Alibeaj: E ndihmuan për tu arratisur dhe më pas penguan drejtësinë hollandeze që e kishte arrestuar më 6 mars
Partia Demokratike e akuzon kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për arratisjen e Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Arrestimi në Hollandë i Arben Frrokut, ka risjellë akuzat e PD-së ndaj mazhorancës për lidhje me krimin. Kreu i departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, akuzoi autoritet shqiptare se kanë penguar procedurat e kërkuara nga Hollanda për ekstradimin e Frrokut. Sipas PD-së, Arben Frroku është arrestuar disa javë më parë në Hollandë por se sipas tyre, autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE.
“Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku. Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhërin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave.
Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin Tims. Pra me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të, dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë.”, tha Alibeaj.