Është përdhunuar 13 vjeç, ka vrarë dhunuesin kur ishte 18 dhe jeton në burg prej marrjes së vendimit. Edhe sikur të dalë nesër, askush nuk e shpëton dot nga një shembëlltyrë që i është ngulitur në sy.
Për këdo që njeh Sindromën e Gruas së Dhunuar, në këtë rast të një fëmije të dhunuar për 5 vjet, të frikësuar, të hutuar, e kupton shumë mirë furtunën emocionale dhe çrregullimet e mendjes kur kërkon rrugëdalje. Është si një ortek të cilin e rrit frika dhe jo një mendim linear për të vrarë dhunuesin, një mendje që kërkon të shpëtoje e nuk di se si të dalë nga labirinthi i frikës që nuk mund t’i zesh besë me asgjëje.
Por duke qënë se ne jemi një shoqëri që i japim peshë hajgareve seksiste dhe llafazanërisë tonë çjerrëse e jo përmasave të dhunës reale të fshehur e të denoncuar, edhe Nazimja është viktima perfekte, e dënuar të gjykohet me ftohtësinë e Kodit Penal !
Kërkesa për falje e Nazime Vishës është hera e dytë që i kërkohet Presidentit të Republikes. Sot nga Ministri i Drejtesisë.
Hera e parë ishte një thirrje publike të cilën me shumë dashuri Eni Vasili e ktheu në një kauze që mori jo pak mbështetje, por nuk arriti t’ i rikthente Nazimes, lirinë.
Kushdo mund të zgjedhë të besojë se Nazimja ka kryer një krim dhe duhet të vuajë si kushdo në burg, ose të mendojë se një vajze e dhunuar prej moshës 13 vjeç, pas 5 viteve kur vret dhunuesin, ka kryer një akt vetmbrojtjeje.
Unë besoj se Presidenti duhet të konsiderojë kërkesën e Eni Vasilit dje dhe Ministrit të Drejtësisë sot!
Në një shoqëri që vetëm brenda një muaj, Janar 2016, regjistron 50 denoncime për dhunë ndaj grave e vajzave apo 4000 raste në vit, Kodi Penal është vetëm çengeli ku varet pazotësia e të gjitha institucioneve tona për të ndalur çmendurinë e shfarosjes së grave e vajzave përmes dhunës.
Rasti i Nazimes është një nga ato raste kur gjykimi sipas rreshtave të Kodit Penal nuk na shpëton dot nga qasja qorre që në kemi si shoqëri për të kuptuar dhunën dhe pasojat e gjymtimit të saj, apo më rëndë, për ta justifikur e tallur me të. E gjitha vjen si një ulërime ngjethëse.
Nga ato ulerimat që ia fshehim vetes nga frika se çmendemi po të mendojmë e flasim për rrokopujën e përditshme të një shoqërie problematike që viktimat reale i harron, por pjell viktima dhe vdes për viktima.
Nga ato ulerimat që të zënë fytin kur dëgjon se sa dënohet një burrë që vret dhe sa retorika boshe thuren nga burrat në mbrojtje të grave e vajzave që ankthshëm i besojnë si angazhime serioze.
Ndaj Nazimja është në hall të madh. Duhet të gjejë derën e daljes nga bota ku është dhe atë të hyrjes në botën ku nuk e lanë të rritej.
Vetëm se kam frike se ajo pak nuhat qartas se edhe kjo bota jashtë e kufizuar vetëm tek çka është e dukshme, është po kaq hallemadhe.
Dhe as zhyt e mbyt politika, as erotika, nuk po e zbukuron dot!