Nuk është e vërtetë se autorët nga Kosova po mbjellin njëfarë defetizmi në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe po shohin vetëm zi e më zi tek serbët, se autorët shqiptarë këndej Drinit po ua prishin festën me serbët shqiptarëve të Shqipërisë. Përkundrazi, ne po e ndajmë shapin nga sheqeri dhe nuk po i fusim të gjithë serbët në një thes, siç po veprojnë disa autorë nga Tirana, të cilët ende nuk po bëjnë diferencimin në mes të serbit faqezi dhe serbit fisnik
Nga Emin Azemi
Vendi dhe rrethanat ku formohet një shkrimtar, një kompozitor, një gazetar, një piktor janë shumë të qenësishme në formimin e karakterit njerëzor dhe profilit krijues të tyre.
Paganini, një kompozitor i njohur italian, po të jetonte dikund në Norvegji apo Japoni, nuk do të bëhej ai që është, sepse në formimin e karakterit dhe ndjeshmërisë së tij krijuese ndikoi shumë ambienti i vendlindjes dhe i rrethit ku jetoi e veproi.
Edhe Mustafa Nanon, që e konsideron shumë të afërt Goran Bregoviqin(!), mund ta kuptojmë se pse ka një perceptim të tillë për serbët, sepse ai nuk ka jetuar me ta dhe nuk e ka pësuar prej tyre. Ai serbët i percepton nga distanaca me një dioptri krejt normale, sepse është rritur në një ambient tjetër socio-kulturor, prej nga janë ndjekur tinëzi filmat dhe muzika serbe, njësoj si ne shqiptarët këndej Drinit që kemi ndjekur tinëz Radio Tiranën apo Radio Kukësin. Por, të shikosh tinëz TV Beogradin, nuk është bash njësoj si të shikosh tinëz TVSH-në. Megjithatë ka një ndryshim këtu, apo jo?
Mustafa Nano dhe disa kolegë të tjerë, kur flasin për serbët, iu duket se po flasin njësoj si për italianët, francezët, portugezët, austriakët, kanadezët, suedezët etj.
Por, këtu qëndron lajthitja e tyre e madhe. Lajthitja e parë konsiston në faktin se efektet e politikave ekspansioniste mbi shqiptarët janë evidente edhe sot dhe për pasojë inteligjencia serbe (akademikët, shkrimtarët, gazetarët, muzikantët etj) ende nuk është distancuar nga ato politika, dhe lajthitja tjetër më e madhe ka ka të bëjë me refuzimin e disa njerëzve në Tiranë për t’i kuptuar drejt dhe të mirëqena ndjeshmërtitë e kosovarëve ndaj serbëve.
Deri më tani askush nga shqiptarët këndej Drinit nuk po i akuzon kolegët tanë në Shqipëri se pse ata po e pëlqejnë kaq shumë (deri në orgazëm) muzikën e Goran Bregoviqit. Problemi qëndron gjetkë. Kosovarët po ia zënë për të madhe Mustafa Nanos dhe bashkëmendimtarëve të tij se pse ata po çuditen me reagimet anti-Bregoviq. “Sa primitiv këta kosovarët, pse janë kundër një këngëtari”, ky është nënteksti i shumicës së reagimeve në Tiranë.
Mustafa Nano dhe bashkëmendimtarët e tij e konsiderojnë krejt normale mbajtjen e një koncerti të Bregoviqit në Korçë për arsye se kanë jetuar jashtë orbitës së psikozës militariste e hegjemoniste që ka instaluar regjimi serb me dekada në Kosovë. Prandaj nuk është për t’u çuditur se pse kosovarët janë më të ndieshëm ndaj korpusit tematik mbi sllavët, dhe sidomos janë tepër të ndieshëm ndaj mendësisë inetelektuale e gazetareske në Shqipëri e cila procesin receptues kulturor nuk e verifikon nëpër një akt diferencimi në mes të humanes dhe johumanes, në mes të progresit dhe joprogresit, në mes të kombëtares dhe jokombëtares.
Mendësia publike në Shqipëri nuk e ka ndërtuar një dikurs të qartë ndaj serbëve, për arsye se ende ushqehet iluzioni se serbët janë fqinj normal si gjithë fqinjët tjerët, se këngëtarët serbë janë si gjithë këngëtarët tjerë, se shkrimtarët serbë janë njësoj si të tjerët, se proftërinjt sebë janë të ngjashëm me priftërinjt tjerë,madje edhe politikanët serbë (Vuçiqi psh.), sipas këtij iluzioni, janë krejt njësoj si politikanët tjerë.
Krejt keqkuptimi dhe moskuptimi i këtyre dy diskurseve publike në Shqipëri dhe në Kosovë qëndron në faktin se në Tiranë ndryshe flitet e shkruhet për një politikan serb, për një shkrimtar serb, për një prift serb, për një akademik serb, për një këngëtar serbe, e krejt ndryshe flitet e shkruhet për ta në Prishtinë.
Për Akademinë Serbe të Shkencave e Arteve, në Kosovë nuk mund të shkruhet mirë, sepse ajo është kupolla e projekteve anticivilizuese ndaj shqiptarëve, duke filluar nga elaboratet famëkeqe të Garashaninit, Gjorgjeviqit, Çubriloviqit, Andriqit, e deri te Momorandumi 1 dhe 2. Kjo Akademi dominohet nga profesorë, shkrimtarë, juristë, ekonomistë, teknologë, teologë, artistë serbë që mendojnë zi e më zi për shqiptarët dhe ata janë katalizatorët e mendimit publik serb mbi shqiptarët. Kisha Ortodose Serbe është prodhuesi më gjikand i ndikimit toksik mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe, kurse në shumë vepra letrare, muzikore, figurative dominon miti serb mbi Kosovën. Kosova në këto vepra ende paraqitet si “djep i Serbisë”, sintagmë kjo që tek gjeneratat e reja dhe të painformuara serbe parreshtur prodhon adrenalinë shoveniste kundër “shqiptarëve pushtues të tokave të shenjta serbe”.
Po të lexohej më me vëmendje Faik Konica, sigurisht që nuk do të ekzistonte ky jaz kaq i thellë i keqkuptimeve Tiranë-Prishtinë.
“Të grabitur e të vjedhur një herë, të kërcënuar për të dytën herë, domosdo që shqiptarët realitetin e gjërave e shohim me sy të keq”, shkruante para 100 viteve Konica për shqiptarët e dëbuar nga Sanxhaku i Nishit, të cilët pasi ishin vendosur në Kosovë, kishin marrë udhën e kurbetit, ku ishin shquar me punë e zanate të vyeshme. ”Jemi duar-artë në punë. Në mbarë Turqinë, madje edhe në Greqi e Rumani, do gjeni muratorë, vreshtarë, ndërtues ujësjellësish, të gjithë shqiptarë myslimanë dhe të gjithë nga Veri-Lindja, nga ai vilajet i Kosovës…”, shkruante Konica. (Albania, Viti 7, Shkurt 1903, nr. 2.)
Konica para 100 vjetëve kishtre mirëkuptim teksa konstantonte se “shqiptarët realitetin e gjërave e shohim me sy të keq”, duke iu referuar “tokës së djegur” që krijohej pas pushtimeve dhe dëbimeve serbe, ku shqiptarët ishin paguesit më fatkeq të kostos së gjenocidit mbi ta, ndërkohë që aktualisht një mirëkuptim i tillë po mungon në diskursin publik të Shqipërisë.
Shqiptarët këndej Drinit kanë të drejtë të ndjehen të zhgënjyer dhe të pezmatuar nga ky diskurs publik në Shqipëri që nuk po arrin të bëjë diferncimin në mes të ndjeshmërive negative të kosovarëve ndaj serbëve dhe dipotrisë mediatike-gazetareske të Tiranës mbi “serbët normal, paqësor, bashkëpunues etj.”
Shtypi serb para dhe pas luftërave ballkanike ishte i mbushur me artikuj kundër shqiptarëve, duke i paraqitur ata në sytë e botës si dele të zeza, si një mish i egër, si njerëz me bisht. Sipas autorëve serbë “arnautët ishin gjithmonë përfaqësiesit e denjë të çrregullimeve dhe të mos përgjegjësisë ndaj shtetit. Të tillë i njhnin edhe të krishterët edhe Turqit. Gjatë historisë dhe në gojëdhëna, në të kaluarën dhe të tashmen për banorët e Makedonisë , Sërbisë së vjetër dhe në Sanxhak, shqiptari ishte sinonim i dhunuesit dhe i dhunës dhe i rrëmbimit. Ata ishin të tillë edhe në kohë të luftës e edhe në kohë të paqës.”( Jovan N. Tomić, “O Arnautima u staroj Srbiji i Sandžaku”,1913)
Pra ky ishte diskursi publik serb mbi shqiptarët dhe ky diskurs, me intenzitet të zvogluar apo zmadhuar, kishte vazhduar deri vonë, për të mos thënë se gati çdo e dyta gazetë në Serbi shqiptarët i quan me term pezhorativ “shiptari”, kurse Kosovën – “Kosovo i Metohija”, “Juzna srspka pokrana”, “Stara Srbija” etj,
Asnjë gazetar apo intelektual shqiptar këndej Drinit nuk konsideron se të gjithë serbët janë njësoj, sepse ka jo pak intelektual serbë në Beograd, të cilët nuk ishin pajtuar me politikën e Millosheviqit, dhe tash të Vuçiqit, ndaj shqiptarëve.
Vite më parë shkrimtari me prejardhje të përzier malazezo-hebreje Danilo Kish e kishte braktisur Beogradin dhe ishte zhvendosur në Paris në shenjë të refuzimit ndaj klimës së jotolerancës që ishte krijuar në ambientin ku jetonte e punonte. Beogradin pastaj e braktisi një mik tjetër i Kishit, Mirko Kovaç, i cili u vendos në Rovinj të Kroacisë, ku edhe ndërroi jetë para pak vitesh.
Ne gazetarët dhe shkrimtarët këndej Drinit nuk e fshehim admirimin për disa intelektualë serbë që mbajtën qëndrim korrekt e human ndaj çështjes së Kosovës, siç janë edhe Latinka Peroviq, Sonja Biserko, Natasha Kandiq, Çedomir Petroviq etj.
Pra nuk është e vërtetë se autorët nga Kosova po mbjellin njëfarë defetizmi në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe po shohin vetëm zi e më zi tek serbët, se autorët shqiptarë këndej Drinit po ua prishin festën me serbët shqiptarëve të Shqipërisë. Përkundrazi, ne po e ndajmë shapin nga sheqeri dhe nuk po i fusim të gjithë serbët në një thes, siç po veprojnë disa autorë nga Tirana, të cilët ende nuk po bëjnë diferencimin në mes të serbit faqezi dhe serbit fisnik.
Për ta kuptuar më drejt klimën antishqiptare në Serbi, mjafton të marrim shembullin e aktorit të madh Bekim Fehmiu, i cili që në fillim të viteve tetëdhjetë refuzoi të luaj në dërrasat e Teatrit Atelie 212 në Beograd, në shenjë proteste ndaj kësaj klime. Bekim Fehmiu aq mundi, aq bëri, por nuk e kemi vërejtur se dikush në Tiranë i ka shku në rrënjë motivit se pse një Bekim Fehmi i madh, një Bekim Fehmi i Holivudit dhe i skenave të famshme kinematografike ndërkombëtare, nuk po luante më në teatër dhe në film?!
Kam droe se, mos e ban Zot, po të ishte në atë kohë Mustafa Nano dhe bashkëmendimarët e tij në Beograd, sigurisht që do ta kualifikonin si primitiv qëndrimin e Bekim Fehmiut dhe do t’i bashkoheshin pa hezitim korit të linçimit nga ana e mediave serbe.
Nuk e di saktësisht pse, por sërish kam një keqardhje për Mustafa Nanon dhe bashkëmendimtarët e tij. Kjo keqardhje vjen nga pamundësia jonë për të vendosur një funksionim të brendshëm normal të botës shqiptare dhe nga gjeografia e ndryshme e një historie të përbashkët e komplekse kombëtare. Të ndodhur në gjeografi dhe sisteme të ndryshme social-politike, shqiptarët kaluan nëpër procese të rënda frustrimi e keqkuptimi midis tyre dhe kjo është arsyeja se pse kjo histori e jona e përbashkët del kaq shumë e plasaritur dhe zhubravitur, sa që herë herë e kemi vështirë të gjejmë rrugën e mirëfillt të ecjes përpara. Prandaj edhe sot kemi pikëpamje kaq të ndryshme e kundërthënse mbi Bregoviqin dhe mikun e tij Vuçiqin.
Shkup, 09, 08. 2021