Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në seancën e jashtëzakonshme për shtrenjtimin e energjisë, tha se Kosova si shtet nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energji elektrike që konsumohet, sidomos gjatë dimrit dhe çmimit të lartë të importit. Rizavanolli theksoi se në situatën në të cilën ndodhet Kosova, ekzistojnë vetëm dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave.
“Që nga viti 2017 kur është hequr bllok tarifa, ne konsumojmë më shumë energji elektrike vit pas viti. Ne si shtet nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energjinë që konsumojmë, sidomos gjatë dimrit ne varemi nga importi. Gjatë muajt dhjetor, janar e deri tani kemi importuar rreth 10 për qind të energjisë. Evropa, tani edhe Kosova po përballen me një krizë të jashtëzakonshme.
Varësia jonë nga importi nuk ka qenë problem derisa çmimet kanë qenë 6 deri 9 centë për kWh Sistemi ynë energjetik është pran kolapsit, nga këto dallime në çmimin e blerjes dhe shitjes janë akumuluar rreth 100 milionë euro borxhe në sistem. Ne jemi shteti më i varfër në Evropë, por prodhuesit dhe qytetarët nuk na pyesin për këtë. Këto janë fakte të dhimbshme, por duhet të jemi të sinqertë me veten dhe qytetarët dhe janë dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave. Pajtohemi të gjithë që reduktimet janë opsioni më i keq për qytetarët dhe ekonominë e vendit”.
Ajo më tej theksoi se Qeveria nuk e ka mundësinë për të refuzuar kërkesën apo propozimin e një institucioni të pavarur siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë, derisa shtoi se shteti ynë nuk është i vetmi në këtë krizë. “Çfarë mund të bëjmë ne, është ajo që e kemi bërë tani në mënyrë pro aktive. Kemi zotuar subvencion, i cili e zbutë ndikimin tek të gjithë konsumatorët dhe te bizneset… Në këtë krizë nuk jemi të vetmit, çmimet në vendet e rajonit janë rritë rreth 10 për qind pavarësisht faktit që kanë ndarë qindra miliona euro, e mbi 40 për qind pritet të rriten në pranverë në Britani e Turqi”.
Rizvanolli më tej tha se Qeveria nuk e ka mundësinë për të refuzuar kërkesën apo propozimin e një institucioni të pavarur siç është ZRRE-ja. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në një situatë të tillë energjetike nuk ka zgjidhje të lehtë, pasi që kriza është e rëndë. Ai deklaroi se duhet zgjedhur mes reduktimeve, subvencionimit të energjisë nga shteti dhe shtrenjtimit të faturës së konsumatorëve. Sipas tij, zgjidhja duhet gjetur në mes të këtyre dy të fundit. “Nga dita e djeshme nga ajo që mund të shohim është që piku nuk po bie. Ka qenë 1380 kw/h, por edhe konsumi është shumë i lartë. Edhe ngarkesa bazë është rritur, para një jave ka qenë 700kW/h, mbrëmë ka qenë 908kW/h. Piku s’po bie, lajm i mirë është rikthimi i bllokut B2. Importi ka rënë përgjysmë. Nuk ka zgjidhje të lehtë, s’ka as zgjidhje optimale sepse kriza është e rëndë”, deklaroi ai.
“Qytetarët kanë fantazi, mund të fantazojmë edhe unë edhe ju por s’është e mundshme as subvencionimi, as shtrenjtimi i faturës e as reduktimet. Është e domosdoshme të kuptohet se s’ka zgjidhje ideale”, shtoi tutje.
Kurti deklaroi se në katër vjetet e fundit, Kosova kurrë s’ka pasur më shumë qytetarë që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. “Në dhjetor të vitit 2021, ka pasur rritje të çmimit të gazit natyror prej 180kW/orë, krahasuar me fillimin e vitit 2021. Ka ndodhur një rritje e çmimit global të gazit për shkak të kërkesës për gaz. Edhe Kosova është ndikuar nga rritja e çmimeve në Evropë.”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të tregojë nëse qytetarët e Kosovës mund ta përballojnë propozimin e ZRRE-së në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Abdixhiku i ka replikuar Kurtit, duke i thënë se është duke bërë gabim që po e barazon konsumin e energjisë me të ardhura. Sipas tij, nuk duhet t’i bijë barra gjithkujt që shpenzon mbi 600 kWh që të paguajë me çmim të shtrenjtuar.
“Stafi profesional i ZRRE-së nuk ka rekomanduar heqjen e tarifave, ajo çka duhet ta kuptoni është se në kundërshtim me Komisionin Parlamentar të asaj kohe ka qenë rekomandimi i stafit profesional. Në anën tjetër unë e kuptoj që është një barrë e madhe financiare edhe për shtetin edhe për qytetarët. Bashkërisht duhet ta diskutojmë si të dalim nga kriza, por unë nuk mund ta marr këtë vendim kur ka ZRRE. Nëse kërkon prej meje ta marr këtë vendim është të më kërkosh të bëhem diktator”, tha ai.
Kurti më tej tha se raporti i ZRRE-së i nënshtrohet diskutimit publik, do të marrë komentet sikurse të deputetëve edhe të Qeverisë e të ministrave të linjës.Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë. Në propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.
Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.
Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro. Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro/Monitor/