Nga Arben Llalla
Në vitin 2002 Bashkia e Selanikut organizoi një panair të orëve të vjetra dhe të rralla. Në këtë panair ekspozoheshin orë dore, muri dhe tavoline. Gjatë vizitës të panairit pashë të ekspozuar fotografinë e një ore tavoline e shoqëruar me çertifikatën e saj. Pasi e lexova atë mbeta i habitur, për faktin se ora ishte prodhuar me porosi nga Mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu. Më vonë këtë orë ai, ia kishte bërë dhuratë ambasadorit shqiptar në Francë më 1934.
Ora është një Matës enigmatik kohe Modeli “A”. I përbërë nga një kristal shkëmbor i rrallë dhe i bukur, qelq shkëmbor vullkanik i errët (obsidian), prej ari dhe zmalti, Cartier nr. 870. I prodhuar rreth vitit 1918, për Lartmadhërinë e tij Mbreti Ahmet Zogu i Shqipërisë. Kjo fotografi historike botohet për herë të parë dhe është marrë nga koleksioni privat i një koleksionisti amerikan i orëve të vjetra.
Ora në fotografi përbëhet nga lëvizje dyfazore drejtkëndore, me një levë zemreku të gjatë, dy metalore, balance e përshtatur, që mban krahët prej diamanti pa lidhje të dukshme. Unazën e numrave e ka prej zmalti dhe mban numra romakë prej ari, dhe brenda ka një diamant, skeleti drejtkëndor me zmalt të bardhë, gjethe të arta dhe zbukurim me kokë luleje. Pjesa e pasme është e zbukuruar me një projektim gjeometrik shigjetar të skicuar në ar që tendoset dhe është nënshkruar emri Cartier mbi një pllakë tek fundi, e tëra përmbahet brenda një kristali shkëmbor me anë të harkuara me kreshtë të derdhur dhe të ngritur mbi një bazë të zezë prej obsidiani me një kreshtë diamanti të vënë më vonë, me numrat e regjistrimit Cartier të skalitura më dorë dhe çanta origjinale e udhëtimit Cartier prej lëkure të kuqe dhe çelësi Cartier me lartësi 14 cm.
Si modeli i fotografisë, i cili është lloji i parë Model A i prodhuar prej Mauris Kye për Cartier është filluar të prodhohet si ky model që në vitin 1913. Periudha më e ngarkuar për prodhimin e këtyre modele orësh ka qenë midis viteve 1913 deri më 1930. Modelet e hershëm ishin mbështetur mbi format kubike arkitekturale, por shpejt u zhvilluan në projektime më të kujdesshme prej Orientit, të modeluara si kafshë përrallash ose porta të tempujve kinezë. Modelet e ndryshëm ishin zhvilluar më 1920-1923, duke arritur kulmin në krijimin e orave enigmatike Portico më 1923-1925.
I pari Model A iu shit J. P. Morganit në vitin 1913. Një ndërprerje në prodhim me porosi të këtyre orërave ndodhi disa vite më vonë, ndoshta shkaktuar prej Luftës së Parë Botërore. Modelet pasues të prodhuara ju shitën Mbretëreshës Marie më 1924 dhe në vitin 1945 një orë të tillë e bleu Gjeneral De Gol që ishte atë kohë kryetar i Qeverisë të Përkohshmë Frënge. Po kështu një orë të Modelit A porositi edhe udhëheqësi Komunist i Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin.
Ndërsa ora në figurë u prodhua me porosi nga Ahmet Zogu më 1918, i cili do të bëhej 10 vjet më vonë Mbret i Shqipërisë. Më pas ora iu dhurua nga mbreti Zog ambasadorit shqiptar në Francë më 1934. Mbas disa viteve gruaja e ish-ambasadorit shqiptar në Francë me vdekjen e burrit të saj e shiti orën e dhuruar.
Si vërehet në fotografi ora në fund të saj ka të gdhendur përkrenaren e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shenjë që edhe sot e kanë në flamurin qeveritar ministritë dhe institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
* Ky shkrim është botuar në 5 prill 2016