Partia Socialiste nuk ka zhvilluar asnjë negociatë me grupet parlamentare sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri. Kështu ka pohuar Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri në një intervistë për mediat. Gjiknuri tha se ka zhvilluar vetëm mbledhje të brendshme me Kryetarin e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën dhe përfaqësuesen e qeverisë Elisa Spiropali, si grupi i mandatuar për negociatat për presidentin e ri.
“Dua të sqaroj se nuk ka pasur asnjë negociatë me asnjë grupim, kemi zhvilluat takime mes vetes sonë sa i përket procesit që do organizohet brenda PS, grupi i ngarkuar për të negociuar me palët. Ka zhvilluar mbledhje brenda vetes, ne të tre, Balla dhe Spiropali, nuk ka pas negociata, gjithçka tjetër është spekulim. Pa u paracaktuar kalendari i votimit nuk është koha për të nisur negociata. Madje nuk kemi diskutuar as me grupe interesi’ – tha Gjiknuri.
Gjiknuri nënvizon se Partia Socialiste është e qartë në qëndrimin e saj, se Presidenti i ri do të jetë shumë më ndryshe nga Ilir Meta. Ai thekson se presidenti i ri duhet të di të qëndrojë mbi palët dhe të mos përfshijë në detyrë interesat e tij personalë politikë.
“Nuk mund të konfirmoj nëse do të jetë burrë apo grua, e rëndësishme është të jetë personalitet i mirë, i provuar që di ta bëjë detyrën, të qëndrojë mbi palët, të mos fusë interesat politike në detyrën e tij. Po të fokusohemi në këtë karakteristika do të ketë një president të mirë ndryshe nga ç’ka kemi parë këto pesë vitet e fundit” – tha Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS është ndalur edhe në Kongresin që do zhvillohet më 9 prill duke shpjeguar se ky Kongres do të sjellë një risi, pasi nuk do të fokusohet vetëm në problemet organizative të partisë, por do trajtohen edhe çështje të tjera. Ai thekson se rreth Pallatit të Kongreseve do të mbahen diskutime të hapura me qytetarët.
“Ky Kongres kulmon me fillimin e mandatit të tretë. Ka ardhur moment që PS, përtej adresimit të problemeve organizative të partisë, miratimi i statutit, ndryshimet për riorganizimin më të mirë të partisë, do trajtojmë edhe çështje të tjera tematike që lidhet me situatën që po kalon Shqipëria. Por ne do zhvillojmë disa sesione aktivitet përreth Pallatit të Kongreseve që janë të hapura për publikun, për palët e interesuara ku do diskutohen ide zhvillimore, politika që ka ndërmarrë qeveria për të adresuar shqetësimet e krizës, por është edhe një forum për të testuar shumë nga idetë që ne kemi, apo për të marrë opinione” – vijoi Gjiknuri.
Ndonëse PS ka fituar mandatin e tretë, Sekretari i Përgjithshëm shprehet se kjo nuk do të thotë që partia s’ka nevojë për ripërtëritje.
“Fakti që jemi fitues nuk do të thotë që s’kemi nevojë për reflektim. Qenia e gjatë në pushtet sjell edhe konsum edhe nevojë për ripërtëritje dhe një parti që mjaftohet me faktin që është e pathyeshme nuk mund të mendojnë për një perspektivë të gjatë nëse nuk gjen forca për t’u rigjeneruar” – tha Gjiknuri.