largonin shumë nga synimet e tij fisnike. Në vitin 1673 shoqëroi Karlo Barberinin gjatë vizitës së tij në Subiaco.
Ndërkaq, sa më shumë thellonte dijet, aq më shumë depërtonte në mjediset intelektuale, duke marrë pjesë aktive në ngjarjet më të spikatura kulturore të epokës. Nisi, kështu, të frekuentonte sallonet e famshme romake, ku rriheshin problemet më të mprehta të kulturës së kohës, nga salloni Cartari e Favoriti, tek takimet e Akademisë së Mbretëreshës Kristina e Suedisë, e cila e admironte thellësisht ‘shqiptarin’ e ri, që po ecte me kaq zell e hov në rrugën e spërdredhur të dijes. E pikërisht në Akademinë Mbretërore, themeluar prej kësaj Gruaje të shquar kulturëdashëse suedeze, që la gjurmë të thella në Romën e kohës, mbajti fjalimin e paharrueshëm kushtuar Jakut II Stuart, i cili, siç shkruan Gjon Françesku: “Nga David në ikje për të shpëtuar prej Saulit, u shndërrua në rindërtues të qetësisë britanike, rival i fisëm i Kostandinit të Madh”. 4
Më 1677 hyri zyrtarisht në prelaturë e pastaj… ç’bëri pastaj do ta trajtojmë në emsionin VI, duke vijuar ecjen në gjurmët e jetës së tij…
1Menologu është një përmbledhje tekstesh liturgjike e hagjiografike, i përdorur nga Kisha ortodokse. Përmban jetët dhe veprimtaritë e shenjtorëve, përmbledhur në 12 vëllime.
2 Ferdinando Ughelli (Firence, 21 mars 1595 – Romë, 19 maj 1670): murg, abat e historian italian.
3 “Bollandisti” është term, që përdoret për një grup eruditësh, i njohur edhe me emrin “Shoqëria e Bollandistëve”. Punoi për përpilimin e Acta Sanctorum, përmbledhje kritike e burimeve dokumentore mbi shenjtorët, radhitur sipas ditëve të vitit.
4 Shih “Fjalimin”, që njihet si i Akademisë Mbretërore”, fq.21.
/Radio Vatikani/