Nga Nexhat Mërxhushi
Përkujtimorja (73 vjetori) ishte më 27 qershor 2017, por kjo datë, për median e shkruar dhe vizive, ishte zënë më zgjedhjet!!! Masakrat e fundit në Çamëri, filluan më 27 qershor 1944, ditën e martë në drekë, më parë në Paramithi, pastaj në gjithë Çamërinë. Megjithatë, prapë nuk jemi vonë se vrasjet ç’njerzore të zervistëve ndaj shqiptarëve çam në Çamëri, vazhduan edhe gjatë vitit 1945. Unë si dëshmitar i gjallë, që i kam përjetuar këto masakra, nuk do të resht së përkujtuari, duke shfrytëzuar njohuritë e mia, por edhe duke i pasuruar ato me fakte e dokumenta të reja.
Politika dhe shtypi grek, edhe sot e kësaj dite, thonë se asnjë masakër nuk u bë kundër çamëve dhe se ata ikën vetë bashkë më okupatorin për t’i shpëtuar Drejtësisë greke.
Në këtë 73 vjetor, unë do të provoj të kundërtën dhe këtë do ta vërtëtoj me thëniet e vetë grekëve, me historian, autorë librash, nobelistë grekë etj.
Masakrat greke kanë një origjinë të hershme. Këto masakra, grekët i kanë bërë ndaj popujvë të etnisë jo greke dhe të feve të tjera, kryesisht të fesë islame. Qëllimi i politikës dhe i kishës orthodokse greke, ishte pastrimi i territoreve greke dhe jogreke nga banorët muslimanë çamë.
“Kapobandat greke, gjatë marshimeve drejt krahinave me banorë të etnisë jo greke, për nga feja dhe kombësia,inkurajoheshin me parullën e njohur shovene- Përpara me Kryqin në njërën dorë dhe në tjetrën, thikën.” (I.Kordhates në librin ”Istoria tis Enoteris Elladha”. Athinë 1985 f.132)
Të më falë lexuesi. Në këtë shkrim dua të vë në dukje natyrën agresive të ekstremistëve grekë,të politikës dhe kishës orthodokse greke, me fakte dhe dokumenta, që nga e kaluara e deri më sot. Masakrat nuk janë në natyrën e shqiptarit. Arvanitasi Arisitidh Kola, shpjegon se qëllimi kryesor i kryengritjes greke të vitit 1821, nuk ishtë vetëm lufta kundër okupaorit osman, por…
“Në këtë kohë në Greqi (1821) nuk bëhej vetëm luftë kundër osmanëve, por edhe luftë kundër etnive dhe feve të ndryshme.” (A.Kola “Arvanites qe i katalogi ton Elimon.” Athinë 1983).
Masakrat greke vazhdonin edhe kur politika greke, premtonte siguri për banorët muslimanë të Çamërisë. Pas rënies së Janinës, më 1913, erdhi aty Princi trashigimtar i Greqisë, Kostandini. Ai tha para banorëve të Janinës se me muslimanët shqiptarë çamë, do të shkojmë mirë dhe do të mbrojmë të drejtat e tyre. Gjatë kësaj kohe ishte bërë Masakra në Përroin e Selanit dhe kur po fliste ai, në rrethinat e Janinës, bandat greke (siç thanë autorë grekë dhe të huaj) lanë kujtime të hidhura tek këta banorë. Autori grek G.Fassopullos flet shumë qartë për këto masakra. “Pas pushtimit të Janinës dhe gjithë Çamërisë, ushtarët grekë, lanë kujtime të hidhura në popullsinë shqiptare të Çamërisë. Bandat e Manolos Montakis nga Granica, me banditë nga Kreta, nuk kursyen asgjë të gjallë tek muslimanët.” (G. Fassopullos tek “Kujtimet e mia për luftën e Janinës.”)
Kurse historiani gjerman Buehberg për masakrën greke në rrethinat e Janinës, shkruan: “ Pas pushtimit të Janinës, në rrethinat e saj, kishte kufoma shiptarësh të shpërfytyruar në mënyrën më të egër.” (Historiani Buehberg tek “Vitet e mia në Shqipëri.” f.142)
Ka edhe masakra të tjera individuale para masakrës së madhe të vitit 1944-45. Për këto shkruan autori grek Jorgo Margariti në mënyrë të përmbledhur “ Të rrënqethin faktet tronditëse, jo vetëm të muajve të fundit të viteve 1913, vitet 1923-26, vitet 1930-40, por edhe ato të 27 qershorit 1944.” (Jorgo Margariti tek “ Bashkëpatriotë të padëshëruar.” faqe 141)
Kjo ishte një panoramë e shkurtër për të treguar natyrën agresive, ç’njerëzore të politikës greke përpara se të futemi në Genocidin e Madh grek të viteve 1944-45 ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare të Çamërisë. Ka akoma për të thënë, por së shpejti, një libër, do t’i tregojë të gjitha në mënyrë të detajuar. Zoti Kotzias, bashkëatdhetarët, dhe bashkëqytetarët e tu, i tregojnë vetë masakrat ndaj çamëve. Këtë radhë dëgjo ata. Grekët i kanë parë vetë masakrat dhe i tregojnë. Evropa i dëgjoi më 1945 në Konispol nëpërmjet Komisionit Hetimor Ndërkombëtar të UNO-s, dërguar atje.
Dhe autori i librit “Imperializmi Anglez dhe lufta e popullit Grekë për Liri”, historiani Niko Zhango, jep 93 çamë të vrarë dhe të masakruar nga zervistët, me emër e mbiemër dhe vendi ku kanë ndërruar jetë. Disa prej tyre:
Meko Pronjo pasi e vranë e gozhduan më perona në murë. (thotë ai)
Hysni Murati i hiqnin me bajonetë lëkurën e trupit, saqë ai tha- nuk gjendët një plumb për mua?
Në shtëpinë burg të Salih Hafuzit: Vdiqën 30 fëmijë nën moshën 3 vjec, pasi tek qumështi pluhur i hidhnin në vend të sheqerit, xham të grirë hollë.
Dogjën të gjallë Sanije Nurin (Bollati) të shoqen e Rahmi Nurit. (Niko Zhango faqe 257-262)
Autori Zhango vazhdon: “Më 27 qershor 1944,mbasdite, u përhap në shtëpitë e Paramithisë, një hije e zezë. Andartët, me pushkë në dorë, hynin në shtëpitë e shqiptaroçamëv dhe bënë atë që menduan dhe si deshën. Duhet të na vijë turp për të gjitha ato, që nuk ngjajnë më krenarinë e popullit grek”…. (faqe 258)
Jani Sharra tek libri “Istoia tis Periohis Igumenicas” 1500-1950 (faqe 630-632) sjell një mori faktesh të masakrave zerviste në zonën e Filatit, Gumenicës dhe Margëllicit. Faktet janë të vërtetuara, pasi vetë autoi i librit ka qenë luftëtar i forcave të rregullta greke në luftë kundër Okupatorit.
“Në Filat, në vendin e quajtur Vaner vranë 65 çamë dhe kufomat e tyre i mbuluan në një gropë. Të tjerët i hodhën nga Ura e Nacit.” (faqe 631)
“Në Gumenicë vranë vëllanë e Bido Dules (Idriz Dulen), bashkë me djemtë e tij, Xhemalin dhe Shuaipin 20-22 vjec, por tragjedia njerëzore ishte se detyruan babanë të hapte varret për djemtë e tij.” (faqe 631)
“Në Pargë, shqiptaroçamët e mbetur u paraqitën tek anglezët për ndihmë. Këta i dorëzuan tek zervistët, të cilët, i vranë në kala më një skuadër pushkatarësh.” (faqe 632)
Ka edhe shumë raste vrasjesh të tjera ndaj shqiptarëve të Çamërisë, por një artikull nuk mund t’i përmbledhë të gjitha.
Dhe autori Sharra përfundon: “ Këto ngjarje janë plotësisht të padiskutueshme, shumë nga këta autorë vrasjesh kanë vdekur. Të paktë që rrojnë, do t’i kujtojnë dhe do t’u vijë turp. Vrasjet ndodhën në sytë e autoriteteve dhe me bekimin e tyre.” (faqe 633)
Edhe autorë të tjerë grekë si Elefteri Manda, Spiro Muselimi, Vasil Krapsiti e disa të tjerë, i pranojnë masakrat zerviste ndaj popullsisë së pafajshëm të shqiptarëve të Çamërisë, por i justifikojnë sipas mënyrës së tyre.
Ja si shprehet autori grek: Vasil Krapsiti për masakrat greke në Paramithi të Çamërisë.
“ Mbasditen e ditës së martë, më 27 qershor 1944, gratë, motrat dhe vajzat jetime, veshur me të zeza, nga familjet e 49-ve, demostruan rrugëve të Paramithisë, duke bërtitur, duam drejtësi, duam hakmarrje. U dëgjuan të shtëna dhe nga ky çast u krijua një kaos me të bërtitura dhe iku kontrolli komandantit të EDAS-it, Lefter Strungarit. Pastaj u bë ajo që e dinë të gjithë” (Vasil Krapsiti tek “ I musilmani Camidhes tis Thesprotias.” f.131-132)
Unë, si dëshmitar i gjallë, kam shumë për të thënë. Ato që kam parë dhe dëgjuar do t’i kallëzoj, por edhe tronditem kur i kujtoj.
Si mund të harroj gjyshen time, 75 vjeçare, një plakë kurajoze dhe e fisme, Safije Merxhushi, që kur e sollën në burg zvarrë, të nxirë në fytyrë nga të rrahurat, që kur e kujtoj sot, prapë më mbushen sytë me lot. Ajo, pas dy-tre ditëve dha shpirt. Prandaj unë them tronditem. Si mund të harroj djalin e xhaxhait tim, Haki Merxhushin, që e vrau Koco Nikolla më 1943, djalë 25 vjecar i fejuar dhe ishte prerë dita e dasmës.
Si mund të harroj dy zervistë që erdhën në burg dhe u treguan sytë,(mbështjellë në një shami), të dy vëllezërve Gani dhe Abedin Bako, tek dy motrat që gjendeshin në burg, Hajries dhe Mekos të cilat, pasi i panë u ra të fikët. Dhe arsyeja ishte, sepse ata u mësonin fëmijëve në shtëpitë e tyre gjuhën shqipe.
O ti Drejtësi Botërore, pse hesht?
O ti, shtet grek i ashtuquajtur “demokratik” akoma e fsheh krimin!
Hitleri vrau e preu në gjithë botën. Stalini dhe Çurçilli deshën t’i vrisnin kriminelët nazistë pa gjyq, kurse Ruzvelti tha që duhet të flasë drejtësia. Ku është sot kjo drejtësia amerikane!
Si mund të harroj tregimin e nënë Aishesë nga Paramithia, e cila, bashkë me disa gra të tjera, u caktuan nga zervistët, të pastronin shkollën 9-vjecare (Dhimotiko Skolio) të Paramithisë, nga mbetjet e të vrarëve.
Nënë Aisheja tregon: “Në muret e klasave ishin të ngjitura tru njerëzish përzier me gjak.”
Dhe ku ndodhi kjo? Në një Institucion arsimor e kulturor. E ku ndodhi kjo, në një vend të ashtuquajtur “demokratik” si Greqia, që në lashtësinë e saj i ka dhënë njerëzimit vlera të mahnitshmë të shkencës dhë kulturës. Mendoj se në këtë Institucion arsimor do të zinte vend parulla e Nazistit Gjerman Bolduer Von Schirach: “që kur dëgjoj fjalën kulturë nxjerr revolen.”
Mirë thotë zonja Merkel se grekët e sotëm, nuk ngjajnë me grekët e vërtetë.
Emigranti Estref Tare, 20 vjecar, pasi iu shpëtoi masakrave greke, (me që ishte fshehur për tre ditë) dhe zervistët, nëpërmjet tellallit, lajmëruan që ai që shpëtoi, të dalë se nuk do dënohet-tregon: “Mua, së bashku më disa të tjerë na caktuan të hapnim gropën ku do të varroseshin të vrarët e shkollës. Kur i sollën, duart i kishin të lidhura nga prapa me litar ose me tela. Kur i ktheja nga përpara i njihja fytyrat e tyre megjithëse ishin shpërfytyruar. I hidhnim në gropë dhe i mbulonim me dhe e gurë. Vendi i varrosjes quhej Ajeos Ieorgjios (Shën Gjergji)”.
Pas disa vitesh, kur Estrefi dhe të tjerët, erdhën në Shqipëri, qëllonte që “varrëmihësi” ishte i ftuar në ndonjë dasëm të bashkëqytetarëve të tij. “ Ai, me gotën me pije në dorë, pasi e shtrëngonte me sa fuqi që kishte, ashtu i përhumbur i mbushej dora me gjak, duke kujtuar masakrën ç’njerëzore të zervistëve.”
Këtë gjest të tij e kam parë dhe vetë. Zullumi, lukunia e egërsirave zervistë u turr edhe mbi gratë e reja dhe vajzat si yje. Nuk ka asnjë akt tjetër që mund të shkatërrojë në atë mënyrë një femër shqiptare, se sa përdhunimi. Ky është poshtërimi më i madh, përvoja më e turpshmë që i nënshtrohet një grua. Në radhë të parë është goditur bukuria, është goditur merita historike, është goditur funksioni dhe aftësia e nënës.
Dhe këtë e ka bërë egërsia zerviste. Kur u nisën gratë dhe fëmijët për tek shtëpia burg e Sali Hafuzit, nuset e bukura dhe vajzat e reja çame i strehuan vetëm për një natë në shtëpinë dy katëshe të Sulo Tarit. Ne fëmijët dëgjonim ulërimat e tyre. Besoj se e kuptoni vetë pse. Dhe ju më thoni që të shkruaj. Nuk mundem më, se sa herë i kujtoj këto tmerre, tronditem shumë. Libri ka më shumë fakte dhe dokumenta.
Si ka mundësi që politikanë të tipit Kotzias vazhdojnë akoma avazin e vjetër, të mosnjohjes së këtij problemi! Si ka mundësi që Evropra hesht akoma për këtë problem! Si ka mundësi që Organizata e Kombeve të Bashkuara (UNO-atëherë) ngre supet! Si ka mundësi që Politika Shqiptare e të gjitha kohërave thotë me dashuri dhe qetësi. Si ka mundësi që akoma, të gjithë këta nuk kuptojnë që shqiptarët çamë janë më të avancuar në lidhje me ligjet demokratike. Çamët nuk janë agresorë, nuk kërkojnë të rrokin armët për luftë, por çamët kërkojnë të zbatohet DREJTËSIA.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (UNO) ka proces verbalët e Komisionit Hetimor Ndërkombëtar të vitit 1945 në Konispol, ku i kanë nënshkruar Përfaqësues Anglez, Francez, Amerikan dhë Grekë.
Vetë delegatët grekë, anëtarë të Komisionit dëgjuan protestën e Nënë Fatim Pronjo që hyri në sallë më një pjesë të kafkës më flokë të djalit të saj 19-vjecar, therur nga grekët, (në sy të saj), duke bërtitur: “ Grekët na vranë, na prenë, na c’nderuan, kërkoj që të dënohen siç e meritojnë. Lërmëni të flas, kam akoma shumë për të thënë. Dua djalin tim, ku e keni, pse e vratë!!”
Kjo zoti Kotzias është shënuar në Procesverbal, mban dhe firmën e delegatit grek. Amerika u njoh me masakrat edhe nëpërmjet një artikulli të Sekretares së Misionit të Administratës së Kombeve të Bashkuara Zonjushës Lowely në gazetën Amerikanë “ The Hart Ford Times” Connecticut SHBA të datës 9 Nëntor 1945.
Kurse Shefi i Misionit Anglez në rolin e Kryetarit të Komisionit, falenderoi dëshmitarët çamë dhe në prani të të gjithë anëtarëve të Komisionit, tha: “ Jam i kënaqur që pata rastin të takoj njerëz që kanë parë me sytë e tyre, akte të ndryshme dhune dhe do të bëhem interpret pranë Qeverisë sime, për të bërë c’është e mundur që drejtësia të vihet në vend.”
Edhe Qeveria greke e pas Luftës, pasi e kishte porositur Zervën të kryente pastrim etnik tek çamët, kur e pa që ky Genocid mori përmasa të mëdha, e thirri atë në Athinë. Dhe ja biseda midis Zervës dhe ish Kryeministrit grek të atëhershëm, Plastiras:
Zerva : “ Ne këtu kryetar bëmë EDAS-in, ngritëm dhë trupat andartë të EDAS-it. Nuk e di nesë jeni dakort për të gjitha këto.”
Plastiras: “ Shërbimin Politik (d.m.th. EDAS-in) duhet ta bënit dhe mirë bëtë që e bëtë, por trupat andartë, ama, vranë dhe njerëz, dogjën dhe fshatra.”
Zerva: “ Ne i bëmë këto?”
Plastiras: “ Ju dhe gjithë të tjerët.”
( Regjistruar nga Kronisti i Zervës Mihal Miridhaqi tek libri “ Agones tis Filisi-I Ethniqi Antistasi EDES-EOEA 1941-44 Athinë 1952 faqe 291-92) Bisedë e shkurtuar.
U përpoqa të paraqes Masakrën e Madhe të Zervistëve ndaj popullsisë së pafajshme të Shqipëtarëve të Çamërisë të viteve 1944-45, por në një artikull nuk mund të përfshihen të gjitha. Këtë radhë kam folur me gjuhën e të tjerëve, kryesisht të vetë grekëve.
Kjo formë të shkruari do të vazhdojë (me gojën e tyre) edhe për akuzën greke si bashkëpunëtorë me okupatorin edhe për ikjen e çamëve, duke përmendur Genocidin. Politika greke nuk bindet, politika jonë flet në mënyrë të përgjithshme. Media nuk merret shumë me këtë punë. Një proverb Latin thotë që ai që nuk bindet, nuk di as të komandojë. Prandaj Greqisë i shkojnë punët vaj.