Kamerat e Repartit të Forcës Lëvizëse Operacionale, FLO, ku u mbajt pajisja e përgjimit “IMSICatcher” pas ardhjes nga Italia, nuk punojnë.
Pamjet janë kërkuar nga Prokuroria pas zbulimit në librin e hyrje-daljeve të institucionit se makina ku ndodhej pajisja e përgjimit është lëvizur në Tiranë në dy raste vetëm me personel shqiptar, pa praninë e shtetasve italianë.
E tillë ka qenë lëvizja e makinës me pajisjen në datën 13 maj 2016, në orën 12:10, vetëm pak minuta pasi hetuesit e Prokurorisë kishin shkuar në zyrat e FLO te “21 Dhjetori” për të sekuestruar pajisjen. Në këtë kohë, shefi i IT te FLO, Ention Xhelilaj, sipas librit të hyrje-daljeve, ka nxjerrë makinën bashkë me pajisjen, ndërsa hetuesit e Prokurorisë po kërkonin sekuestrimin e saj.
Bazuar në ato çfarë kanë gjetur te libri i hyrje-daljeve, hetuesit kanë kërkuar kamerat vëzhguese të zyrave të FLO, por u është thënë se kamerat nuk punonin për arsye që nuk dihen.
Me gjithë këtë përgjigje, hetuesit e Prokurorisë kanë vendosur sekuestrimin e kompjuterit (serverit) ku depozitohen pamjet e sistemit të kamerave te zyrat e FLO, me qëllim për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë fshirje.
KAMERAT E BASHKISË
Por ndërsa Policia e Shtetit nuk ka dorëzuar pamje të hyrje daljeve në godinën e FLO te “21 Dhjetori”, Prokuroria ka gjetur materiale të tjera.
Nga sistemi i kamerave monitoruese të trafikut dhe semaforëve në kryqëzime është marrë material video ku është fiksuar lëvizja e makinës ku ndodhej pajisja në dy
raste nën drejtimin e shtetasit Ention Xhelilaj, i cili ndodhej i vetëm në kabinën e mjetit.
/Panorama/