Pse kthehen partitë guerilase në Tiranë?

Lexo edhe

nga Frrok Çupi

Kthim?… Nuk ishin parti që kishin ikur, dhe tani u kthyen… Partitë këtu kanë qenë, por kanë kthyer kohën e kaluar ‘guerilase’ në ditët tona. Vetëm partia kosovare ‘Vetvendosje’- tipike guerilase, u kthye sot në Tiranë: Gjykata ka vendosur që kjo parti e një shteti tjetër, të garojë si guerilase këtu në Tiranë…

Ndërsa tre parti të tjera, janë kthyer, kur në fakt nuk e kanë të shkruar në program ‘veprën guerilase’ për marrjen e pushtetit. Partia Demokratike është regjistruar në vitin 1990 si parti antikomuniste, domethënë si ‘anti- guerilase’; por tashmë ka hyrë në tunelin pa dritë të marrjes së pushtetit me ‘mjete guerilase’. Partia e parë antikomuniste është kthyer në guerilase duke ngritur më këmbë militantët kundër institucioneve kushtetuese për marrjen e pushtetit me dhunë. Janë përdorur dhe po përdorën gurë, bomba, shkopinj, njerëz të paguar për të çarë kordonët e policisë. Qytetarët e presin me frikë ditën e sulmit të militantëve në kryeqytet. Retorika e dhunshme ‘do të varim me kokë poshtë’, ‘do të shkatërrojmë’, ‘do të vrasim’, etj., ngjallin ankth. Parlamenti është braktisur prej Partisë Demokratike, duke lënë të nënkuptuar se pushteti merret jo në rrugë parlamentare, por me mjete guerilase ose me frikë.

Edhe Partia LSI, e cila ka në thelb filozofinë guerilase, e kishte fshehur deri tani. Kryetari i LSI, Ilir Meta kishte deklaruar se adhuronte kryeministrin Mehmet Shehu- një guerilas i Luftës së Dytë dhe i luftës Civile në Spanjë. Ai gjithashtu ishte admiruesi më i madh i revolucionarit guerilas Che Guevara. Por sa kohë që i duhej të ishte mirë me Perëndimin, LSI ka fshehur tipin e saj. Tani, në krah të PD është futur në të njëjtin tunel pa dritë ku kërkohet pushtet me dhunë.

Veprimet e të dy partive kundër stabilitetit në vend asnjëherë nuk bëhen të njohura për publikun, duke ia lënë momentit të fundit kur hedhin bomba në bulevardet e Tiranës. Kjo është tipike për guerilasit…

Sot është njoftuar se edhe një parti tjetër e stilit ‘komunist guerilas’ është krijuar si pakënaqësi mes komunistëve të vjetër.

Pse kthehen guerilasit?

E para, është lidhja ndër- rajonale e guerilasve për të shkaktuar konflikt dhe trazira. Influencat ruse janë rritur në rajon dhe kanë nxitur partitë e opozitës që të shkatërrojnë paqen dhe stabilitetin. Me këtë mënyrë shpresojnë që të rrëzojnë rendin në rajon dhe të krijojnë konflikt mes Lindjes dhe Perëndimit.

E dyta, ndikimet e filozofisë së terrorizmit për të fituar pakica mbi shumicën, po ushqen partitë opozitare. Ato kanë hyrë në këtë rrugë përderisa kanë ndjerë se reformimi i shtetit dhe drejtësisë mund të kapë në grackë krimet e kryera më parë.

Guerilasit nuk falin asgjë, as paqen njerëzore dhe as jetën e individit, kur marrin në sy interesat e tyre.

Të Lidhura

Para

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *