Nga Shaban Murati
Pas takimit kokë më kokë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Kremlin, në 19 dhjetor, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç njoftoi një rezultat të ri të bisedimeve: “Unë i kërkova Rusisë nëse mund të veprojë si mediatore në bisedimet me Kosovën dhe presidenti rus ra dakord”. Për ta bërë bindëse deklaratën e shefit të tij, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, që ishte pjesë e delegacionit serb dhe i njohur si një nga politikanët më filorusë të Beogradit, theksoi në 23 dhjetor se “Mjaftoi vetëm një takim dhe Rusia tha se është gati të angazhohet në dialogun Beograd-Prishtinë”.
Nuk është e nevojshme të jesh diplomat për të kuptuar naivitetin e pretendimit të Serbisë për autorësinë e propozimit që Rusia të përfshihet në dialogun e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës, që zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e BE. Është naive të mendosh se presidenti rus, sapo dëgjoi propozimin e presidentit serb, pa pritur as të dëgjojë se çfarë mendon Ministria e Jashtme ruse, u shpreh në çast se Rusia është dakord që të përfshihet në këto bisedime. Ka disa muaj që diplomacia ruse, mjetet e propagandës ndërkombëtare ruse, institucionet e tjera të specializuara ruse, po nxisin në Serbi partitë e hapura filoruse, mediat dhe portalet filoruse, shoqëricivilistët filorusë, etj., në një fushatë publike me propozimin që Rusia duhet të përfshihet si mediatore në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Profesori i Universitetit Shtetëror të Moskës, Nikita Bondarjev, i deklaronte portalit rus, “eadaily.com” në 8 dhjetor se përfshirja e Rusisë si mediatore në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës duhet “që të sigurohet drejtësia dhe balanca e bisedimeve dhe është e nevojshme të përfshihet Rusia dhe do të jetë nga Moska një lëvizje e duhur që të përfshihet në bisedimet”. Dhe presidenti serb i paraqiti presidentit Putin propozimin rus që Moska të bëjë lëvizjen e duhur.
Çështja shtrohet përse Rusia nëpërmjet Serbisë po kërkon tani që të futet si mediatore në bisedimet, që zhvillohen në Bruksel nën kujdesin e BE, dhe nuk u kujtua vjet apo parvjet. Lëvizja e tanishme diplomatike lindi nga nevoja e strategjisë së re ruse për një rol të ri diplomatik të Rusisë në Ballkan, në kuadër të gjithë politikës së zgjerimit të influencës në rajon. Tani Moska po kërkon të konkretizojë rol protagonisti diplomatik në rajon dhe të rizërë vendin, që ka pasur 20 vjet më parë në tavolinën vendimmarrëse diplomatike ndërkombëtare për rajonin ballkanik. Nga praktika e 25 viteve të fundit dihet se Rusia ka pasur rol dhe ka lozur rol vetëm kur kanë ndodhur konflikte, sepse depërtimi nëpërmjet konflikteve dhe tensioneve është rruga më efikase për një shtet të madh si Rusia, e cila nuk e konkurron dot Perëndimin në planin gjeopolitik as me financa, as me ekonomi, as me demokraci dhe as me ideologji. Aktualisht bisedimet ndërkombëtare midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE janë të vetmet që po zhvillohen në Ballkan për të zgjidhur një konflikt të ngrirë midis dy shteteve fqinjë. Serbia i ka futur qëllimisht bisedimet në rrugë pa krye dhe tani del me propozimin për Rusinë si mediatore. I pabazë është argumenti se Serbia po kërkon Rusinë si mediatore, sepse Prishtina ka kërkuar SHBA që të përfshihet në bisedimet e Brukselit. Në fakt, është e kundërta: në kanalet diplomatike ideja ruso-serbe e përfshirjes së Rusisë është më e vjetër dhe Prishtina u detyrua të paraqesë propozimin e saj për SHBA për të balancuar dhe frenuar përçapjen serbo-ruse.
Dalja e presidentit serb me këtë propozim padyshim shkakton disa habi, sepse vjen nga një shtet, që zyrtarisht ka orientimin strategjik europian, dhe kërkon mbështetjen tek rivali i BE, që është Rusia. Në radhë të parë Serbia shpreh mosbesim dhe dyshim tek BE, tek organizata ku ajo me dëshirën e saj ka aplikuar të anëtarësohet, ku i është dhënë statusi i shtetit kandidat dhe ka hapur bisedimet e pranimit me BE. Përbën një nonsens fakti që Beogradi, po diskuton kapitujt e Traktatit të Pranimit me BE, tek e cila nuk beson, dhe shpreh pakënaqësi publike për ndërmjetësimin e BE, duke kërkuar ndihmë ndërmjetësimin e Rusisë.
Pas shumë vitesh lojërash të pabesa diplomatike, ekonomike dhe ushtarake të Serbisë, Brukseli i ka vënë asaj kushtin e kushteve të njohjes së Kosovës. I ka vënë edhe provën e fundit për të vendosur se në cilën karrige dëshiron të qëndrojë, sepse ka ardhur pika e ngopjes për tolerancën europiane ndaj Beogradit, i cili dritën e ndez sikur po shkon tek Brukseli dhe në të vërtetë po rrit shpejtësinë drejt Moskës. Propozimi për përfshirjen e Rusisë në bisedimet midis dy shteteve që duan të hyjnë në BE, është prova më e freskët se karrigia, ku është ulur Serbia dhe nuk ka ndërmend të ngrihet, është karrigia ruse. Nëpërmjet përdorimit të Serbisë Moska po ndërmerr këtë kundërsulm diplomatik për të siguruar një rol vendimmarrës diplomatik në dinamikën e rajonit. Këtë rol Rusia e ka humbur që kur u vetëpërjashtua nga Grupi i Kontaktit për Kosovën dhe kur u përpoq me veton e saj në KS të OKB të ndalonte procesin e statusit të Kosovës së pavarur, të cilën sot e njohin 115 shtete. E humbi përfundimisht këtë rol Rusia, kur pas mbarimit të konflikteve në ish- Jugosllavi të gjithë shtetet, që dolën nga federata jugosllave përqafuan orientimin e anëtarësimit në BE.
Nga kjo pozitë humbëse Rusia po kërkon të dalë duke tentuar të kthejë mbrapa historinë dhe ta çojë Ballkanin atje ku ishte para 20-25 vitesh. Rusia dhe Serbia po synojnë që nëpërmjet makinës diplomatike të kohës të rivënë në skenë formatet e kohës së para vitit 2007, kur plani Ahtissari u diskutua në KS të OKB dhe Moska e bllokoi. Rusia dhe Serbia duan të rikthejnë prapë në OKB bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, sepse siç e tha hapur ministri serb i mbrojtjes në 23 dhjetor: “Gatishmëria e Moskës për t’u angazhuar në dialogun me Kosovën ndryshon gjithçka, sepse do të jetë përballë një shtet që nuk e njeh Kosovën. Kjo do të thotë kthim në OKB, d.m.th. kthim i atyre shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën”.
Me një fjalë Rusia dhe Serbia duan që historia e rajonit të kthehet në pikën zero dhe jo vetëm të bllokohet, por edhe të zhbëhet njohja e pavarësisë së Kosovës. Kjo është strategjia e Serbisë dhe e presidentit serb. Kurse strategjia e Rusisë është që përmes ringjalljes së konfliktit, ajo të ribëhet faktor diplomatik vendimmarrës në rajon. Kjo është përmbajtja e nismave dhe propozimeve të njëpasnjëshme të Vuçiçit në gjashtë muajt e fundit, që kur u zgjodh president, për ta ”zgjidhur” çështjen e zgjidhur të Kosovës nëpërmjet eliminimit të pavarësisë së saj. Për këtë qëllim u shpall i ashtuquajturi dialog i brendshëm serb për Kosovën, plani dinak serb i anëtarësimit të Kosovës në OKB pa e njohur atë si shtet, dhe së fundi propozimi për përfshirjen e Rusisë si mediatore në dialogun Serbi-Kosovë.
Çdo formë e përfshirjes së Rusisë në dialogun Serbi-Kosovë, i cili zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, është një sfidë edhe për BE-në, edhe për OKB-në. Formati aktual i bisedimeve nën kujdestarinë e BE është përcaktuar me rezolutë të OKB dhe nuk mund të zhbëhet, sepse iu tek tani Rusisë dhe Serbisë. Kjo do të thotë të zhbëhet gjithë ai proces i mundimshëm paqëtimi dhe normalizimi, që BE po udhëheq prej gjashtë vitesh. Kjo do të thotë që në fund të fundit të rihapet vatra e zjarrit e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës, sepse gjithkush e ka të qartë se populli i Kosovës dhe kombi shqiptar nuk do të pranojnë kurrë që Kosova të humbë pavarësinë dhe të ribëhet koloni e Serbisë.
Ka një element të ri të rrezikshëm, që nxori kokën nga bisedimet e presidentit serb me presidentin rus. Duke parashikuar që as Kosova, as BE dhe as SHBA, nuk do të pranojnë përfshirjen e Rusisë në dialogun e Brukselit, Vuçiç kërcënoi në 19 dhjetor me shpërthim konflikti: “Në rast se do të ketë ndonjë konflikt, formati i bisedimeve do të zgjerohet me qëllim që të zgjidhin situatën”. Ky është një element apo sinjal tepër shqetësues, sepse dëshmon se Serbia me mbështetjen e Rusisë është e gatshme të provokojë edhe konflikt në Kosovë dhe në Ballkan, vetëm e vetëm që të krijohet një pretekst i futjes së Rusisë në tryezat vendimmarrëse për rajonin. Moska do të kishte interes për një konflikt të ri në rajon, sepse jo vetëm do të përfitonte zyrtarisht pjesëmarrjen në “grupin e shuarjes së zjarrit”, por edhe sepse do të arrinte bllokimin e procesit të integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit. Nuk është e rastit që pikërisht ditën që presidenti serb ishte në Kremlin në takimin me presidentin rus, Serbia doli në OKB me qëndrimin e përkrahjes për pushtimin rus të Krimesë. Serbia në 19 dhjetor ishte i vetmi shtet i Ballkanit, që u rreshtua me Rusinë dhe votoi kundër rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB, e cila e dënoi Rusinë si fuqi pushtuese dhe Krimenë e cilësoi territor të pushtuar.
Nuk e dimë se çfarë jehone ka pasur në Bruksel ky paralajmërim i rrezikshëm i presidentit serb, i cili me këtë rast kërcënon edhe Kosovën, edhe BE, edhe NATO-n. Nuk e dimë nëse zyrat shtetërore në Prishtinë dhe në Tiranë i kanë regjistruar këto sinjale alarmante.
Janë zhvillime, që po rrisin frekuencën e tyre negative dhe që duhet të shkaktojnë alarme edhe në Prishtinë, dhe në Tiranë. Duhet kuptuar njëherë e mirë se Serbia dhe Rusia po përdorin dhe do të përdorin njëmijë e një mënyrat për të penguar faktorin shqiptar në rajon të bëhet përcaktues. Veproi drejt presidenti i Kosovës që e hodhi poshtë menjëherë propozimin e presidentit serb për përfshirjen e Rusisë në dialogun Serbi-Kosovë. Edhe Tirana duhet të thotë qëndrimin e saj, sepse po ndodhin kaq shpejt dhe kaq shumë hapa negative të Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj çështjes shqiptare dhe heshtja prej mumie nuk na bën as më të zgjuar dhe as më të sigurt. Është tragjike të shohësh shqiptarët që mbajnë dylbitë nga Jerusalemi dhe Ankaraja, dhe nuk ndjehen që Serbia po i fut kombit thonjtë në mish.