Dëmi i shkaktuar nga vendosja e taksës për mallrat nga Serbia, nga 21 nëntori deri më 30 dhjetor arrin në 46.1 milionë euro, tha ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Lajiç.
Ai për TV Pink shpjegoi se tani tregtia është ndalur pothuajse plotësisht. “Ka pasur më shumë ankesa nga bashkësia ndërkombëtare për të hequr taksat, por autoritetet e Kosovës vetëm radikalizuan situatën dhe sollën masa të reja”, tha Lajiç.
Sipas tij, Prishtina ka gjetur tregje të tjera, si për shembull grurë në Hungari dhe Kroaci, i cili është 10-15 euro më i shtrenjtë për ton se ai në Serbi.
Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë me dije se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Ndërkohë, që pala serbe ka kushtëzuar heqjen e taksës me vazhdimin e dialogut në Bruksel.