Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Rehabilitimi i segmentit rrugor/ Qeveria shpronëson banorët e Unazës së Re

Nga Ejona 0

Qeveria shqiptare ka miratuar fondin për shpronësimin e banorëve të Unazës së Re, që preken nga rehabilitimi i segmentit nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja.

Sipas vendimit, shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar ndërsa dhe fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”

Po ashtu në vendim thuhet se brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, duhet të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale.

Vendimi i qeverisë

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PALLATI ME SHIGJETA – RRETHRROTULLIMI “SHQIPONJA””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja””.
  2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
  3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh.
  4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
  5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
  6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
  7. Pronarët, e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
  8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
  9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.
  10. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e aktit pa tarifa regjistrimi.
  11. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej