Lulzim Basha duket se është në telashe. Me sa duket nxitimi i tij për të dhënë mbështetje për reformën në drejtësi, sapo përfundoi takimin me sekretarin Kerry, i ka hapur telashe të reja me Berishën. Por sot, ndryshe nga herët e tjera, Berisha nuk doli vetë ta hedhë poshtë, por e poshtëroi që ta hedhë poshtë me gojën e tij.
Njësoj si në rastin e Byrosë së Hetimit, Basha i bëri thirrje Edi Ramës të miratojnë urgjent reformën në drejtësi, por tani i duhet t’i përtypë përsëri fjalët që ka thënë. Në një intervistë për Babaramon, Basha ka ndryshuar qasjen e tij të re “ndaj urgjencës së reformës”, duke u kapur sërish tek nevoja për konsesus, dhe ka bërë akoma më shumë kujdes të mos e zemërojë Berishën për shkak të përjashtimit të tij nga axhenda e Kerry-t, duke pranuar se konsultohet për çdo vendim me të.
Dhe ka një sërë detajesh që tani Basha duhet t’i menaxhojë me kujdes për të mos e zemëruar Berishën deri në fund, që ta bëjë fakt të kryer mosmiratimin e reformës.
Në fillim të muajit mars, Basha do udhëtojë në SHBA, dhe perveç disa takimeve në Kongres dhe diasporë, do të ketë takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit që mbulojnë rajonin, dhe do t’i duhet të përsërisë vetëm pak ditë para shkuarjes së reformës në Kuvend, nëse do ta miratojë atë apo jo. Bëhet fjalë për mesin e marsit, ndërkohë që reforma do jetë aty rreth datës 20 mars. Njerëzit e Berishës do t’i ketë me vete dhe atij do t’i duhet të thotë qartë aty, nëse vota pro reformës varet nga ai, apo nga Berisha.
Për diplomatët amerikanë në Tiranë, kjo është e qartë që varet nga Berisha, dhe ambasadori Lu e ka kthyer timonin e tij nga Berisha, por Uashingtoni lëviz më ngadalë në këtë drejtim, dhe dëshiron të besojë se Basha mund të bëhet kryetar i PD.
Ngjarjet e javëve të fundit, ku Berisha ka bërë zero çdo lëvizje të Bashës apo deklaratë të tij, ngritën shumë pikëpyetje edhe tek mbështetësit e Bashës, për mundësinë që ai ka të drejtojë në mënyrë të pavarur nga Berisha partinë.
Vizita e zotit Kerry ja shtoi më shumë këto telashe, pasi duke u këshilluar të mos e marrë Berishën me vete në takimin me sekretarin Kerry, ai u përball sërish me sa duket me zemërimin e tij, dhe sot ka dalë të hedhë poshtë ato që tha dje, sapo përfundoi takimi me sekretarin Kerry. Ndërsa dje tha “Rama të sjellë urgjent reformën në drejtësi”, sot tha se nuk “ka ndryshuar asgjë dhe nëse Rama nuk i hap rrugë opozitës, ajo nuk do ta miratojë.”
Pra, kemi një rikthim në pikën zero dhe një stërmundim të ri të Bashës të mbijetojë mes detyrës formale si kryetar dhe detyrës reale si sekretar i zotit Berisha.
Dhe ky muaj është vendimtar për të, jo pse nuk do ta votojë reformën në drejtësi, por se si reforma në drejtësi, të mos jetë shkak për të përballur atë me Berishën, publikisht.
Kujdesi që ai po bën, që Berisha të mos ndjehet i braktisur, përsëritja në publik që ai konsultohet për çdo vendim me të, tërheqja nga mbështetja për reformën në drejtësi, që e dha dje publikisht, njësoj si me Byronë e Hetimit, dhe mbi të gjitha, udhëtimi drejt SHBA nën kontrollin e Berishës, po formojnë realisht një portret të dyzuar të tij.
SHBA e ka të qartë dhe të thjeshtë kërkesën për Bashën: Nëse ai është kryetar i PD dhe e përfaqëson atë, duhet t’u japë fjalën se do ta miratojë reformën në drejtësi dhe Byronë e Hetimit. Kjo për të do të thotë të japë provën, pra të qëllojë mbi “babën”, për të ecur përpara. Kjo natyrisht nuk ka për të ndodhur, ashtu sikurse ka pak shanse të ndodhë dhe vota pro reformës, pasi problemi i tij është t’i ruajë qetësinë Berishës deri atëhere që të mos e prishi dasmën, ende pa mbërritur në shtëpi të vet zoti Kerry.