Vendimi i qeverisë Meksi për të zhvarrosur eshtrat e Josif Pashkos bashkë me ato të Enver Hoxhës e të tjerë udhëheqës komunistë.
“Berisha, por edhe Meksi ishin një natë më parë tek unë, por nuk më thanë asgjë”.
Kur Gramoz Pashko hapi derën e shtëpisë, ku do të themelohej Partia Demokratike, nuk e kishte menduar kurrë se do të vinte shpejt një ditë, kur bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, do të vulosnin zhvarrosjen dhunshëm të eshtrave të babait të tij.
Kishin qenë miq e bashkëpunëtorë në ato ditë të vështira të dhjetorit të vitit 1990, kishin ndarë bashkë idetë, frikën, shpresën, entuziasmin, por edhe bukën e gojës. Ishte dhjetori i vitit ’90. Ata nuk e dinin ende aq mirë se çfarë i priste, kur vendosen të vihen në krye të studentëve për të shtyrë drejt greminës sistemin komunist. Gramoz Pashko, Sali Berisha, Azem Hajdari, Arben Imami, Preç Zogaj, Aleksandër Meksi dhe shumë të tjerë ishin drejtuesit e lëvizjes.
Një ngjarje e rëndë do ta trondiste Pashkon, pikërisht në muajt e parë, kur bashkë me Berishën, Hajdarin, Meksin, Imamin e të tjerë e kishin fituar betejën me komunistët. Babai i tij, Josif Pashko, ishte në anën tjetër, atë të komunistëve. Ishte varrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, kur kishte ndërruar jetë gjatë sistemit komunist. Ndoshta, edhe po të kishte qënë gjallë, atje do të rrinte, sepse kishte qënë bashkëpunëtor i rëndësishëm i Enver Hoxhës.
“Isha në shtëpi atë natë, kur na erdhi një urdhër nga bashkia për zhvarrosjen e eshtrave të babait tim Josif Pashko. Ishte një copë letër, ku shkruhej se eshtrat e Josif Pashkos do të preheshin në varrezat e Sharrës të nesërmen në orën 06.00 të mëngjesit.”
Kështu e nis rrëfimin për një prej historive të dhimbshme të jetës së tij, i ndjeri, Gramoz Pashko.
E ka treguar këtë histori në një intervistë për Gazeta Shqiptare në qershor të vitit 2000. Gramoz Pashko rrëfen natën, kur Berisha kishte vendosur të zhvarroste eshtrat e babait të tij për t’i hequr nga varrezat e Dëshmorëve të Kombit drejt Sharrës. Ishte një ndër netët e vështira të profesorit të njohur të ekonomisë, themelues i PD-së, një ndër njerzit më aktiv në lëvizjen e dhjetorit 1990.
Kishte pak muaj që PD kishte fituar zgjedhjet e 22 marsit 1992. Berisha kishte nisur revanshin ndaj kundërshtarëve të tij brenda partisë më shumë se sa ndaj ish-udhëheqësve komunistë. Pjesë e këtij revanshi është ngjarja e zhvarrosjes së eshtrave të udhëheqësve komunistë nga varrezat e Dëshmorëve të Kombit drejt varrezave të Sharrës. Josif Pashko, babai i Gramoz Pashkos kishte qënë pjesë e nomenklaturës komuniste. Për këtë arsye, eshtrat e tij u zhvarrosën nga Dëshmorët e Kombit dhe bashkë me ato të diktatorit Enver Hoxha dhe udhëheqësve të tjerë komunistë u çuan në varrezat e Sharrës. E gjithë procedura do të kryhej gjatë natës.
“Kjo na u duk një çmenduri, sepse hapja e një varri duhej të bëhej së paku në prani të familjes si dhe të një përfaqësuesi fetar, por kërkonte edhe një ceremoni të caktuar. Atëherë, ne dërguam Fatosin, vëllain tim që të asistonte në procesin e zhvarrimit, sepse donim të ishim të sigurt që në ditët e ardhshme në varrezat e Sharrës, do të vendosnim lule në varrin e babait tonë dhe jo diku tjetër. M’u duk e çuditshme sepse vetë Berisha kishte qënë në shtëpinë time një ditë më parë, madje edhe Meksi, por nuk më kishin thënë gjë. Por, në fakt, për mua nuk kishte me rëndësi, se në cilën pjesë të kryeqytetit do të preheshin eshtrat e tim eti. Mjafton që përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, gjatë zhvarrimit dhe procedurave përkatëse të respektonin rregullat minimale të përcakutuara nga njerëzimi. Vetë shkrimtari Kadare në disa libra të tij shkruan me hollësi për domosdoshmërinë e zbatimit të tyre.”
Një ditë më pas, kur bashkia i kishte vendosur eshtrat e Josif Pashkos por edhe ato të Enver Hoxhës e ish-udhëheqësve të tjerë komunistë në Sharrë, Gramoz Pashko dhe familjarë të tjerë ishin atje për të kryer cermoninë e nevojshme. Po atë ditë e po në atë vend ishin edhe familjarët e ish-udhëheqësve të tjerë. Gramozi do të duhej të përballej jo vetëm me eshtrat e babait të tij të hequra dhunshëm nga njerëzit e partisë së tij, por edhe me ata që për Gramozin ishin kundërshtarë, familjarët e ish-diktatorit e byrosistëve të tjerë.
Ata ju sulën me mllef të madh Gramoz Pashkos: “E shikon ç’na bëre? Ti e ke fajin!” Sepse. Gramoz Pashko kishte qenë një ndër drejtuesit kryesorë të lëvizjes studentore, e cila shtyu drejt greminës sistemin e kalbur komunist në dhjetor të vitit 1990. Qysh në atë moment, Gramoz Pashko ishte armiku për byroistët e familjarët e tyre. Përballja me ta në varrezat e Sharrës ishte një moment dëshpërimi për Pashkon, i cili do të pasohej me të tjera momente të këtilla deri tek përjashtimi nga PD më 13 gusht 1992. Gramoz Pashko, Arben Imami, Neritan Ceka, Preç Zogaj, Arben Demeti, Edmond Trako, Ridvan Peshkëpia, Shahin Kadare e shumë të tjerë u përjashtuan dhunshëm nga PD në konferencën e 13 gushtit të vitit 1992, pasi prej pak muajsh ishin pozicionuar kundër liderit të PD-së në atë kohë, Sali Berisha.
Pas më shumë se 13 vjet, Gramoz Pashko qëndroi larg PD-së për t’u rikthyer në pranverën e vitit 2005. Ai u rikthye si kandidat i PD-së në Ersekë, garë të cilën e humbi.
Gramoz Pashko humbi jetën në korrik të vitit 2006, pas një aksidenti në Himarë ku mundi të mbijetonte, por udhëtimi me helikopter drejt Italisë do të ishte fatal për të. Helikopteri, me të cilin po transportohej Gramoz Pashko u rrëzua. Bashkë me Gramoz Pashkon në atë aksident tragjik, humbi jetën edhe i biri dhe stafi mjeksor, bashkë me pilotët.