Kryeministri Rama ka dalë në një konferencë për mediat pas refuzimit nga demokratët të propozimit hibrid për reformën në drejtësi nga Ndihmës/Sekretarja Amerikane e Shtetit Viktoria Nuland.
Ai u shpreh se refuzimi i PD-ës nuk ishte i papritur për propozimin e kompromisit mbi draftin për reformën në drejtësi dhe se sipas tij PD e ka bojkotuar procesin fillimisht për një kohë të gjatë, ka hyrë dhe dalë në proces duke futur e nxjerrë letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar procesin. Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se PD nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë sepse i friksohet paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurisë së tyre.
Rama: Me keqardhje më duhet të them se nuk më vjen i papritur refuzimi që PD i bëri sot propozimit më të fundit për kompromis mbi draftin për reformën në drejtësi. Propozim që këtë radhë e bëri në emër të SHBA dhe BE, Ndihmës/Sekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland. Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës, sepse përgjatë 1 viti e gjysëm të procesit të hartimit të draftit të reformës në drejtësi PD i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do reformën në drejtësi. E ka bojkotuar procesin fillimisht për një kohë të gjatë, ka hyrë dhe dalë në proces duke futur e nxjerrë letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar procesin, ka baltosur ekspertët e nivelit të lartë si ka mundur dhe sa ka mundur, ku ka mundur. Ka abuzuar pa pushim me opinionin e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht gjatë dimrit pas një paragrafi 55 dhe pastaj me pranverën pas një paragrafi 88, si i mbyturi pas fijes së barit. Është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë duke u thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapë Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vendet e rezervuara.
Pastaj ka sjellë një propozim për të zgjidhur hallin duke kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara dhe duke kërkuar jo përfshirje substanciale të opozitës siç këshillon Venecia, por barazi të plotë pjesmarrje në komisionin ad-hoc të përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit ose ndryshe të Vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve, 6 nga shumica dhe 6 nga opozita. Dhe kur ne kemi pranuar dhe këtë propozim ka marrë 48 orë kohë nga takimi me Ndihmës/Sekretaren Nuland jo për ta pranuar, por për ta rrëzuar, duke nxjerrë një kundërpropozim që nxjerr në pah të vërtetën e fshehur për një vit e gjysëm. PD nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë sepse i friket paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurisë së tyre, vendimarrjeve dhe aftësisë të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. E keni dëgjuar ndonjëherë PD të thotë se e ka hallin pikërisht tek humbja e kontrollit që ka mbi pengmarrësit e korruptuar të sistemit të drejtësisë? Gjykatës dhe prokurorë, me të cilët ka rivrarë të vrarët në Gërdec dhe bulevard dhe e ka kthyer drejtësinë në një pazar të madh mesjetar, ku të korruptuarve të saj nuk u ka hyrë deri më sot asnjë gjemb në këmbë.
Natyrisht që jo, këtë nuk e keni dëgjuar se nuk mund t’ua thotë. Por a i keni dëgjuar ndonjëherë të thonë që nuk duan që ndërkombëtarët të fusin hundët në pushtetin e madh që pushteti i PD për tu siguruar jetë e mot se nuk preket nga drejtësia për zullumet që e çuan Shqipërinë drejt falimentit moral dhe ekonomik ka krijuar brenda kufijve të sistemit të drejtësi. Natyrisht dhe këtë se kanë thënë kurrë. Ndoshta krenaria e luftëtarit për drejtësi me gjasmë i ka shtyrë ta besojnë vërtetë përrallën që kanë treguar çdo ditë me gogolin, 1 vit e gjysëm rresht. Gjithë problemi ishin kthetrat e mia në sistemin e drejtësisë. Duke e besuar dhe vetë këtë përrallë se kanë menduar se do vinte dita që do dilnin kaq zbuluar para popullit dhe partnerëve tanë strategjikë, të zhgënjyer, sepse të befasuar nga JO, sepse këta tanët se kanë menduar se ne nuk do të pranonim propozimin e tyre të hartuar jo për kompromis me ne, por vetëm që ne të thoshim jo.Po tani? Tani çfarë do thonë? Mos do thonë që halli është bërë dhe më i madh se Amerika dhe Europa do kapin drejtësinë e pavarur shqiptare apo do thonë se ne e duam shumë Amerikën dhe Europën, por duam më shumë Shqipërinë sovrane që nuk pranon përzierjen e të huajve në punët e veta të brendshme.Ta dëgjojmë se çfarë do tu thonë.Por shpresoj që ju nuk e keni harruar se sa herë ka ndodhur që në Kuvendin e Shqipërisë PD të kërkojë hetime ndërkombëtare, prokurorë ndërkombëtarë, madje dhe vetë Byronë Federale të Hetimit, FBI, që të vinë këtu, të marrin në dorë situatën dhe të zbardhin histori korrupsioni apo skandalesh të sajuara nga ata vetë.
PD është e gatshme të sakrifikojë popullin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë për të mbrojtur të akuzuarit e vetë nga një drejtësi e reformuar dhe e gatshme të përballet me kancerin e korrupsionit në nivelet më të larta. Megjithatë ka akoma kohë, ka akoma mundësi, shpresa vdes e fundit.Ka akoma shpresë që në PD nuk ka vdekur çdo frymë arsyetimi. I bëj thirrje publikisht Lulzim Bashës të mos udhëhiqet nga frika por ta udhëheqë PD drejt interesit të madh kombëtar që lidhet me këtë reformë historike, shtetbërëse dhe integruese njëkohësisht.E ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri të flasim si dy shqiptarë që sot janë në krye të dy partive, por nesër do të jenë njësoj si 4.4 milionë shqiptarë apo po të doni 10 mln shqiptarët e zakonshëm që janë apo nuk janë shtetas të Shqipërisë, e duan dhe e meritojnë Shqipërinë europiane, shtet të së drejtës së garantuar nga një drejtësi e drejtë. Dhe po ashtu e duan dhe meritojnë për fëmijët e tyre një vend të integruar në BE.U bëj apel të gjithë demoratëve nga selia qëndrore deri në çdo qelizë të PD që të bëjnë diçka për të mos lejuar që e ardhmja e Shqipërisë të refuzohet nga frika e drejtësië dhe Shqipëria të kthehet në një vend ku frika e të korruptuarve të marrin pushtetin në këtë udhëkryq dhe të sundojë udhëkryqin, duke hapur prapë një hendek të së shkuarës mes nesh dhe familjes europiane.