Dje bashkë me Deanin dhe Gentin, rrugëtuam nga Tirana drejt fshatit Rrushkull në Mirditën e Madhe, për të vetmen arsye, jo sepse kurrë askush nuk ka bërë një reportazh në një fshat shqiptar. Janë bërë shumë të tillë. Por asnjëherë aq sa numri i banorëve që jetojnë në zonat rurale në gjendje vërtet të mjerueshme. Ata janë më shumë sesa intervistat tona, më shumë se politika jonë, më shumë se koha që ne u japim në televizion.
Ne të gazetës Shqiptarja.com ishim dje atje, sepse Gerta Loku, mirditorja tashmë e famshme pas fjalimit në Parlament më datë 30 shtator mbi zonat rurale dhe investimet e munguara, përveç tornados që krijoi në media e kudo në jetën kryeqytetase, na foli për dikë tjetër veç vetes. Na foli për një personazh, për një jetë që nuk ishte si e saja, as si e jona. Na foli për Kristinën. Dhe ne ishim atje pikërisht për të. Në kërkim të Kristinës…
Në shtëpinë e Kristinës
Rruga deri në fshatin Prosek nuk pati vështirësi, ato nisën teksa po shkonim në fshatin Rrushkull. Rreth 20 minuta luftë me gropat…deri sa gjetëm shtëpinë e Kristinës, e cila ishte e veçuar nga shtëpitë e tjera të fshatit. Kristinën e gjetëm në kopsht, me duart e baltosura e cila me sy kuriozë dhe buzëqeshje na hapi derën e shtëpisë të vjetër. Një shtëpi njëkatëshe, gati e rrënuar, me një oborr të madh me vreshta, ku pulat lëviznin të lira.. Brenda shtëpisë, muret ishin plasaritur nga një tërmet i rënë kohë më parë. Një dhomë gjumi, ku Kristina flinte bashkë me të shoqin dhe dy fëmijët e saj adoleshentë.
Ashtu si edhe fermerja Rigerta Loku foli për rrjedhën e ditës së Kristinës: “Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nda dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit dhe ulet shumë pas tij. Ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin, çon fëmijët në shkollë ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë dhe ajo i përcjell në këmbë. Shet qumështin me kokakolat e lara me kujdes, sepse ky është fshati.
Shet ato 20 kokrra vezë, 3- 4 kile rrush, domate jeshile, ato që kanë mbetur nga kopshti i mbjellë me lakra të zeza dhe presh që ti ketë rezervë për dimër. Shet ashtu Kristina, e ulur në rrugë. Dhe po ti thoni Kristinës çfarë do ti që shteti të të japë ty, ajo me shumë modesti do të thotë: Unë dua ujë dhe rrugë”; Kristina tregon në një rrëfim ekskluziv për Shqiptarja.com më imtësisht historinë e jetës së saj dhe luftën për mbijetesë.
Shtëpia
Një shtëpi njëkatëshe, gati e rrënuar, me një oborr të madh me vreshta, ku pulat lëviznin të lira.. Brenda shtëpisë, muret ishin plasaritur nga një tërmet i rënë kohë më parë. Një dhomë gjumi, ku Kristina flinte bashkë me të shoqin dhe dy fëmijët e saj adoleshentë.
Intervista
-Kjo është Kristina Gjonaj, është personazhi që prezantoi Gerta në Parlamentin Rural. Kristina do të na tregojë më imtësisht jetën e saj në fshatin Rrushkull..
Çfarë t’ju tregoj unë e shkreta.. të gjitha të vërteta janë ato që ka thënë Gerta.
-Ne morëm rrugën deri këtu, sepse menduam se do duhej që të ishit ju atë ditë në Parlament. Çfarë do kishit thënë atë ditë në Parlament nëqoftëse do ju ishte dhënë mundësia?
Unë fëmijët i kam të papunë, burrin të papunë. Jetoj vetëm me 40 mijë lekë përkrahje. Kam vetëm kopshtin, mbjell lakra, qepë, pras… me këto jetoj.
-Po një ditë e zakonshme e juaja si është? Kur zgjoheni në mëngjes?
Në orën 5 të mëngjesit. Dal njëherë tek lopët, i mjel, qumështin pastaj e çoj në Rrëshen. Lëshojmë lopët, pulat, u çojmë me ngrënë, hedhim pleh, i mefim, çojmë bagëtitë. Shkojmë në mal, presim drutë, nuk i shesim. I mbajmë për të ftohtin, përdorim sobat, se nuk kemi për të blerë as gaz, asgjë. Çfarë do bëjmë tjetër… punë fshati bëjmë.
-Në këmbë apo me makinë e dërgon qumështin?
Jo dal tek shkolla dhe shkoj me një fugon privat, në gjysmë të rrugës të fshatit Prosek.
-Sa kushton rruga për të shkuar në Rrëshen?
100 lekë për të shkuar dhe 100 lekë për të ardhur.
-Ja vlen?
Varet.. sa të bën rruga, por ndonjëherë marr edhe lakra, vezë për të shitur, kur kam.
-Kristina, më trego kur ke ardhur ti në Rrushkull?
Në 1995, unë jam nuse këtu, kam nja 23 vjet.
-Nëqoftëse unë do të thoja se kam një shtëpi dhe një punë të mirë për ju në Tiranë do kishit ardhur me mua?
Ku ta gjesh, por se realizon njeri atë punë.
-Do kishit dëshirë ta lini vendin ku jetoni për kryeqytetin?
Ajo s’diskutohet, por nuk kam ça bëj atje pa punë, më mirë jetoj këtu me lakra të zeza sesa të dal në xhade atje.
-Po pretendimet e tua për vajzën, pasi të mbarojë gjimnazin..çfarë do bëjë?
Ajo këtu do rrijë, ça do bëjë..
-Nuk do vazhdojë shkollën e lartë?
Jo, ku ta çoj në shkollë të lartë atë unë, nuk kam të ardhme.
-Po Gertën si e keni njohur?
Është shumë shumë e mirë. E ka shpinë aty. (tregon me kokë matanë shtëpisë së saj).
-Ndodh që të vizitoni njëra tjetrën, të pini kafe? Të ndani shqetësimet?
Po, po përzotin i kemi qarë këto halle me të por s’ka ca të bëjë.
-E keni takuar Gertën pas fjalimit në Parlament?
Jo, jo ajo është në Bjeshkë tani, s’ka ardhur akoma e shkreta i çon në Bjeshkë, s’ka ku i mban këtu nuk ka ujë.
-Domethënë i zhvendos bagëtitë nga Rrushkulli në Bjeshkë? Ka fermë tjetër atje?
Verës po.. jo s’ka fermë tjetër e shkreta, thjesht i lëshon nëpër përronj. S’ka ça bën, as ne as ajo. Është LUFTË jeta.
-Po burri juaj çfarë pune ka bërë?
Asnjë punë përzotin, tash 20 vjet.
-20 vjet i papunë?
Punë shteti jo.
-Po juve ju ndihmon në punët e fshatit?
Po, po tash është duke kositur një jonxhe..
Ëndrra e Kristinës: Të më punojë djali, jeta ime ka mbaruar
Kristina është vetëm 45 vjeç, me dy fëmijë adoleshentë të cilët kanë plot kërkesa, por që ajo me të shoqin, i cili ka plot 20 vjet i papunë nuk mund t’ua plotësojë ato. Kristina rrëfen e përlotur për Shqiptarja.com ëndrrën e saj që Arlindi, djali i saj 20 vjeçar të gjejë një punë(në pamundësi për të vazhduar shkollën e lartë) dhe të mos punojë më në fshat, pa besim se dhe kjo do të realizohet. Ajo shprehet se jeta e saj ka mbaruar, e vetmja gjë që kërkon është një jetë më e mirë për fëmijët e saj. E pyetur nëse do donte të kthehej në rini, ajo shprehet se jo pasi më parë ka qenë më keq. Këtu shoh një fije shprese tek Kristina. Teksa ajo kërkon një jetë më të mirë për fëmijët e saj, unë do t’ju lutesha të kthenit sytë tek jeta e Kristinës.
-Kristina, ti ke një jetë ndryshe nga njerëzit në qytetet, nga gratë..cila është ëndrra jote më e madhe?
100%… s’më realizohet ëndrra mua!Nuk mund t’a them.
-Pse nuk realizohet?
Nuk realizohet, nuk është mundësia.
-Nëqoftëse nuk e thua, nëqoftëse nuk e ndan, nuk e beson..
Ëndrra ime është t’i gjendet një punë fëmijës sime, djalit tim. Pa punë djali, edhe burri. Pa punë, pa asgjë, pa të ardhme…
-Nuk mendon ndonjëherë për ndonjë fustan të bukur?
Për veten nuk mendoj fare, iku jeta ime. Luftë gjithherë. Fëmijët mos t’i lë kështu si kam vuajtur unë.
-Pse pikërisht një punë dhe jo një shkollë për djalin dhe për vajzën? Një ndihmë nga shteti për studime?
S’realizohen ato… s’më mbushet mëndja se realizohen ato punë. Ndaj them një punë se është më e thjeshtë.
-Cila punë mendoni se do t’i shkonte për shtat djalit, që do doje për djalin?
Djali që vjet ka dashur të hyjë në Akademinë e Rendit, por nuk e realizoi se nuk pati mundësi me ec.
-Nuk keni pasur mundësi ta shtyni për të vajtur në Tiranë?
Duhen lekë edhe në Tiranë, nga të shkosh, me se..
-Po me vajzën çfarë marrëdhënie ke?
Shumë të mirë. Vajza është e rregullt, e thjeshtë është shumë shumë e rregullt.
-Çfarë moshe ka?
16.
-Bashkëbisedoni bashkë? Për shembull të tregon ajo çfarë ndodh në shkollë, nëqoftëse pëlqen ndonjë djalë?
Po, po të gjitha. Ato si ka hala, është e vogël. Por është shumë e rregullt vajza, është e urtë, e thjeshtë.
-Ka kërkesa, të mërzit kur të kërkon?
Po më mërzit se ajo ka shumë kërkesa. Ajo nuk mundet të bëjë detyrat siç i bëjnë në internet, se s’ka.
-Kërkojnë këtu në Rrëshen projekte?
Po si s’kërkojnë. I bëjnë krejt detyrat, ajo nuk i bën, se s’ka internet.
-E penalizon kjo, domethënë mësuesit janë të rreptë dhe i ulin notën? Pavarësisht se e dinë situatën?
Po, ata të kërkojnë llogari, pavarësisht kësaj nuk ka çfarë i bën mësuesi.
-Në çfarë ore niset vajza për shkollë?
Në 6 e 30.
-Si quhen fëmijët?
Djali, Arlind Gjonaj ndërsa vajza, Anisa Gjonaj.
-Po marrëdhënia jote me burrin?
Shumë mirë, as më mërzit as më ka shqetësuar asnjëherë.
-Ke udhëtuar ndonjëherë ti Kristina?
Jo s’kam lëvizur ndonjëherë. Nga Rrësheni deri tek shtëpia.
-Tiranën nuk e ke parë?
Kam qenë vetëm një herë, tek vëllai i burrit.
-Çfarë ndryshimi mendon se ka?
Ehuu, unë sa kaloj Skurret që janë aty, them të mos shkoj më tek shtëpia.
-Je lodhur nga jeta e fshatit..
Po, boll…
-Mendon se ndonjëherë fshati do të ketë të njëjta kushte me qytetin?
Asnjëherë, unë veç për fëmijët thashë, që të më eci jeta pak më mirë.
-Besoni tek partitë politike? Çfarë pret që të sjellin këtu në Rrushkull?
Po, besoj se njeriu ka një bindje. Përzotin vetëm ujë, se gjë tjetër s’të sjell kush.
-Çfarë të kërkon Anisa, si një vajzë 16-vjeçare?
S’di çfarë të them se çfarë më kërkon më parë, nuk plotësohen. Nuk plotësohen kushtet e fëmijës asnjëherë… këtu as që bëhet fjalë.
-Ju jeni sa vjeç?
Unë?45 vjeç.
-Pra ju jeni thjesht 45 vjeç dhe prapë mendoni vetëm për jetën e fëmijëve tuaj?
Vetëm fëmija se jeta ime s’ka… unë e di që zgjodha jetë të papërshtatshme për veten.
-Ju më përpara ku keni jetuar?
Në rreth të Matit.
-Ka ndryshuar jeta jote e rinisë me jetën sot? Do doje të ktheheshe pas në kohë?
Nuk diskutohet ajo, ka qenë më tjetër.. Jo, s’do doja, se më keq ka qenë më përpara.
-Domethënë ka shpresë që do bëhet më mirë?
Po shpresë, prej zotit shpreson robi. Hajt sot, hajt nesër, hajt një ditë… shpresojmë!
/Shqiptarja.com/