Nga Ilir Hoxholli
“Nuk lidhet burri”, më tha një miku im, kur hipa pasagjer në makinën e tij. Një shprehje e njerëzve të “forte”, të cilët sfidojnë policinë.
Nuk e kam vënë rripin e sigurimit as nga frika e policisë, as nga frika e vdekjes, por si një detyrim përgjegjësie jetësore para familjes dhe Zotit.
Për ku po nxitojmë?
Nuk shquhemi si shoqëri punëtore dhe që për ne koha vlen aq shumë. Aq më tepër që aksidentet na ndodhin gjatë pushimeve të verës, të mos flasim për moshën e re të aksidentuarve. Si prind zemra më coptohet për ato nëna e baballarë që ju kanë rritur me mundime e ju kanë si gjënë e vetme në këtë botë. Të paktën për hir të tyre mos vdisni.
Një nënë është harruar, dy fëmijë mbetën jetimë, ajo që mbeti ishte prova se deri ku shkon dashuria e nënës për fëmijën. Prindërit tuaj do të dëshironin, të ishin ata në vendin tuaj në momentin e përplasjes, vetëm në atë moment, për t’jua lënë ju pjesët e tjera të argëtimit dhe qejfeve, ndaj mos i vrisni prindërit duke i lënë gjallë në këtë botë.
Unë nuk kam shumë në dorë, vetëm se t’ju dedikoj një status në fb, një lutje për ju e për lotët e prindërve tuaj.
Por, “burri lidhet” me rrip sigurimi, burri i jep makinës ngadalë, se është amanet i Zotit dhe prindërve në këtë tokë. Nxitimi juaj për në botën tjetër nuk justifikohet me zotësinë tuaj si shofer, as me lavdërimet e shoqërisë për shpejtësinë. Unë e di që masat shtrënguese respektohen, vetëm kur i kemi policët përballë, por mos harroni shikimin e Zotit dhe dashurinë e prindërve. Mos harroni se do të pyeteni. Përse nxitoje o rob i im? Dhe të pergjigjesh se vdiqa për të shkuar 5 minuta më shpejt në plazh, për të bërë një garë, duke vrarë pasagjerët e tu, duke shtypur këmbësorë, do të thotë që nuk i ke dashur prindërit dhe as nuk ke kuptuar përse ke ardhur në këtë botë.
Zot fali se janë të rinj.