Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Po, sikur të mos vritej Gjeneral Tellini?

Nga 27.al 0

Shkruan: Fahri Xharra

“Grekët, me anën e kantundarëve grekë të Gjirokastrës kishin dijeni të plotë për këto ngjarje dhe menduan ta falnin Koço Memon, ta mësonin mirë e mirë dhe ta nxirrnin dëshmitar përpara Komisionit Ndërkombëtar, të cilëve do t’u kallzonin përgatitjen e shqiptarëve për të vrarë Boço Kalon, me ndryshimin që në vend të emrit Boço Kalo do të thoshte emrin e gjeneral Tellinit”.

Këtu nisi dhe mori jetë zbatimi i planit për ekzekutimin e Tellini-t. Mehdi Frashëri tregon se autorë të kësaj vrasjeje ishin 5-6 banditë e bashkë me ta edhe një kriminel nga Nivica, që u kap rastësisht në Sarandë i armatosur. Në raportin që Frashëri i dërgoi në frëngjisht komisionit hetimor shkruan:

“Nga ndjekjet e xhandarmërisë shokët grekë të bandës kishin hyrë përsëri në Greqi dhe nivicioti kishte mbetur në Shqipëri, ku u zu i armatosur. Sipas Kol Tromarës kjo bandë greke kishte qenë vrasësi i gjeneral Tellinit dhe mbas vrasjes kishte kaluar kufirin e Shqipërisë për të përgatitur prova kundër shqiptarëve”.

E po, kjo ndodhi, me 23 Gusht 1923 u vra Gjeneral Tellini. Po, sikur mos të vritej ai, harta gjeografike e Shqipërisë do të ishte ndryshe, dhe ndoshta apetitet greke për më shumë do të ndaleshin. Por, nuk e besoj! Greqia, Serbia janë të pangopura deri në tretjen tonë si komb.

Vrasja e gjeneral Tellini-t

“Nuk ka asnjë dyshim që përcaktimi i kufirit shqiptar, por edhe fqinjëve jugorë grekë, ka pasur jo vetëm peripeci të mëdha, por edhe viktima të shumta midis tyre dhe të një gjenerali italian në vitin e largët 1923. Normalisht ishte një kohë, kur regjimi fashist në Itali sa kishte filluar modelin e tij, por në fakt ishte Komisioni Ndërkombëtar i ngarkuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris që kishte vendosur gjeneral Enrico Tellini, për të përcaktuar kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Ishte një ngjarje e rëndë e asaj kohe, sepse gjenerali ishte Kryetari i Misionit të Përcaktimit të Kufirit dhe ishte i ngarkuar, jo thjesht nga qeveria italiane që tashmë kishte fillimet si regjim fashist, por nga ndërkombëtarët dhe ai vetë ishte një ushtarak i mirëfilltë dhe profesionist. Tellini i vra së bashku me katër ushtarakë të tjerë shoqërues dhe Musolini atëhere bëri edhe reperkursionet e tij ndaj Greqisë, duke bombarduar ishullin e Korfuzit dhe vendosur një gjobë të rëndë shtetit helen.

Gjenerali kishte si detyrë përcaktimin e qartë të kufirit midis Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë dhe ishte i shoqëruar nga specialistë të tjerë. Ai shoqërohej nga major Luigi Corti, toger Mario Bonacini ose ordinca dhe asistenti i gjeneral Tellini-t, shoferi Remigio Farnetti, por edhe Xhezir Thanasi nga Leskoviku, si përkthyes i grupit të italianëve. Janë vrarë barbarisht të gjithë pa përjashtim, dhe në këtë rast nuk u vodh asgjë, por gjithashtu ishin në territor, ku nuk kishte aspak shqiptarë dhe menjëherë u përcaktua se ishte një masakër e kryer nga shovinistë apo nacionalistë grekë, të cilët kishin kohë që ishin qartë dhe prerazi, kundër këtij përcaktimi të kufirit me Shqipërinë.

“Tiranë, 6 Shtator 1923, Përfaqësuesit tonë në Paris, Londër, Romë e Gjenevë na njoftojnë: Veprimi i fundit i drejtë i Gjeneral Tellinit ndaj Shqipnisë, i dhanun prej Tij, me 2 Gusht, ku, vëndosi që banjot e Vromonerit ti mbesin Shqipnisë, janë shkaku i vrasjes së Tij…”

Se sa ishte masa e shqetësimit të gjeneral Tellini-t kuptohet nga një raport i tij i dërguar në Lidhjen e Kombeve për punën e kryer deri në ato moment: “Ky delegacion, nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar… Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”.

Pakënaqësia e Greqisë nisi që kur Lidhja e Kombeve, pas Konferencës së Paqes në Paris, e emëroi Tellini-n kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

…. Fshatrat Pobickë dhe Radat në Leksovik, Peshkëpi, Rrëzë e Zezë dhe Kakavijë i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Punonte me ritëm të lartë në mënyrë që të përfundonte shpejt. Kur Enrico Tellini po bëhej gati ta shpinte vijën e kufirit të Shqipërisë deri në Kallama dhe të gjithë Çamërinë Veriore, duke përfshirë edhe Janinën me rrethinat e saj, kishte vetëm një mënyrë që qarqet greke ta ndalonin: duke e eliminuar fizikisht.

Kush e vrau Gjeneral Tellini-n? Përfaqësuesi shqiptar pranë Komisionit Ndërkombëtar dhe përfaqësues i qeverisë shqiptare pranë grupit hetimor, Mehdi Frashëri, është i vetmi person i kohës që na i jep vrasësit me emër. Madje, ai jep detaje edhe për përgatitjet që bënë autoritetet greke që kjo vrasje të dukej sikur e kishin bërë shqiptarët. Por, në fakt, e kishin bërë grekët.

Frashëri jep një version mjaft interesant se si shteti grek i manipuloi kriminelët për të thënë se vrasja e Tellini-t u bë prej shqiptarëve.
Tellini e bëri një provë shumë të përsosur për të ardhur deri tek e vërteta e origjinës së banorëve të fshatrave që kontrolloheshin nga ai së cilës etni i përkisnin. Gjenerali italian vazhdimisht ndeshej në shumë pengesa dhe mosmarrëveshje me grekët për pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë.

Në habinë e grekëve Tellini e bëri një provë që do të kthehej në legjendë. U hidhte karamele një turme fëmijësh dhe aty dëgjonte se çfarë gjuhe flisnin, kur ziheshin për t’i kapur.Të gjithë flisnin shqip. Kaq i mjaftonte italianit dhe vendosi kufirin duke e lënë këtë fshat brenda territorit shqiptar. Kjo i zëmëroi grekët pa masë dhe pati shumë incidente me anëtarët e komisionit.
Hartat e vitit 1925, janë pothuaj ato që kemi sot dhe që prej asaj kohe nuk është përcaktuar edhe kufiri jonë detar me shtetin grek. Gjithsesi vrasja e gjeneral Tellini-t, mbetet edhe ngjarja, e cila megjithëse nuk kishte shqiptarë, përveç përkthyesit, në rëndësinë e saj, kishte të bënte me kufirin shqiptar dhe vështirësitë e mëdha që ky kufi kishte për t’u përcaktuar në atë kohë.

Dhe sot e asaj dite, kufiri mbeti aty ku është plus që apetitet greke për më shumë nuk po ndalen.

Referencat:

-The Corfu incident https://www.britannica.com/event/Corfu-incident

– The Corfu Incident of 1923: Mussolini and The League of Nations nga James Barros

http://albdreams.blogspot.com/2012/05/vrasja-e-gjeneral-tellinit-dhe.html

https://zanimalsise.com/e-hene-23-gushtit-te-vitit-1923-vrasja-e-gjeneralit-italian-qe-duhej-te-ndante-kufirin-greqi-shqiperi/

-Bernar Zotaj: Për Gjeneral Telinin e misioneve ndërkombëtare

– Vrasja e Telinit nga grekët dhe kriza e Korfuzit { Përg. Saimir Lolja }

Gjakovë 28.01.20

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej