Nga Hasan Bello*
Në pasaportat shqiptare kanë lënë gjurmë të gjitha regjimet politike të kohës. Kjo duke nisur që nga vitet 20-të shekullit të kaluar, kur për herë të parë shteti shqiptar filloi t’i pajiste nënshtetasit e tij me pasaporta për të udhëtuar jashtë shtetit.
Kështu, një pasaportë e viteve 1920-1924 ka elementë të ngjashëm, por ajo ndryshon me pasaportat e periudhës së Republikës (1925-1928) e sidomos me ato të Monarkisë (1928-1939). Përveç formës së regjimit që gjendet e stampuar në ballinën e çdo dokumenti dhe elementëve të tjerë të sigurisë, të dhënave personale e kështu me radhë, pasaportat e periudhës së Monarkisë ishin pajisura me disa këshilla, që kishin për qëllim forcimin e ndjenjës së atdhedashurisë.
Por, vlera dhe rëndësia e një pasaporte është në raport të drejtë me kredibilitetin politik që shteti gëzon në arenën ndërkombëtare. Nga ky këndvështrim qytetarët shqiptarë nuk kanë qenë njëlloj të vlerësuar në periudha të ndryshme historike.
Në çdo pasaportë krahas të dhënave të përgjithshme vendoseshin edhe dy elementë të rëndësishëm “besimi” dhe “kombësia”. Por, në vitet 60-të, kur vala e luftës kundër fesë dhe besimeve fetare po vinte duke u rritur, prania e këtyre elementëve në pasaporta do të vihet në diskutim.
Më 10 maj 1965 pedagogu i Katedrës së Filozofisë të Universitetit të Tiranës, Hulusi Hako, i cili njihej për aktivitetin e tij kundër fesë, do t’i drejtojë kryeministrit Mehmet Shehu një letër. Sipas tij, me dhjetëra e qindra qytetarë merrnin pasaporta të reja ose këmbenin ato të vjetrat në degët e punëve të brendshme. Në pikën nr.9 figuronte edhe “besimi”, i cili plotësohej automatikisht, në bazë emrit të qytetarit.
Përpara disa kohësh ishte diskutuar lidhur me vijimin e kësaj pike. Ai shprehte bindjen që ekzistonin të gjitha argumentet teorike, politike e praktike, që kjo pikë të mos vendosej fare në pasaportë, ose të paktën të mos plotësohej. Ky propozim i Hulusi Hakos kishte dhe një arsye tjetër. Ai do të shërbente për të zhdukur një nga “argumentet”, ku sipas tij kapeshin predikuesit fetarë dhe besimtarët.
Në fakt, kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse një marrëzi e radhës, e cila do të merret seriozisht nga drejtuesit më të lartë të shtetit. Më 10 qershor 1965 zëvendëskryeministri Manush Myftiu i shkruante kryeministrit Mehmet Shehu se, këtë çështje e kishte biseduar me ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu dhe ministrin e Drejtësisë Bilbil Klosi dhe që të gjithë ishin të mendimit që në pasaportat shqiptare të mos vihej “besimi”.
Madje, fryma antikombëtare që dominonte në psikologjinë e elitës komuniste i kapërceu të gjitha parashikimet. Ata propozonin gjithashtu që të mos vihej as “kombësia”.
“Ky veprim,- theksonin ata,- nuk prekte cilësitë esenciale, që kërkoheshin për shtetasit”.
Kjo tregon se deri ku arriti regjimi komunist që t’i zhvishte shqiptarët nga identiteti i tyre fetar dhe ai kombëtar.
Sipas shënimeve me dorë të kryeministrit Mehmet Shehu, ai ishte dakord me propozimet e zëvendëskryeministrit dhe ministrave.
Por, ndërsa për “besimin” ishte krejtësisht e lehtë për ta hequr, duke e lënë bosh pikën nr.9, për kombësinë nevojitej një dekretligj i ri. Kjo vihet re dhe nga përgjigjja që sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Spiro Rusha i kthente pedagogut të Katedrës së Filozofisë, Hulusi Hako.
Ai e konsideronte si të drejtë letrën që ky i fundit i kishte drejtuar Këshillit të Ministrave dhe për këtë qëllim ishin njoftuar organet kompetente, të cilat në të ardhmen të mos vendosnin asnjë shënim.
Ajo që të bën përshtypje është qëndrimi dhe arsyetimi i ministrit të Drejtësisë Bilbil Klosi. Kjo, për shkak se të hiqje nga pasaporta “besimin” nuk ishte problem shumë i madh, por të hiqje “kombësinë” do të thoshte të hiqje një nga elementët më të rëndësishëm. “Kombësia” ishte dhe mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të shtetformimit.
Në një shkresë drejtuar sektorit juridik të kryeministrisë që mban datën 8 maj 1965, Bilbil Klosi shkruante që ishte bërë rregull që në letër njoftime, pasaporta dhe dokumente të tjera zyrtare të pasqyroheshin, përveç të dhënave dhe cilësive të nevojshme për përcaktimin e identitetit të shtetasit, edhe kombësia me besimin e tij fetar.
Ai shprehte mendimin se, ky rregull, nuk ishte i drejtë. Sipas tij, në dokumentet e identitetit duhej të përfshiheshin vetëm ato të dhëna, që kishin rëndësi ligjore dhe që tregonin karakteristikat e nevojshme të personit.
“Kombësia” dhe “besimi”, sipas tij, nuk sillte ndonjë pasojë ligjore. Prandaj, nuk shërbente për përcaktimin e identitetit të personit. Këtë qëndrim, ai e arsyetonte me faktin se, në vendin tonë të gjithë shtetasit kishin të drejta dhe detyrime të barabarta pavarësisht besimit dhe kombësisë.
Për ta përforcuar këtë, ai i referohej nenit 15 të Kushtetutës, ku thuhej: “Të gjithë shtetasit janë të barabartë pa ndryshim kombësie, rrace ose feje. Çdo akt që sjell privilegje në favor të shtetasve ose që kufizon të drejtat e tyre për shkak ndryshimi në kombësi, racë ose fe, është kundër Kushtetutës dhe sjell me vete dënime të parashikuara me ligj”.
Nga ky nen, sipas Bilbil Klosit, dilte se cilësitë e shtetasit shqiptar, në lidhje me kombësinë dhe besimin fetar, nuk ishin karakteristika ligjore. Prandaj, ishte e panevojshme dhe e tepërt, që ato të shënoheshin në dokumentet e identifikimit personal.
Por, jo vetëm kaq, Bilbil Klosi theksonte se pasqyrimi i këtyre cilësive në dokumente, që përdoreshin nga qytetarët, mund të linte shteg për keqinterpretime në lidhje me respektimin e plotë të këtij parimi kushtetues.
Për këtë arsye, ai e gjente jo vetëm të panevojshme, por edhe të parregullt pasqyrimin e cilësive të shtetasve. Sipas tij, kombësia dhe besimi i shtetasve ishin cilësi që mund të përdoreshin vetëm për arsye statistikore. Ato duhej të shënoheshin vetëm në dokumentet dhe regjistrat e disa zyrave shtetërore. Ai propozonte që tani e tutje, organet shtetërore të mos i shënonin këto dy elementë. Por, ministri i Drejtësisë ishte në dijeni se për këtë kishte një pengesë ligjore.
Në nenin 1 të Dekretit “Mbi paisjen me letër njoftim të popullsisë së Republikës Popullore të Shqipërisë” nr.2760 datë 22.9.1958 thuhej që letër njoftimi duhej të përmbante edhe kombësinë e personit. Për këtë arsye, ai propozonte ndryshimin e nenit 1 të këtij Dekreti, si vijon:
“Letër njoftimi (pasaporta) është një dokument zyrtar që vërteton shtetësinë, identitetin e shtetasit (emrin, emrin e të atit dhe të nënës, datëlindjen, vendlindjen, gjendjen shoqërore dhe gjendjen familjare të mbajtësit).
Të gjitha faktet që shënohen në letër njoftim (pasaportë) quhen të pakundërshtueshme dhe kanë fuqi detyruese për çdo veprim që kryen shtetasi (martesë, etj), gjersa nuk provohet e kundërta”.
Përgjegjësi i sektorit juridik të kryeministrisë i shkruante zëvendëskryeministrit Manush Myftiu se për projektligjin në fjalë pikëpamja e tij kishte qenë që të mos bëhej asnjë ndryshim për kombësinë.
Kjo tregon se Manush Myftiu kishte reflektuar, ose kishte hasur pengesë nga drejtues më të vetëdijshëm lidhur me pasojat e këtij veprimi. Prandaj, mbi këtë shkresë ai shkruan me dorë se, tani për tani, të mos përpilohej një dekret i ri. Ai ishte i mendimit që të mbetej “kombësia” dhe të hiqej “besimi”. Por, gjithnjë kjo duhej bërë jozyrtarisht.
Për reflektimin e Manush Myftiut ndoshta duhet të ketë ndikuar dhe një këshillë e një specialisti të Byrosë Juridike të kryeministrisë, i cili lidhur me pikëpamjet e ministrit të Drejtësisë, Bilbil Klosi shfaqte rezerva.
Sipas tij, propozimi për ndryshimin e Dekretit që hiqte “kombësinë” dhe “besimin” nga pasaporta duhej të vinte nga Ministria e Punëve të Brendshme, ose më së paku duhej marrë mendimi i këti institucioni, i cili merrej direkt me paisjen e qytetarëve me pasaporta.
Nga ana substanciale dekreti mund të ndryshohej vetëm përsa i përkiste “kombësisë”, sepse ai nuk e përmendte fare “besimin”, i cili ishte kopjuar si praktikë nga pasaportat e huaja.
Ky i fundit nuk ishte element thelbësor i pasaportës, duke patur parasysh se çdo shtetas kishte të drejtë që të shprehej ose jo lidhur me përkatësinë e tij fetare, por ndryshonte puna lidhur me “kombësinë”.
Kjo, sepse shtetas shqiptar ishte ai që lindte nga prindër shqiptarë ose që e fitonte shtetësinë nga natyralizimi. Ata që e fitonin shtetësinë shqiptare me natyralizim nuk kishin kombësi shqiptare. Kështu që element thelbësor i identitetit të çdo shqiptari mbetej kombësia.
Neni 15 i Kushtetutës që sillej si argument për ndryshimin e Dekretit mbi letër njoftimet, nuk kishte të bënte me identitetin e shtetasve, por me të drejtat e tyre të barabarta përpara ligjit, pavarësisht origjinës dhe besimit fetar.
Prandaj, ai propozonte që Ministria e Punëve të Brendshme mund të hiqte nga pasaportat vetëm “besimin”, që nuk parashikohej në ligj, por jo “kombësinë”. Për ata që mernin shtetësi shqiptare me natyralizim, në pasaportë duhej të shënohej edhe kombësia e tyre.
Pavarësisht përpjekjeve për ta hequr “kombësinë” nga pasaportat shqiptare në vitin 1965 ajo nuk u bë mundur.
Konfuzioni që do të shkaktonte një veprim i tillë, sot do të kishte pasoja të pallogaritshme. Shqipëria do të mbushej me pakica inekzistente nga të gjitha vendet e botës, në varësi të parave që ato do të kishin në dispozicion, për të korruptuar politikanët e pas viteve 90-të.
Marrë nga /ABC/
*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Përpjekjet për të hequr nga pasaportat “besimin” dhe “kombësinë” në vitin 1965.