“Jam shumë krenar për Shqipërinë, ku kurrë nuk kam parë e dëgjuar që të diskriminohet pakica greke apo tjetër pakicë. Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, që nëse je sportist të duhet të ndërrosh kombësinë për të qenë pjesë e kombëtares. Ka ndodhur, por jo në Shqipëri.”
Kryeministri Rama ka ritheksuar qëndrimin e tij, për disa çështje mjaft të diskutueshme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në intervistën dhënë gazetarit Aleksis Papahelas për televizionin grek, ΣΚΑΪ (SKAI), Rama ka dhënë qëndrimin e tij të pandryshuar për Çështjen Çame, për marrëveshjen ujrave, për toponimet e për varrezat greke.
Për kryeministrin e Shqipërisë të gjitha çështjet e pazgjidhura duhet të jenë një paketë në tavolinën e përbashkët për t’i shtruar për zgjidhje.
Më poshtë renditen disa pika të rëndësishme të intervistës së kryeministrit Rama dhënë për gazetarin e ΣΚΑΪ (SKAI) në Greqi, Akesis Papahelas.
Marrëveshja e ujrave
Po flasim për një zonë të rëndësishme ku ka burime gazi dhe naftë. Përse nuk e shohim dot së bashku dhe përse nuk ecim bashkë për të përfituar të dyja palët? Ne kundërshtuam marrëveshjen e ujrave, kur ishim në opozitë. Ia lamë për interpretim gjykatës. Ishte një vendim unanim i Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar atë marrëveshje dhe kjo do të thotë se ka diçka që nuk shkon. Një gjë që ne duhet ta zgjidhim me bashkëpunim. Shqipëria mund të jetë një mundësi fantastike për investues grekë, gjithashtu Greqia mund të ketë avantazhe për shkak të bashkëpunimit me shqiptarët. Na duhet t’i zgjidhim çështjet mes nesh me vullnet. Nuk kemi asnjë shans tjetër.
Himara
Ju ftoj personalisht ose si grup mediatik të hetoni për këtë që po them. Jam angazhuar me qeverinë time në një program të quajtur “Rilindja Urbane” për rimëkëmbjen e qyteteve. Për shkak të këtij programi kemi shembur mbi nëntë mijë ndërtesa, të paligjshme, por edhe një pjesë të ligjshme, të cilat kompensohen. Në Himarë është e njëjta gjë, i njëjti program; janë shembur vetëm 19 dhe janë vetëm 12 prej tyre, për të cilat bëhet zhurma. Nuk dua të hyj në atë debatin që Himara ka grekë që flasin shqip apo anasjelltas. Nuk ka asnjë vend në botë, ku ka një komunitet pakice dhe ka të drejtën të abuzojë me ligjin. Jam shumë krenar për këtë vend, që quhet Shqipëri, ku kurrë nuk kam parë e dëgjuar që të diskrimohonet pakica greke apo tjetër pakicë. Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, që nëse je sportist të duhet të ndërrosh kombësinë që të jesh pjesë e Kombëtares. Ka ndodhur, por jo në Shqipëri.
Çështja e varrezave greke
Është çmenduri kjo puna e varrezave greke, por ka shumë gjëra që duhen zgjidhur bashkë me këtë të varrezave greke. Ju kemi kërkuar miqve tanë grekë që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bashkë. Të kemi një plan, të shohim Ligjin e Luftës, toponimet, varrezat e ushtarëve grekë e të tjera, të cilat duhen zgjidhur, pra duhet parë si agjenda e së ardhmes tonë. Mendojmë se ka ardhur koha që këto të zgjidhen si një paketë. Kemi pasur përgjigje të mirë nga pala greke që prej qeverisë së Samaras e këtej dhe po punohet. Është për të ardhur keq pse fryhen kaq shumë disa probleme si kjo e 12 ndërtesave në Himarë. Është çmenduri që të përfshijë në debat Ministrinë e Jashtme…. Por që të nisim udhën drejt zgjidhjes së problemeve duhen dy palë. Pra, duhen dy që të hedhim një valle. Por, pyetja që unë i bëj vetes është pikërisht kjo: Pse nuk po zgjidhen çështjet me Greqinë? Por, na duhet të jemi dy palët me vullnet.
Veto greke
Greqia ka qënë një mik besnik i yni gjatë këtyre viteve për integrimin dhe ka bërë saktësisht atë që i bën Greqisë më mirë për interesat e veta. Por, le të mos mbetemi në atë faze, ku ata në Bruksel thonë: Dreq o punë këta njerëz veç prodhjojnë histori… Veto për çfarë? Është veto për ndërtesat pa leje në Himarë? Çfarë do të thotë kjo?! Po flasim me vendosmëri për nevojën e zgjidhjes së disa çështjeve. Është në të drejtën tonë. Është në të drejtën tonë për të zgjidhur këto probleme. Atëherë veto për çfarë?
Gjergj Dushmani
Gazetari: Në qoftë se Cipras do të shkruante në facebook e tij, se Skenderbeu ishte grek, çfarë do thonit ju?
Rama: Nuk është e njëjta gjë, pasi nuk është një ofendim, është një fakt i këndshëm historik që një shqiptar u gjet në vendin e duhur, kohën e duhur dhe personi i duhur për të shmangur bombardimin e Akropolit. Mund të ishte kinez, grek, por qëlloi të ishte shqiptar. Unë nuk dua të them me këtë që shqiptarët shpëtuan Greqinë, por dua të them se dy popujt tanë kanë qenë kaq të bashkuar mes tyre dhe se sa shumë kemi bërë për njëri-tjetrin dhe çfarë mund të bëjmë tani mes nesh në të mirë të dy vendeve e dy popujve. Unë mund të postoj në facebook, një grek që ka bërë diçka shumë të mirë për ne, sepse kjo është historia jonë e përbashkët, të cilës ne nuk duhet t’i ikim.
Shqipëria e Madhe
Shqipëria e madhe, natyrale e çdo lloj Shqipëri e ndryshme nga ajo që është, nuk janë nocione të prodhuara nga ne. Shqipëria natyrale është një nocion i prodhuar nga të tjerë, të cilët janë trembur ose e kanë krijuar atë, për shkak të agjendave të ndryshme. Kjo është si t’iu vësh fajin grekëve për Megaloidenë që nuk ka të bëjë me kohën e sotme.
Ne kemi një histori shumë interesante, jemi të ndarë në më shumë se një shtet, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. Nuk ka asnjë plan as një ide të parashikueshme për një Shqipëri të Madhe. Po mund të jemi të gjithë ne pjesë e Europës bashkë dhe ku kufinjtë bëhen të parëndësishëm.
Ligji i luftës
Jetojmë në një paradoks të fortë ballkanik, kemi Traktat Miqësie por kemi edhe ligjin e luftës… . Miqtë grekë na thonë s’ka gjë, se kemi Traktatin e Miqësisë. Nëse nuk është gjë, atëherë përse nuk e shfuqizojmë komplet?