Nga Frrok Çupi
Me “post-Amerika” po nënkuptojmë ditët pas vizitës në Amerikë nga kryeministri dhe një pjesë e qeverisë. Nga mënyra si po “jehon” dhe si po tirret, duket se vërtetë po kthehet në një epokë “post”. Kjo nuk ka ndonjë risi kushedi, përderisa vijmë nga një shoqëri e mbyllur dhe totalitare komuniste, ku një vizitë e udhëheqjes tek aleatët, ishte pritur me këngë e me valle dhe më lavdinë e udhëheqësit. Njësoj si atëherë, edhe këto ditë, vizita e qeverisë te Aleati i Madh po kthehet në rregjim.
Por çfarë mund të korrigjohet në jehonën post-Amerika?
Kutinë “post” e hapi, çuditërisht, një arrestim i bujshëm që u krye para dy ditësh. Personi i arrestuar i plotëson thuajse të gjitha tiparet e një “Al Capone” shqiptar, për të cilin foli, para vizitës, vetë ambasadori i SHBA në Tiranë. Personi i arrestuar është përfolur për disa krime, por “lejohet të lëvizë i lire”, tha zoti Donald Lu, duke përmendur me emër “Al Caponen” e prezumuar. Një njeri me precedentë penal, i cili rri jashtë politikës, por lëviz levat e politikës. I dyshuar se kryen transportin e drogës në emër dhe në interes të segmenteve qeveritare… Ky po përgjohej prej një kohe “X” dhe u burgos menjëherë pas vizitës në Amerikë. Qe dhe një moment dëshmues: Shullazi u burgos veç pak orë pasi Sali Berisha, ish kryeministër dhe lider i grupimit të Demokracisë, denoncoi se ky kishte kërcënuar kandidatin për rektor në Universitetin e Tiranës.
Ishte një miksturë e tërë faktesh ose koincidencash që nxiti mendimin sikur akti çlirues nga krimi, aspirohet pikërisht nga Amerika. Opozita e deklaroi hapur këtë. Por edhe mediat e nënkuptuan në analizat e tyre. I vetmi faktor që e kundërshtoi se “arrestimin e urdhëroi Amerika”, ishte qeveria. Qeveria, përmes ministrit, bëri thuajse ironi. “Çfarë flisni, ore!? Amerika të na urdhërojë për të arrestuar kriminelë!?”. Thuajse këtë tha.
Për publikun kjo u duk pak qesharake, përderisa njerëzit, për gjithçka çliruese që ndodh në vend dhe që shpresohet të ndodhë, syrin e ka te Amerika.
E tëra ka një vlerë të dukshme, edhe sikur Al Capone të mos ndëshkohet ose të vihet nesër në krye të qeverisë. Gjithçka ndodh, edhe kjo ndërkohë. Por, ndërkohë arrestimi i njeriut të përfolur si Al Capone, shërbeu për të korrigjuar post-Amerikën.
Cili është korrigjimi?
1.
Per ata që thonë se arrestimin e urdhëroi Amerika. Le të zgjerojmë fushën e të mos qëndrojmë veç te një akt i izoluar. Për shembull, nesër mund të ndodhë që të kryhet një operacion tjetër në favor të lirisë së njeriut. Bie fjala, mund të kthehen në buxhetin e shtetit disa nga vlerat monetare të fshehura në offshore prej qeveritarëve dhe mafiozëve të vendit… Bie fjala, mund të ndërhyhet për të kryer vëzhgime të vërteta demokratike në zgjedhjet universitare… Mund të ndodhë që Ilir Meta të largohet nga koalicioni dhe të bjerë qeveria?…
Bëhet pyetja: Vallë, këto i urdhëroi Amerika në një takim me qeverinë shqiptare? Edhe sikur Barack Obama të ishte Prokurori i Përgjithshëm i Globit, nuk do të kishte aq kohë sa të numëronte njerëzit e përzierë në krim. Kjo është një alegori, por e vërteta e njohur botërisht është se në vizita të tilla, nuk mund të të thotë tjetri : “Shiko këtu, merre këtë listë, nisu për Tiranë dhe sapo të arrish të më thuash sa vetë arrestove”. Jam çuditur me kolegë në media që kanë formuluar skena të tilla. Jo veç çuditur, por edhe jam ndjerë keq, pse në kulturën e tyre politike mungon realiteti, mungon tejkqyrja….Presidenti i shtetit aleat nuk pritet kurrë ta bëjë këtë. Do të ishte një absurd ta mendoje.
2.
Për ata që thonë se nuk i urdhëroi Amerika! Ose e thënë më qartë, për ata që thonë se vizita në Amerikë ishte veç një festë me fitimtarë!….
Sigurisht që kjo është qesharake. Aq qesharake sa u bë dje në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryeministri iu tha deputetëve: “Obama ju përshëndeti me emër”, dhe menjëherë pas kësaj iu tha: “Withers dhe Arvizu ju bëjnë të fala!”. Kësaj i thonë të tallesh me “shokët”. Dhe për “shokët” kjo tregon se pranojnë të tallen kaq keq. Të rinjtë që shikojnë dokumentarë me vizitat e udhëheqësit në epokën komuniste, tani qeshin dhe nuk arrijën të kuptojnë kur qeveritarët shkëmbenin fraza pompoze “Të fala shokëve të Partisë!”, ose “shoku Stalin ju bën të fala”.
Është po kaq qesharake të kthehesh nga Amerika dhe të transmetosh psikozën se tani “jam i pathyeshëm”. Kjo është një marrëzi individiale. Por është një rrezik i madh po të ndodhë që vërtet lideri të mendojë se “post-Amerika ime” më lejon të shkel me këmbë njerëzit! Po të ishte epoka pre-demokraci, të gjithë njerëzit duhej të strukeshin ose të marrin arratinë.
Të thuash se post-Amerika është një aureolë prej floriri, se “Amerika e caktoi zotin e shqiptarëve”, kjo do të ishte tragjike. Në fakt, këtë po konstatojmë. Sado të pabesueshme janë bërë mediat, prapë se prapë nëpër rrjetën e tyre rrjedh ndonjë e vërtetë ose intrigë qeveritare. “E vërteta” që vetë qeveria po injekton në media, në rrugë të fshehta… Mediat më pranë qeverisë po nënkuptojnë se Amerika i tha kryeministrit: “Na trego armiqtë se vijmë e u vemë prangat”. Mes këtyre armiqve, Rama ka ca caktuar Metën e Berishën…. dhe sapo të bëjë një sy gjumë kryeministri i lodhur nga vizita në Amerikë, do të trokasë dera e tij dhe do të hyjë FBI. “Tak! tak! tak!.. Ku e ka zyrën Meta se ja ku i kemi prangat?! Ti fli akoma, na fal se të shqetësuam!”, i thonë Ramës dhe drejtohen andej nga armiku i tij. Kështu po transmetohet psikoza përmes mediave të qeverisë. Por edhe vetë kryeministri, kur iu thotë deputetëve socialistë se “ju përshendet Obama”, nënkupton se deputetët kundërshtarë Obama i do të rrahur!.
Sa absurd është mendimi se Amerika na dha leje për të qenë të plotfuqishëm mbi njerëzit, mbi miqtë e mbi armiqtë, mbi një popull të varfër…
3.
Për ata që kanë sytë hapur dhe mendjen në kokë edhe mbi ngjarje të tilla siç është një vizitë shtetarësh në Amerikë… Këta e dinë se kjo është një punë e mirë, por e mirë sidomos për njeriun, për individin, jo për sunduesin. Se atëherë Amerika, sipas liderëve të glorifikuar, do të ishte një gjenerator dhune mbi popujt me anë të liderëve të tyre.
Ata që janë realistë, e shikojnë çfarë ndodh. E dinë se po të kapen paratë në offshore të kryeministrit, sigurisht që zoti Obama nuk do të thotë “mos e prekni, Rama është shoku im”. Po si iu shkon mendja disave dhe e mendojnë këtë?! Kohë çmendurie.
Këta që janë realistë e dinë se si zhvillohet jeta, edhe mes shteteve aleate. Zhvillohen programe globale në dobi të të ardhmes, me aq sa mund të shtyjë njeriu lider ose njeriu individ.
Nuk e patë çfarë ndodhi? Dy ditë pasi kryeministri la zyrat e Bankës Botërore në New York, sot erdhi lajmi se Banka Botërore vë alarmin mbi Shqipërinë. Alarmi është “varfëri e madhe!”. Deflacion! Njerëzit nuk blejnë dot ushqimin!…. Po, menjëherë pas vizitës. Presidenti i Bankës Botërore nuk tha “Shshshsht! Mbyllni gojën se Rama është miku im”.
Edhe me zonjën Merkel kështu ndodhi. Para pak muajsh ajo u mahnit me pikturat në zyrën e kryeministrit dhe u duk se kryeministi e zuri shoqe të ngushtë. Por, po dje Gjermania deklaroi se në Shqipëri rrezikohet demokracia dhe jeta e njeriut. Gjermania e renditi vendin tonë në fund të listës, madje edhe pas Ghanës. Papunësia e të rinjve tha se është 30 përqind, katër herë më e lartë se në një vend normal. Edhe varfëria ekstreme ka kapur 14 përqind të njerëzve!, tha.
….. Megjithatë as ia vlente të rëndisësh argumente se si post-Amerika nuk të jep të drejtën të mendosh se sapo u ktheve, u veshe me hekur dhe tani nuk të del njeri përpara… T’i afrohesh psikozës së sëmurë sikur post-Amerika është një rregjim, do të ishte një absurd më vete.