Kryedemokrati Lulzim Basha e ka quajtur një kërcënim për vendin e punës, deklaratën e kreut te qeverisë Edi Rama se mësuesit dhe infermierët nuk duhet ta çojnë votën në drejtim të paditur, pasi mund të përfundojnë edhe vetë në drejtim të paditur.
Basha tha se kjo është vepër e pastër penale duke e krahasuar me një deklaratë të bërë në vitin 2017 për policinë e Shtetit. Ai shprehet se timoni dhe tepsia që ai mori në vitin 2017, treguan qartë që e çoi Shqipërinë drejt humnerës.
“Ndërkohë që ju po lexoni pyetjet gjatë apo po merreshit me ato që keni përpara, unë po shikoja celularin. Më kishin çuar një lajm, që përsëriste një dezhavu të 2017. Është bërë kaq qesharak kundërshtari politik, tani ka filluar edhe inskenon biseda gjoja me drejtuesit politikë që ka në qarqe dhe sapo ka kryer një vepër penale. Në një shtet normal, Prokurori i Përgjithshëm, Prokuroria duhet ta merrte të pandehur, duhet ta kishin marrë të pandehur. Siç duhet ta kishin marrë të pandehur kur i bëri thirrje policëve të hidhnin kapelet dhe të bënin fushatë për Partinë Socialiste.
Ky është një mentalitet, kjo është një kulturë e një njeriu i cili ka përqendruar pushtetin dhe ka sjellë këtë fatkeqësi. Ky është përgjegjësi për gjendjen. Tani ka bërë të njëjtën gjë ka thënë infermierët dhe mësuesit o të votojnë për Partinë Socialiste ose përndryshe të hiqen nga puna. Pra në subkoshiencën e tij ai mbetet babloku i Dibrës, mirëpo kësaj radhe nuk funksionon më. Sepse u bënë 8 vite, sepse tepsia që e morri të gjithën për vete, timoni që e morri të gjithën për vete, tregoi qartë që ky njeri e çoi Shqipërinë drejt humnerës dhe që Shqipëria ka nevojë për ndryshim”, tha Basha në emisionin Përballë në TVSH.
Kreu i PD, deklaroi se askush nuk ka pse të frikësohet nga deklaratat e Ramës, pasi sipas tij më 25 Prill ndryshimi do të jetë pozitiv.
“Dua t’i shoh në sy gjithë infermierët, gjithë mësuesit dhe gjithë punonjësit e administratës kudo ku janë dhe tu them: Ju që keni punuar e punoni në kushte jashtëzakonisht të vështira, që j’ua ka bërë edhe më të vështirë jetën kjo qeveri, nuk keni pse të frikësoheni. Ndryshimi do të jetë një ndryshim pozitiv për ju dhe ky që ju çon mesazhe dhe ju thotë mos votoni për ndryshimin se do ta pësoni është ky që duhet dhe do ta pësojë edhe nga vota juaj ndërsa ne do të bëjmë të mundur atë që ky 8 vite me radhe nuk e bëri.
Mos harroni ishim ne që dyfishuam rrogat e pedagogëve, ishim ne që rritëm rrogat e mësuesve, jemi ne që me planin tonë do të bëjmë të mundur që ato para që ky ua jep miqve të vet dhe do të vazhdojë edhe pas 25 Prillit t’jua marrë ju nga xhepat, fëmijëve tuaj e tua çojë miqve të vet, me ato para ne do të rrisim rrogat tuaja, do të rrisim të ardhurat tuaja, do të financojmë shkollat, spitalet dhe do të përmirësojmë kushtet në shëndetësi, në arsim dhe në çdo fushë të jetës. Prandaj injorojeni dhe merreni për atë që është, mesazhi i njeriut të dëshpëruar që e di që më 25 Prill e pret gjykimi i paevitueshëm me votë për atë që ka bërë në këto 8 vite. Zero, asgjë, asnjë premtim të mbajtur”, u shpreh Basha.