Organizata e cila promovon minoritetin grek në Shqipëri, OMONIA feston 29- vjetorin e saj dhe Presidenti grek Pavlopoulos i ka dërguar një letër ambasadës në Tiranë.
Ai thotë se Greqia e ndjek nga afër çështjen e minoritetit grek me të cilën merret dhe OMONIA si dhe kujton sërish se respektimi i të drejtave të tyre është një kusht që Greqia ia ka vendosur Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
Me rastin e 29 vjetorit të themelimit të organizatës së minoritetit grek Omonia, ambasada e Greqisë në Shqipëri organizon një aktivitet festiv, gjatë të cilit ambasadorja Soia Filipidu do të transmetojë mesazhin e presidentit Pavlopulos.
Në letrën e tij, presidenti grek shënon se “Greqia është e gatshme në çdo kohë të mbështesë çdo iniciativë e aktivitet për progresin e mirëqënien e minoritetit grek të Shqipërisë, pranë të cilit qëndrojmë të paepur e do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Gjatë kësaj periudhe organizata Omonia, shpesh herë në kushte tepër të vështira, arriti të përfaqësojë me dinjitet Helenizmin e Shqipërisë, duke dhënë mjaft beteja për mbrojtjen e të drejtave themelore bazë”, ka theksuar Pavlopulos.