Me shpresën se në fund të marsit 2016 do të jetë më në fund në duar të privatëve, INSIG është në shitje për 15 milionë euro. Historia e kësaj kompanie shtetërore e lidhur ngushtësisht me tranzicionin shqiptar është treguesi se si politika ka vepruar me asetet publike në gjithë këto vite. Interesi i lartë për privatizimin më të fundit duket se është i lidhur me dicka tjetër që s’ka shumë lidhje me tregun, por me atë që zotëron vetë kompania. Bilanci i vitit 2014 duket se fsheh një të vërtetë të madhe.
Krijuar me një ligj të posacëm të Kuvendit në vitin 1991, INSIG deri në 1999 do të operonte e vetme në një treg që sa vinte e zgjerohej dhe ku të ardhurat e fitimet njohën rritje të pamenduara.
Sfida e vërtetë për INSIG nis pas vitit 1999. Në treg futen dy operatorët e parë privatë SIGMA e SIGAL, që me agresivitetin e tyre shumë shpejt do të merrnin zotërimin në biznesin e sigurimeve. Nga atëherë, kompania me disavantazhin e administrimit politik dhe burokracisë shtetërore vetëm sa do të humbte fuqinë dhe fitimet. Në ndihmë nuk i erdhi as zgjerimi i tregut në Kosovë e Maqedoni në vitet 2000 dhe 2004. Madje në pak vite këto degë do të ktheheshin në një barrë të rëndë për kompaninë mëmë, e cila vijonte të humbte treg edhe brenda vendit. Në 2005 pas 6 vitesh liberalizim të tregut INSIG zotëronte vetëm 15 për qind të biznesit të sigurimeve. Krahasuar me 92 për qind të tregut që kishte në mbyllje të vitit 1999 rënia ishte me plot 6 herë!!!.
Qeveria tashmë ishte bindur se rrënimi i vazhdueshëm mund të ndalohej vetëm me një mënyrë. Privatizim sa më i shpejtë. Me ndihmën e Bankës Botërore që në vitin 2001 u hartua një strategji për privatizimin e kompanisë. Një vit më vonë në 2002 Kuvendi miraton ligjin e privatizimit, duke e përfshirë INSIG në asetet strategjike. Duke qenë një biznes i sigurtë dhe me të ardhme IFC dhe BERZH nuk nguruan gjatë dhe morën së bashku 39 për qind të kompanisë, duke ja lënë paketën kontrolluese shtetit. Ishte një transaksion me rreth 10 milion euro. Por koha do të tregonte se si edhe në raste të tjera llogaritë ishin bërë gabim. Vetëm pas katër vitesh BERZH e IFC do të tërhiqeshin nga ortakëria me shtetin shqiptar.
U duk se qeveria e demokratëve po nxirrte mësime me atë që kishte ndodhur deri atëherë me INSIG. Vetëm një vit pasi kishte ardhur në pushtet, në 2006, shumica e re miratoi në Kuvend një ligj të dytë për privatizimin e INSIG. Një vit më vonë nisën procedurat për shitjen e kompanisë që në atë periudhë pati një tendencë të lehtë rritje. Do të kalonte edhe një vit tjetër deri kur më 10 Dhjetor 2008 Agjencia Telegrafike Shqiptare do të njoftonte se kompania amerikane American Reserve Life Insurance kishte blerë INSIG për 41 milionë euro, ku pjesës së shtetit prej 61 për qind të aksioneve i takonte të ishte 25 milionë euro. Duke e parë si një sukses të kërkesës së tregut ndërkombëtar për Shqipërinë, qeveria do të deklaronte se shitja ishte shumë me tepër se vlerësimi prej 39 milion euro që kishte bërë kompania ndërkombetare KPMG, apo edhe vlerësimi i vetë qeverisë që kishte qenë 37.5 milion euro.
Por nuk qe e thënë. American Reserve Life Insurance u tërhoq nga blerja dhe preteksti qe kriza financiare që kishte përfshirë SHBA-në. Ndërkohë në media vlonin akuzat se pas gjithë procesit kishin qenë dy ministra të kohës.
Po në vitin 2008 Kuvendi do të ratifikonte tërheqjen e IFC dhe BERZH nga paketa e tyre e aksioneve në INSIG. Kompania ribëhej 100 për qind shtetërore, duke nisur një sagë tjetër të humbjes së peshës në treg. Në shtatë vitet në vijim biznesi i INSIG në tregun e sigurimeve do të rrudhet me tre herë, nga 15 në 5 për qind. Se çfarë ndodhte me kompaninë, do ta tregonte Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në një raport kontrolli të vitit 2013 do të konstatonte se në dy vitet parardhëse nga 2011 në 2012, kur të ardhurat shënonin vetëm rënie nuk ndodhte e njëjta gjë me shpenzimet. Ishte dyfishuar reklama nga 39 milionë lekë në 79 milionë lekë, ndërsa shpërblimet ishin rritur me 50 për qind nga 8.7 milion në 12.3 milion lekë. Rritje kishin pësuar edhe pagesat për drejtuesit dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës. Degët në Kosovë e Maqedoni ishin me humbje të mëdha dhe autoritetet e tregjeve atje nuk ua njihnin bilancet. Qeveria socialiste që erdhi në pushtet dërgoi një dosje me abuzime në Prokurori. Fati i saj duket se ka qenë i paraparë të jetë si fati i shumë dosjeve të tjera me abuzime skandaloze: të mbyllet.
Në vitin 2015, pasi e kaloi pronësinë e INSIG nga Ministria e Finanacave tek Ekonomia, qeveria njëkohësisht e hoqi kompaninë nga asetet strategjike. Në fund të vitit të kaluar kompania e vlerësimit BDO u pajtua të caktojë një çmim për INSIG. Më 25 janar 2016 Ministria e Financave shpalli tenderin e hapur për privatizimin e INSIG. Në njoftimin e publikuar thuhej se tenderi do të fillojë me vlerën fillestare prej 15.3 milion euro, e konvertuar në lekë me kursin e 25 janarit 2016, ditës së shpalljes së privatizimit të 100 për qind të aksioneve me tender të hapur. Tërheqja e dokumenteve mbetet e hapur deri më 10 mars. Subjekteve të interesuara para se të hyjnë në tender do t’u duhet të ngrijnë në bankë një garanci prej tridhjetë milion lekë. Planifikohet që gjithçka të mbyllet më 25 mars 2016. Në pikëzimin e kritereve për shitjen e INSIG është përcaktuar që 80 pikë të shkojnë për subjektin që ofron çmimin më të lartë, 10 pikë për cilësinë e planit të biznesit dhe 10 pikë të tjera për cilësinë e investitorit.se kaq shumë interes?
Pas gjithë asaj që rrjeshtuam më sipër duket se INSIG është diçka që tashmë nuk i intereson më askujt. E vërtetë është krejt tjetër. Kjo tregohet edhe nga interesi i lartë që kanë treguar operatorët e mëdhenj të tregut shqiptar për këtë privatizim. Ministria e Financave bëri një njoftim publik dy javë më parë se në garë janë futur 7 subjekte, por pa përmendur emrat e tyre. Lista mund të jetë shtuar ndërkohë. Tre prej konkurentëve, Balfin Grup i Samir Manes, Kastrati i Shefqet Kastratit dhe SIGAL me drejtues Avni Ponarin e kanë shpallur publikisht ambicjen e tyre për ta blerë INSIG. Ndërsa dy të fundit që janë pjesë e tregut të sigurimeve, mund të jenë futur për të hequr qafe ndonjë konkurent të bezdishëm, Balfin Grup po luan fort që të futet në këtë treg. Por duket se më shumë se tregu interes ka INSIG, e posaçërisht vlerat monetare që kompania zotëron. Nëse nga bilanci i dorëzuar në qershor 2015 nuk kanë ndryshuar gjërat atëherë kompania ka në zotërim vlera monetare që shkojnë rreth 30 milionë euro. Lufta bëhet pikërisht për këto.3 2004 2005 2010 2015
100 92.33 70.32 52.31 30.11 22.61 16.35 15.09 8,41 5.84
1991 – Kuvendi i Shqipërisë vendos krijimin e INSIG me ligjin 7506, dt 31.07.1991
1992 – INSIG, fillon aktivitetin si kompania e vetme në treg
1999 – Hapet tregu, INSIG bëhet sh.a., nisin aktivitetin kompanitë private SIGMA e SIGAL
2000 – INSIG merr licensën që të kryejë edhe sigurime për jetën.
2000 – INSIG shtrin aktivitetin në Kosovë
2001 – Me ndihmën e BB hartohet strategjia e privatizimit të INSIG
2002 – Kuvendi miraton ligjin 8899, dt 22.5.2002 “Për privatizimin e INSIG”
2003 – INSIG liçensohet për të ushtruar aktivitet në Maqedoni
2003 – IFC & BERZH blejnë aksione të INSIG (28 Tetor 2003)
2004 – INSIG fillon aktivitetin në Maqedoni
2004 – Kuvendi ratifikon shitjen e 39 % të aksioneve të INSIG tek BERZH dhe IFC.
2006 – Kuvendi miraton një ligj të dytë për privatizimin e INSIG
2007 – Nisin procedurat për privatizimin e INSIG
2008 – American Reserve Life Insurance blen INSIG për 41 milionë euro
2008 – American Reserve Life Insurance tërhiqet nga blerja e INSIG
2008 – Parlamenti Shqiptar ratifikon tërheqjen e IFC dhe BERZH nga aksionet e INSIG
2009 – Qeveria merr në zotërim 100% të aksioneve të INSIG
2015 – INSIG hiqet nga privatizimi strategjik
2016 – INSIG hidhet për privatizim me vlerën 15 milion euro