Situata në vend vijon të jetë kaotike për shkak të reshjeve të dendura të shiut, dhe përmbytjeve të dy ditëve të fundit. Situata më e rënduar paraqitet në jug të Shqipërisë, ku lumenjtë e mëdhenj kanë dalë nga shtrati, duke lënë nën pushtetin e ujit shumë zona.
Data 02.12.2017
Ora 20:21
Pallati i Sportit pret të evakuuari në Vlorë, gati 50 shtretër
Në Pallatin e Sportit të Vlorës janë bërë gati rreth 50 shtretër, për të pritur familjet e evakuuara nga zonat e përmbytura. Mësohet se janë në gatishmëri edhe ekipe mjekësore, edhe pse për momentin personat e evakuuar nuk kanë shfaqur probleme shëndetësore. Në Pallatin e Sportit ndaloi kryeministri Rama, i cili deklaroi se situata ka nisur të kthehet në normalitet.
Ora 19: 14
Pamjet me dron, Fieri i gjithi nën ujë
Jo vetëm Vlora, por edhe Fieri është i përmbytur nga reshjet e shumta të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati. Sot gjatë gjithë ditës për bllokimet e familjeve dhe situatën e rëndë.
Ora 17:35
Dëmtohet argjinatura në Gjoricë, në rrezik përmbytje 50 familje
Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë dites së djeshme dhe të sotme ka bërë që të fryhet lumi Drin në Bulqizë, duke rrezikuar seriozisht argjinaturën mbrojtëse të Gjoricës së epërme dhe asaj të poshtme. Banorët thanë se gjatë natës ka pasur rrëshkitje të inerteve në argjinaturë duke bërë që lumi t’i drejtohet fshatit Gjoricë ku rrezikon të përmbyten rreth 50 banesa.
Ora 16:56
Dalja nga shtrati e lumit Vjosa, 4 persona të bllokuar në makinë
Dalja e lumit Vjosa nga shtrati ka vështirësuar situatën në zonat e prekura për shkak të përmbytjeteve. Për shkak të vërshimit të ujërave të lumit Vjosa, është përmbytur nga uji aksi rrugor Levan-Tepelenë. Katër persona kanë bërë apel për ndihmë, pasi ndodhen të bllokuar brenda makinës në fshatin Ferras të Fierit.
Ora 16:27
Pamje me dron, Novosela nën ujë
Pamjet ekskluzive me dron, duket qartë që uji ka pushtuar të gjithë zonën. Niveli i ujit ka arritur deri në dy metër, ku mjaft problematike situata paraqietet në Novoselë pasi gati çdo gjë është nën ujë. Në Novoselë tashmë, veç forcave të policisë dhe të ushtrisë, kanë shkuar edhe ekuipazhet e shpëtimit nga Kosova, të cilët po japin ndihmën e tyre për të shpëtuar familjet e përmbytura.
Ora 15:54
Dëmtohet ura në Zëmblakë devijohet qarkullimi në rrugë dytësore
Ura që lidh Korçën me Devollin dhe Kapshticën i është dëmtuar njëra nga këmbët mbajtëse nga sasia e prurjeve dhe paraqet rrezik për atuomjetet që mund të kalojnë aty. Për këtë arësye qarkullimi është ndërprerë dhe po vijon nga rruga dytësore.
Ora 15:30
400 ushtarakë në aksion, evakuojnë 98 persona
Rreth 400 efektivë të FA janë aktualisht të angazhuar në terren. Ne total jane evakuuar deri më tani 89 persona. Batalioni i këmbësorisë është nisur drejt fshatit Roms të Mallakastrës për të ngritur një cadër për një familje, banesa e të cilëve është përmbytur, ndërsa më herët zhvilluan një operacion pranë urës së Mifolit.
Ora 14:20
Shpati i malit rrezikon të shkëputet, bllokohen fshatrat e Vlorës
Policia e Vlorës ka bllokuar aksin rrugor nacional i cili lidh komunën Brataj me fshatrat Kuç, Kallarat dhe Bolenë.
Asnjë mjet apo këmbësor nuk do të lejohet të kalojë përgjatë këtij aksi, ndërsa reshjet e shiut vijojnë.
Ky aks është bllokuar pasi mund të shkëputet një pjesë e shpatit të malit e cila për pasojë mund të rrezikojë jetët e njerëzve.
Ora 13:50
Kanë rinisur reshjet e shiut në qytetin e Fierit dhe të Vlorës. Ndërkohë deri në mesditë niveli i ujit në Novoselë, Ferras, Levan dhe fshatra të tjerë të dy qyteteve arrin nga 1-2 metra. Disa nga banorët nuk pranojnë që të evakuohen duke qëndruar në katet e sipërme të banesave.
Ora 10:30
Parandalohet tragjedia në Delvinë, furgoni me pasagjerë ngec në urën e dëmtuar
Një furgon ka mbetur në mes të urës së Vanës në Delvinë e cila është shemb. Një tragjedi është parandaluar paraditen e sotme në Delvinë. Një furgon ka tentuar të transportonte një fëmijë nga fshati Vanë drejt spitalit të Sarandës.
Ura e Vanës ndodhet mbi lumin Kalasë. Shoferi nuk e ka ditur që ura ishte dëmtuar dhe sa nuk është rrezikuar dhe jeta e të gjithë personave që ndodheshin në makinë.
Pasagjërët kanë shpëtuar pasi furgoni ka ngecur në urë.
Banorët po mundohen të tërheqin furgonin brenda urës me anë të një zetori por është shumë e vështirë. Të pranishëm janë dhe forcat e policisë.
Ora 09:50
Edhe lumi Devoll del nga shtrati
Lumi Vjosë më agresivi dhe i rrëmbyeri në vend ka shpërthyer argjinaturat duke bërë që shumë fshatra të Vlorës dhe të Fierit ta gjejnë veten nën ujë dhe dhjetëra familje të evakuuohen. Por situatë emergjente paraqitet edhe në Korçë, ku lumi Devoll ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha.